EKSKLUZIVE/ Xhixha drejt ish-skuadrës së Uzunit, Tirana prenoton mesfushorin që e mbylli në Turqi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 16, 2023 | 23:50

EKSKLUZIVE/ Xhixha drejt ish-skuadrës së Uzunit, Tirana prenoton mesfushorin që e mbylli në Turqi

Regi Lushkja nuk është goditja e vet me e janarit për Tiranën dhe Kallaku nuk është largimi më i bujshëm… Kampionët “ziejnë” dhe deri në fund të këtij muaji pritet të ketë ndryshime të rëndësishme. Bëhet fjalë për sulmin, sepse Xhixha duket se i ka bërë gati valixhet. Klube arabe dhe kroate kanë kohë që e joshin, por së fundmi ka fituar terren Ferencvaroshi.

xhixha

XHIXHA DREJT LARGIMIT Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, ishte i sinqertë kur tha pak ditë më parë se Xhixha mund të ikë. Ai dinte më shumë dhe është normale të jetë kështu.

Ndërkaq, gazeta mëson se për goleadorin bardheblu kanë interes disa klube, por favorit mbeten hungarezët e Ferencvaroshit.

33 herë kampionët e Hungarisë janë vënë në ndjekje të 24-vjeçarit që nga sezoni i kaluar dhe duket se janë bindur plotësisht tani për të bërë një sakrificë për kartonin e Xhixhës.

Halili ka kërkuar afro 1 milionë euro për autorin e 11 golave këtë sezon (më i miri në Superiore), por hungarezët shpresojnë ta mbyllin për 500 mijë ose diçka më tepër.

Mësohet se kanë gjetur deri tani një marrëveshje duke futur edhe një përqindje të kartonit në mes, por ka ende detaje të pazgjidhura që akordi të quhet i mbyllur.

Natyrisht, gjurmët që ka lënë Myrto Uzuni te Ferencvaroshi kanë ndihmuar që hungarezët të këmbëngulin për një tjetër shqiptar në radhët e tyre.

ABAZAJ PRET VETËM FIRMËN Nëse ikën Xhixha Tirana mund të arkëtojë miliona, por humbet një nga pikat më të forta të këtij sezoni, por edhe një prej heronjve të titullit një vit më parë.

Halili dhe Osmani kanë nxituar të gjejnë një tjetër lojtar me potencial që mund të bëjë diferencën. Bëhet fjalë për Kristal Abazajn, aktualisht i lirë dhe me një dëshirë të madhe për t’ia nisur edhe një herë nga e para në kampionatin shqiptar.

KRISTAL ABAZAJ

Duket si një “martesë” ideale me një sulmues që kërkon të rikthehet në nivelet e larta, por edhe për kampionët që zëvendësojnë Xhixhën me një futbollist që ka shumë cilësi.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se është arritur një marrëveshje mes Tiranës dhe Abazajt dhe mund të zyrtarizohet pasi Xhixha të ketë firmosur për klubin e ri që me shumë gjasë do të jetë Ferencvaroshi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"