Elbasani super, mund Luftëtarin dhe e bën festë në Gjirokastër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2023 | 10:22

Elbasani super, mund Luftëtarin dhe e bën festë në Gjirokastër

AF Luftëtari zhgënjen sërish, duke humbur 0-3 ndaj AF Elbasanit. Skuadra e Gentjan Stojkut doli me tri pikë të arta nga Gjirokastra, në një ndeshje që u luajt pa praninë e tifozëve për shkak të dënimit të fushës së klubit bluzi nga Komisioni i Disiplinës. Sulmuesit Artur Sejdini dhe Ledio Koçi bënë diferencën me golat e tyre. Verdheblutë vijojnë marshimin drejt Kategorisë së Parë, ndërsa këtë të diel presin Pogradecin në “Elbasan Arena” në kryendeshjen e Grupit B.

luftetari elbasani

GOLAT – Ndeshja mes dy klubeve me shumë histori në futbollin shqiptar, që tashmë janë pjesë e Kategorisë së Dytë, u zbeh disi nga mungesa e tifozëve.

Fillimi i lojës ishte më i mirë për gjirokastritët, që rrezikuan tri herë me anë të Tunit, Glauberit dhe Mërkurit, të cilët humbën raste të mira shënimi.

Pas minutës së 15-të, të besuarit e Stojkut marrin frenat e lojës në dorë. Megjithatë, duhet të vinte minuta e 41-të që shtatlarti Sejdini të ndëshkonte portierin 18-vjeçar, Vllahu, pas goditjes tokazi në hyrje të zonës.

Pjesa e parë u mbyll 0-1, ndërsa Elbasani gjeti golin e qetësisë në minutën e 62-të. Pas një harkimi në zonë, Koçi me kokë dyfishon shifrat. Luftëtari duket i dorëzuar dhe as ndërrimet nuk ndryshojnë lojën e bluzinjve. Në fund është sërish Koçi që nga brenda zonës vulos fitoren 0-3.

989

GURANJAKU – Drejtori sportiv i AF Elbasanit, Elton Guranjaku, për “Panorama Sport” pas ndeshjes, u shpreh: “Punuam fort për këtë ndeshje, pasi kishim përballë një ekip shumë të organizuar si Luftëtari. Në mundësinë e parë që krijuam, shënuam gol. Fitorja na shton besimin për vazhdimësinë. Presim Pogradecin të dielën dhe objektiv kemi 3 pikët”.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"