“Erdha që të ngjis Besën”, prezantohet Mërgjyshi: Më bindi ekipi me Pogradecin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2020 | 19:42

“Erdha që të ngjis Besën”, prezantohet Mërgjyshi: Më bindi ekipi me Pogradecin

Artan Mërgjyshi merr drejtimin e Besës. Ashtu sikundër ishte paralajmëruar, ndodhi. Ai është prezantuar gjatë stërvitjes së djeshme si trajneri i ri i kavajasve, duke zëvendësuar Ndriçim Kashamin e larguar pas javës së dytë të Kategorisë së Parë. Bashkë me 52-vjeçarin, ka ardhur edhe Edmond Kodra. Ky i fundit do të jetë zv.trajner, ndërsa pjesa e stafit teknik mbetet edhe Meglid Mihani.

Mergjyshi

PREZANTIMI – Në momentin që doli në fushë dhe mblodhi ekipin, “timonieri” i ri i verdhezinjve tha dy fjalë para lojtarëve. Nuk ngurroi që të vlerësonte punën e paraardhësit të tij për lojën e zhvilluar kundër Pogradecit (të cilën e ndoqi nga tribuna e stadiumit modest të Luzit).

“Së pari, dua të falënderoj paraardhësin tim, Kashamin, për punën e kryer deri tani në krye të ekipit. Me shumicën prej jush njihemi, madje ju kam ndjekur edhe në përballjen me Pogradecin. Jam i habitur dhe nuk e kuptova përse ju e lejuat kundërshtarin që në 20 minutat e para t’ju bënte presion.

Më pas hytë në lojën tuaj dhe shfaqët atë që unë dhe të gjithë prisnim nga ju. Konstatova me kënaqësi se jemi një grup me vlerë dhe se mundësitë janë që jo vetëm të fitojmë, por kjo të shoqërohet me një lojë bindëse.

Kemi përpara ndeshjen e Kupës me Kukësin dhe do të japim maksimumin, pasi në fund të fundit presioni bie mbi Kukësin dhe jo mbi ne. Do të bëjmë lojën tonë dhe do të synojmë kualifikimin. Më pas, se çfarë sjell ndeshja është tjetër gjë. Do të kemi 9 ditë kohë për të përgatitur ndeshjen e radhës në kampionat”, tha mes të tjerash ish-trajneri i Apolonisë.

DEKLARATA – Artan Mërgjyshi nuk ngurroi që të fliste edhe për “Panorama Sport”, duke zbuluar arsyet që e sollën në këtë detyrë:

“Nëpërmjet miqve, kolegëve, por edhe futbollistëve kam marrë informacione për ata lojtarë të grupit që nuk i njoh. Sikurse e dini, ndoqa edhe ndeshjen me Pogradecin dhe tashmë kam një ide të qartë mbi forcën e Besës. Mendoj se në ekip ka një gërshetim ideal të lojtarëve me përvojë dhe të rinjve të talentuar”.

Nexhat Bizhdili që në krye të herës është shprehur se ka grupin më të mirë të 5 viteve të fundit dhe se objektiv të vetëm ka rikthimin në Kategorinë Superiore. Kushti duket i panegociueshëm edhe nën drejtimin e teknikut, gjë që e pranon edhe ai.

“Nuk kisha nevojë të prisja të takoja Bizhdilin për ta ditur misionin që ka Besa, pasi sikurse e dini e kam drejtuar më parë dhe kam shumë miq në Kavajë në fushën e sportit. Objektivi ‘Superiore’ më është vënë si kusht edhe mua, por kjo do të shihet ndeshje pas ndeshjeje. Unë besoj se do ta arrijmë, ndaj pranova ofertën. Do të bëjmë maksimumin që varet nga unë e stafi për ta përmbushur këtë synim. Kuptohet, aktorët kryesorë mbeten vetë futbollistët”, përfundoi trajneri i kavajasve.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"