“Elbasani në rrugën e duhur”, Ardit Hila: Të mundim Flamurtarin dhe thellojmë diferencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2024 | 23:36

“Elbasani në rrugën e duhur”, Ardit Hila: Të mundim Flamurtarin dhe thellojmë diferencën

Elbasani është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të luajnë me Flamurtarin të dielën në orën 17:00 në “Elbasan Arena”.

Hila

Në këtë takim tekniku Nevil Dede nuk do të ketë të gatshëm mbrojtësin Miklovan Pere për shkak të kartonit të kuq që mori me Burrelin, por shpreson tek rikthimi i Bedri Grecës në fushë.

Sulmuesi i është bashkuar ekipit në stërvitje, duke lënë pas dëmtimin dhe po punon për t’u rikuperuar sa më shpejt. Në ndeshjen e parë verdheblutë janë mundur në Vlorë, ndaj do të përpiqen që t’i kthejnë reston vlonjatëve në shtëpi.

HILA – Në merkaton e janarit bëri një zgjedhje zemre për t’iu bashkuar vendlindjes së tij, edhe pse i duhej të zbriste një kategori më poshtë në kulmin e karrierës. Ardit Hila është përshtatur shumë shpejt me skuadrën dhe është përdorur në të tria ndeshjet e këtij viti, përfshirë edhe Kupën.

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” përpara sfidës me Flamurtarin, 31- vjeçari pohon se do të hyjnë në fushë për të marrë vetëm maksimumin, ndonëse është i vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë. “Është një ndeshje me një rival direkt dhe besoj se me ardhjen e tifozëve, të cilët do të na ndihmojnë shumë, do ta kalojmë me sukses.

Kam besim se ata do të jenë të shumtë në këtë ndeshje, pasi e kanë treguar se i qëndrojnë gjithnjë pranë skuadrës. Ne luajmë në shtëpinë tonë dhe ndihemi më komodë, ku mund të shprehim më mirë edhe cilësitë tona, edhe për shkak të terrenit të mirë. Gjithsesi, e kemi të qartë që nuk do të jetë e lehtë, pasi dihen edhe vlerat e kundërshtarit dhe synimet që ka, por në fushë do të hyjmë vetëm për të fituar”, u shpreh fillimisht mesfushori elbasanas.

OBJEKTIVI – Hila ka besim se çdo fitore që koleksionohet e afron më shumë me Superioren, por normalisht ndeshja me Flamurtarin nuk siguron asgjë. “Në situatën ku jemi çdo fitore që marrim na afron me Superioren. Për më tepër nëse e marrim ndaj një rivali direkt siç është Flamurtari, pasi thellojmë më tej diferencën e pikëve.

Megjithatë, bëhet fjalë vetëm për një hap, sepse rruga është ende e gjatë dhe ne duhet të tregohemi të vëmendshëm në çdo ndeshje. E rëndësishme është që skuadra po kalon një formë të mirë, me dy ndeshjet e para që vitit që janë fituar dhe jemi në rrugë të mbarë. Për asnjë moment nuk duhet të kalojmë në eufori, por të punojmë gjithnjë fort”, mbylli prononcimin e tij për gazetën mesfushori i Elbasanit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"