EKSKLUZIVE/ Zbulohen arsyet e shkarkimit të Longos, opsion për stolin e Teutës është dhe trajneri që u shpall kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2023 | 14:34

EKSKLUZIVE/ Zbulohen arsyet e shkarkimit të Longos, opsion për stolin e Teutës është dhe trajneri që u shpall kampion

Diego Longo nuk është më trajner i Teutës, teksa kanë mjaftuar pak orë nga humbja ndaj Vllaznisë, për t’u bërë shkarkimi i tretë në Kategorinë Superiore në vetëm pesë javë kampionat. Fillimisht këtë hap e kishin ndjekur Laçi me Stavri Nicën dhe Kukësi me Rraman Hallaçin, ndërsa dje klubi durrsak konfirmoi edhe ndryshimin në pankinë.

LONGO

“Klubi i futbollit Teuta njofton ndërprerjen konsensuale të bashkëpunimit me trajnerin Diego Longo. Në një dakordësim me presidentin Edmond Hasanbelliu iu dha fund edhe periudhës si trajner i Teutës. Klubi falënderon mister Diego Longon për impenjimin dhe angazhimin e tij dhe i uron suksese në të ardhmen”, citohej në njoftimin e Teutës.

“Panorama Sport” mëson se mes palëve krisjet nisën që pas ndeshjes në Laç, ku Teuta humbi 6-1 dhe për drejtuesit ishte i papranueshëm ky rezultat. Italiani mori fitoren e parë më pas në krye të pankinës durrsake kundër Skënderbeut, ndërsa humbja e dy ditëve më parë në Shkodër ishte një tjetër zhgënjim, që duket se “derdhi kupën”.

Ndërkohë, dje italiani nuk ka dashur të bëjë një koment për këtë largim, edhe pse është pyetur nga gazeta. Mirëpo, menjëherë pas ndeshjes në Shkodër, pasi u ngacmua nga gazetarët në lidhje me një largim të mundshëm nga Teuta dhe raportin që ka me presidentin Hasanbelliu, ai shkurtimisht u shpreh: “Marrëdhëniet e mia me drejtuesit e klubit janë shumë të mira”.

Seancën e djeshme e drejtoi Ilir Biturku, i cili ka qenë edhe pjesë e stafit teknik të Longos. Durrsakët vijojnë përgatitjet për ndeshjen e së mërkurës ndaj Kukësit në orën 20:15 në “Niko Dovana”.

PASUESI – Menjëherë në klubin durrsak kanë filluar të qarkullojnë zëra për një rikthim të mundshëm të Edi Martinit. Trajneri shkodran ka një raport shumë të mirë me presidentin Edmond Hasanbelliu dhe nëse diçka e tillë do të zyrtarizohej, atëherë për shkodranin do të ishte rikthimi i pestë në krye të Teutës.

EDI MARTINI

Martini ka fituar gjithçka si trajner në Durrës, duke qenë padiskutim më i suksesshmi i historisë së klubit. Edhe në sezonin e shkuar ai u emërua në një moment të vështirë për skuadrën dhe arriti të merrte rezultate pozitive, duke u kthyer edhe në garë për një vend në Kupat e Europës.

Përveç Martinit, një kandidat për stolin konsiderohet edhe Xhovani Kolela, trajneri italian, i cili vjet u shpall kampion me Partizanin.

kolela

Ai vijon të jetë i papunë që pas largimit nga të kuqtë dhe në javët e fundit është parë të ndjekë shpesh ndeshje të Superiores në stadium, mes tyre edhe Teutën.

Mbetet të shihet nëse presidenti Hasanbelliu do të zgjedhë një alternativë si Martini, që e ka treguar me kohë veten apo Kolelën, që me Partizanin bëri mirë, por mbetet diçka e panjohur për Teutën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"