EKSKLUZIVE/ “Një dekadë tranzicioni, ky viti i shpagimit”, rrëfimi i Karabecit: Refuzova shumë për Tiranën, ju tregoj sekretin për titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2020 | 17:56

EKSKLUZIVE/ “Një dekadë tranzicioni, ky viti i shpagimit”, rrëfimi i Karabecit: Refuzova shumë për Tiranën, ju tregoj sekretin për titullin

Erando Karabeci u rikthye titullar në kampionat me Tiranën pas 6 muajsh. Kapiteni i bardhebluve, i cili është në sezonin e tij të 11-të me 24 herë kampionët, ka luajtur për herë të fundit nga minuta e parë në fitoren 2-0 ndaj Flamurtarit më 18 dhjetor 2019. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, kapiteni tregon emocionet e rikthimit, sekretin e kësaj skuadre si dhe bën krahasimin se ku ndryshon ky ekip në krahasim me ato në këtë dekadë të fundit. Mesfushori flet për titullin dhe tregon se ka refuzuar shumë mundësi, vetëm që në palmaresin e tij të jetë titulli i munguar me Tiranën.erando karabeci

U kthyet titullar pas 6 muajsh, sa e vështirë ishte të qëndronit gjatë në stol?

Sigurisht që është shumë e vështirë, pasi në pothuajse 13 vite karrierë, nuk kam qenë ndonjëherë në një situatë të tillë. Gjatë këtyre viteve, kam qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës. Gjithashtu, edhe në 11 vite pjesë e Tiranës, ky është i pari në këtë situatë. E vështirë, edhe për faktin se ekipi po ecën drejt drejt titullit të munguar. Prandaj të vjen keq, pasi do të ndihesha më mirë nëse do kontribuoja më shumë. Futbolli i ka këto. Rëndësi ka të ecë ekipi para dhe nuk ka shumë rëndësi aspekti personal. Primare janë grupi e ekipi.

Ju jeni ndër ata lojtarë që stërvitjen nuk e ndani asnjëherë, por si ishte të riktheheshit të luanit pas 3 muajsh nën temperatura të larta?

Të them të drejtën, mezi e kam pritur dhe nuk është se e kam menduar shumë këtë pjesën e vapës. U bë një kohë e gjatë pa luajtur dhe mezi kam pritur që të rikthehem pasi më mungonte shumë fusha. Tani është edhe më e thjeshtë që të luash, pasi ne kemi një ekip shumë cilësor dhe me lojtarë shumë të mirë. Ua kam thënë edhe shokëve të ekipit që me zor po e pres që të fillojë ndeshja. Sido që të jetë, kjo që ju thoni e bën më të vështirë të luash, në orar të tillë aq më tepër që temperaturat janë në rritje. Mirëpo do ta përballojmë, nuk është hera e parë. Është njësoj sikur të luajmë në Europë, pasi gjithmonë atje ndeshjet në verë i kemi luajtur. Do të përshtatemi dhe do të bëjmë më të mirën që ta mbyllim ashtu siç duhet këtë vit.

Tirana u mund në Durrës dhe menjëherë rikthehet te fitorja në ndeshjen pasardhëse. Sipas jush, ishte rastësi disfata me Teutën?

Mendoj që, herët ose vonë, do të vinte edhe një humbje e jona sepse u bëmë 16 takime pozitive. Gjë që nuk na ndodh vetëm neve, por edhe ekipeve më të mëdha në botë, si të thuash u vjen një ditë që humbasin. Ashtu siç shkoi takimi në Durrës, edhe e meritonim që ta humbnim edhe meritonim ta fitonim, bazuar në atë që shfaqëm në fushë. Në atë ndeshje, nuk ishim aq agresivë sa duhet dhe aq të etur sa duhet të jemi. Kundërshtari u tregua më i etur se ne për fitoren dhe vetëm me agresivitet arriti që të na e fitonte ndeshjen. Prapë, siç e thashë ne e kishim mundësinë që me ato raste të krijuara edhe të mund të merrnim pikë ose edhe fitoren ndoshta. Sidoqoftë, duhet ta harrojmë atë ndeshje dhe është një takim që nuk duhet të përsëritet më, pasi nuk na falen më gabime. Jemi drejt një rruge për të cilën na duhen vetëm fitore në mënyrë që të jemi të qetë në përfundim.erando karabeci

Pritej e vështirë, por Vllaznia kaloi me shumë lehtësi…

Ne e dinim që do të ishte e vështirë për vetë faktin se ky derbi i Shqipërisë, pavarësisht pozitave të ekipeve, gjithmonë ka qenë një ndeshje e fortë. Për më tepër, Vllaznia kishte një motiv më shumë pasi po lufton për zonën “play out” dhe vinte e karikuar në Tiranë. Mirëpo, desh Zoti që arritëm ta zgjidhim shumë shpejt ndeshjen dhe ia dolëm me sukses edhe pse në gjysmën e ndeshjes ne ishim me dhjetë lojtarë.

Si e prisni ndeshjen përballë Skënderbeut?

Skënderbeu ka një ekip shumë të mirë dhe që të hap shumë probleme. Ka një grup me lojtarë të talentuar në përbërje. Përveç cilësive të lojtarëve, dihet shumë mirë se cila është pika e fortë e Skënderbeut. Kanë një trajner si Ilir Daja, i cili është me shumë eksperiencë dhe e njeh shumë mirë kampionatin shqiptar. Një trajner i cili i studion shumë kundërshtarët, pasi ne e kemi pasur në krye dhe kemi punuar me të. Ai analizon shumë mirë kundërshtarët dhe për këtë arsye ta bën ndeshjen shumë të vështirë. Ne jemi të vetëdijshëm që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por përpos kësaj ne shkojmë atje vetëm për 3 pikët dhe asnjë lloj rezultati tjetër. Do të jetë e vështirë, por shpresoj që t’ia dalim.

A vendoset titulli në këto 3 ndeshje: Skënderbeu, Kukësi e Partizani?

Besoj se po. Me këto 3 ndeshje, them se po, megjithatë derisa të mos e thotë matematika, nuk mund të konsiderohet kampionat i mbyllur. Unë mendoj se në rast se ne do të marrim pikët maksimale në këto 3 ndeshje, gjithçka është zgjidhur dhe ka përfunduar. Ne jemi të përgatitur që të marrim maksimumin nga këto 3 takime.erando karabeci

Jeni kapiten i skuadrës në të cilën luani prej 11 vitesh, çfarë ka ndryshe Tirana këtë sezon?

Kam më shumë sesa një dekadë dhe këto vite mendoj se kanë qenë një lloj tranzicioni te Tirana. Ka qenë e vështirë, pasi si të thuash në çdo vit nuk është se janë afruar lojtarët e duhur për të arritur maksimumin. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit merkatoja është bërë shumë cilësore. Kanë ardhur lojtarë me eksperiencë, me kualitet të cilët edhe e njohin kampionatin shqiptar. Kristi (Vangjeli) dhe Osmani që janë lojtarë me eksperiencë apo Batha, Kale e Torasa që na kanë ndihmuar shumë këtë vit dhe i kanë dhënë një shtysë shumë të madhe skuadrës drejt kësaj rruge ku jemi.

Pjesa që ka bërë diferencën mendoj se është fakti që u bë një merkato shumë cilësore. Kjo ka bërë që të jemi një ekip shumë kompetitiv dhe me 20 lojtarë brenda. Siç e shihni edhe ju, jemi pothuajse 20 lojtarë që jemi gati për një fanellë titullari. Dhe të ndërtosh një skuadër që pretendon titullin kampion, nuk mjafton të kesh vetëm 11 titullarët, por duhet edhe stoli shumë i fortë. Besoj se ky ka qenë suksesi këtë vit, që kemi pasur lojtarë shumë cilësorë që u afruan në merkato. Kemi bërë ndeshje shumë të mira, por kemi pasur edhe fat. Sado ndeshje të mira të bësh, nëse të mungon fati në futboll, ndonjëherë nuk e merr atë që meriton. Theksin kryesor e vendos te lojtarët që përmenda dhe merkatoja.Karabeci

Keni fituar gjithçka veç titullit, a është ky viti për t’ia dalë edhe në këtë kompeticion dhe a ju vjen keq që me Tiranën s’fituat më shumë?

Normale që më vjen keq pasi gjatë viteve kam pasur mundësi që të iki diku për më mirë, ndoshta edhe jashtë. Mirëpo kam qëndruar te Tirana me synimin që të fitoj titullin. Siç e thashë, ka qenë një periudhë tranzicioni dhe ekipet e tjera kanë qenë mbase më të organizuara. Do Zoti që këtë vit më plotësohet ky titull, edhe për aspektin personal por edhe për Tiranën pasi është mëkat që një ekip si ky të ketë dhjetë vite pa triumfuar në kampionat. Kemi fituar kupa apo Superkupa, por janë trofe që nuk na hynë në sy, nuk i bëjnë përshtypje kësaj fanelle. Dashtë Zoti triumfojmë këtë vit dhe të më lumturojë personalisht dhe të gjithë familjen e Tiranës.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"