Elbasani thyen Burrelin, tre gola për kryesimin. Dede: Komplimente lojtarëve, i gëzuam të gjithë me paraqitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2024 | 15:42

Elbasani thyen Burrelin, tre gola për kryesimin. Dede: Komplimente lojtarëve, i gëzuam të gjithë me paraqitjen

Elbasani ruan kryesimin në javën e 25-të në Kategorinë e Parë me një pikë diferencë ndaj Bylisit, pas fitores së pastër 3-0 me Burrelin në shtëpi. Një përballje e dominuar nga verdheblutë që shënuan në pjesën e parë me Melon, ndërsa Lleshi me Bobin në të dytën hipotekuan tri pikët.

elbasani fest

Një fitore që e dërgon Elbasanin gjithnjë e më pranë sigurisë matematikore për ngjitjen në Superiore, duke shkuar në +13 pikë nga Flamurtari i vendit të tretë.

PJESA E PARË – Elbasanasit e nisën me vrull sfidën dhe shfaqen rrezikshëm që në minutën e parë me Grecën. Por, goditja e sulmuesit neutralizohet nga portieri mik. Burreli mundohet më shumë të mbrohet, ndërsa vendasit godasin shtyllën me Melon, duke dhënë iluzionin e golit. Praktikisht luhet vetëm me një portë dhe me një dominim “të frikshëm” të ekipit të Nevil Dedes, me Hoxhajn që tenton portën brenda zonës me kokë, ndërsa Fernandesh trondit tranversën nga goditja e dënimit. Goli do të vinte në të 32-ën me Melon që sheh t’i devijohet goditja me kokë dhe më pas me këmbë e ndal në rrjetë. Vijon dominimi i vendasve deri në fund të këtij fraksioni, i cili gjithsesi mbyllet me avantazhin e ngushtë, 1-0, të verdhebluve.

PJESA E DYTË – Dede dhe Hima e nisin pa ndryshime këtë fraksion, duke u besuar titullarëve të pjesës së parë. Ritmi është disi më i ulët, por gjithsesi verdheblutë rrezikojnë në dy momente me Hoxhajn, por pa shënuar dot të dytin. Loja është e fortë me verdheblutë në kërkim të golit të qetësisë, që vjen në minutën e 73-të. Telushi jep një top të gjatë për Fernandesh, i cili harkon në zonë për Lleshin, me këtë të fundit që tregohet i saktë me kokë, duke dyfishuar shifrat në 2-0. Në të 80-ën Bobit i duhen vetëm pak sekonda për të shënuar, teksa në prekjen e parë të topit shënon me kokë pas këndores së Salomaos. Praktikisht gjithçka është e mbyllur, ndërsa Kurti nga krahu i djathtë përpiqet të neutralizojë ato pak shpërthime të miqve në sulm. Mbyllet gjithçka në shifrat 3-0, me Elbasanin që nuk e lëshon kreun.

Dede: Komplimente lojtarëve, i gëzuam të gjithë me paraqitjen

Nevil Dede, trajneri i Elbasanit, pas ndeshjes komplimentoi lojtarët për atë që treguan në fushë. “E kontrolluam lojën gjatë 90 minutave dhe zotërimi i topit ishte i mirë. Në pjesën e parë patëm vështirësi në finalizimin, pasi Burreli dihet që është një skuadër e fortë në fazën mbrojtëse ku na priti me një bllok shumë poshtë të ulët. Pasi zhbllokuam rezultatin menaxhuam gjithçka.

Duhet ta siguronim rezultatin me shpejt, por jam i kënaqur dhe krenar për djemtë. Nuk kemi pësuar gol në dy ndeshjet e fundit, e rëndësishme është që ne shënojmë gjithmonë. Kjo është evidente dhe këtë e tregojnë numrat që kemi në klasifikim dhe me diferencë me skuadrat e tjera. Mbi të gjitha më vjen mirë për djemtë, i komplimentoj edhe i uroj. Më gëzon shumë edhe fakti që njerëzit ishin entuziastë dhe u kënaqën me paraqitjen”, u shpreh trajneri Dede për “Panorama Sport”.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"