Rrëfimi i Ekubanit: Te Partizani mësova një gjë shumë të rëndësishme

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2017 | 21:06

Rrëfimi i Ekubanit: Te Partizani mësova një gjë shumë të rëndësishme

Kaleb Ekuban ishte padyshim një prej sulmuesve më të mirë në Kategorinë Superiore sezonin e shkuar dhe formën e tij po e tregon edhe në kampionatin anglez, ku po luan te skuadra e Lidsit dhe ka arritur të shënojë golin e parë. Kaq ka mjaftuar që italo-ganezi, autor i 15-golave me fanellën e Partizanit, të tërheqë vëmendjen e mediave vendase.

ekuban

Në një deklaratë për “yorkshirepost.co.uk”, ai flet për ndikimin që ka pasur Partizani në karrierën e tij. Me të kuqtë Ekuban luajti në Champions, ndërsa më parë ishte aktivizuar në kategoritë e ulëta në kampionatin italian. “Kam bërë një hap të madh në karrierën time dhe do ta shoh sa mund ta përballoj një gjë të tillë.

Sezonin e shkuar me Partizanin në Tiranë, kemi luajtur në Champions ndaj dy ekipeve shumë të fortë, siç ishin Ferencvaroshi dhe Red Bull Salburgu. Ne si skuadër bëmë maksimumin, edhe pse përballë kishim kundërshtarë mjaft cilësorë dhe të fortë. Kam arritur të mësoj një gjë shumë të rëndësishme.

alla shameti ekuban kukesi partizani

Kur e ke topin në zotërim duhet të bësh gjithçka për ta mbrojtur atë. Kjo vlen për cilindo pozicion që je në fushë. Një top i humbur mund të kthehet shumë shpejt në gol për ekipin tënd. Të njëjtën gjë që bëja te Partizani do të mundohem ta bëj edhe këtu në Angli, ku mund të them se mbrojtësit janë shumë të fortë”, ka thënë Ekuban.

HABIA – Ekuban u transferua te skuadra e Lids Junaited pasi Kievo, ekipi që kishte në pronësi kartonin e tij, vendosi të pranonte një ofertë prej 500 mijë eurosh. Ekuban luajti një vit në formë huazimi te Partizani dhe drejtuesit e kuq u përpoqën ta mbanin lojtarin edhe për një tjetër vit, por fatura financiare ishte shumë e lartë dhe nuk e arritën objektivin.

ekuban

Në vazhdim të prononcimit të tij, Ekuban tregon edhe çfarë i kanë thënë në momentin e parë kur u bë pjesë e Lidsit. “Në momentin që firmosa me Lidsin, trajneri Kristianen më përmendi faktin se Kris Uod kishte shënuar 30 gola një sezon më parë. “Ajo që thashë në ato momente ishte thjesht “uau”.

Për këtë arsye jam duke u përpjekur që të mësoj sa më shumë nga ai. Ai di si të luajë dhe si të lëvizë në zonë. Ajo që kam mësuar deri më tani nga seancat stërvitore që kam parë është se si ai i fshihet mbrojtjes dhe më pas të dalë në një moment të dytë prej saj për të ndëshkuar.

Kjo është ajo që dua të arrij të bëj edhe unë”, ka mbyllur Ekuban, i cili në ndeshjen e djeshme që Lids ka luajtur ndaj Preston nuk u aktivizua asnjë minutë.

ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"