EKSKLUZIVE/ Vrapi kunj Shkëmbit: Mendova se isha krahu i djathtë i tij, ja sekretet e duelit Partizani-Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2019 | 21:42

EKSKLUZIVE/ Vrapi kunj Shkëmbit: Mendova se isha krahu i djathtë i tij, ja sekretet e duelit Partizani-Skënderbeu

Endri Vrapi, me statusin e ish-it, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” zbërthen Partizanin dhe Skënderbeun përpara duelit të së enjtes.

endri vrapi

Ish-mbrojtësi pohon se të dyja ekipet bëjnë futboll të bukur, ku “demat” i shikon hermetikë në mbrojtje, ndërsa te korçarët vlerëson cilësinë në fazën sulmuese. Ai tregon edhe sekretin e dy presidentëve dhe momentet më të mira që ka kaluar në këto dy klube. Për herë të parë ekskluzivisht për gazetën Vrapi tregon edhe arsyen e largimit të papritur nga Teuta, ku nuk lë pa thumbuar trajnerin Bledi Shkëmbi: “Deri në ditën që isha pjesë e Teutës, mendoja se isha krahu i djathtë i trajnerit. Atë ditë e kuptova që paskam qenë nga e majta e tij”.

Si i shikoni dy ekipet përpara duelit të së enjtes?

Të dyja ekipet janë në rritje nga java në javë dhe bëjnë futbollin e bukur. Ndaj edhe dueli mes tyre këtë mesjavë besoj se do të jetë shumë i fortë duke parë edhe klasifikimin.

Vrapi

Nga dallojnë skuadrat nga sezoni i fundit?

Partizani ka ruajtur fizionominë e lojës, pavarësisht se trajneri ka provuar disa herë edhe rreshtimin me 3 mbrojtës, por në ndeshjet e fundit ka kaluar siç luante Partizani me Skënder Gegën. Ndërsa Skënderbeut i janë larguar disa lojtarë, plus dhe vendimi që i penalizon për pjesëmarrjen në Europë ia ka zbehur shanset. Por duhet falënderuar që po bën një garë të ndershme dhe po respekton kampionatin dhe duke luftuar me të gjitha skuadrat.

Partizani ka afruar shumë në sulm gjatë merkatos, por aktualisht ka një debat skeme për rreshtimin në mbrojtje. Ju si e komentoni këtë?

Kjo është e vërtetë, sepse Partizani ka ofruar lojtarë të shumtë në sulm, por më rezultativë mbeten gjithnjë lojtarët që vijnë pas sulmuesit kryesor. Sa i përket skemës, besoj se trajneri është ai që e di filozofinë që ka në kokë dhe lojtarët që ka në dispozicion të bëjë më të mirën.

vrapi

Skënderbeu aktual vuan ndaj të voglave, siç ishte rasti i fitores me Luftëtarin dhe dominon ndaj Kukësit, por nuk fiton. Nga se vjen kjo?

Skënderbeu ka disa vite që tregon futboll të bukur. Por këtë problematikë nuk është se e ka vetëm Skënderbeu me ekipet e vogla. Kjo ndodh te të gjitha ekipet që kërkojnë të ngrihen sa më lart në klasifikim. Nuk është se nënvlerësojmë, por ndodh që në futboll mund të bësh shumë, po nuk mund të marrësh rezultatin. Prandaj janë tri rezultate që ndonjëherë dhe nëse nuk i meriton, mund t’i arrish.

Përveçse një duel mes dy ekipeve, a mund të jetë edhe një sfidë mes dy shkolla trajnerësh, italiani Lerda dhe Ilir Daja?

Në brendësi, sfida të tilla fillojnë nga tifozët, lojtarët dhe trajnerët. Çdokush do që të tregojë vlerat e veta individuale dhe kolektive. Besoj se me emrin që kanë të dy trajnerët, do bëjnë më të mirën që ekipi i tyre të dalë fitues në këtë përballje.

Çfarë kujton Endri nga Partizani-Skënderbeu?

Kam shumë kujtime nga të dyja palët, sepse duke luajtur për të dyja ekipet që këtë 10-vjeçar kanë qenë kryesues dhe pretendentë për vendet e para. Për Skënderbeun, sepse aty u shpalla 3 vjet kampion. Kurse me Partizan kujtoj kohën kur skuadra qëndroi 13 ndeshje pa pësuar dhe atë vit rikthyem skuadrën në Ligën e Europës pas një mungese të gjatë.

Në aq sa i keni ndjekur këtë sezon, cilat janë pikat e forta e të dobëta?

Partizani është më hermetik si ekip dhe nuk është shumë e lehtë t’i shënosh. Ndërkohë, nga krahu tjetër Skënderbeu bën një lojë të hapur. Korçarët e bazojnë lojën te treshja e sulmit, sepse është reparti më cilësor që kanë në ekip. Partizani është shumë cinik, ato raste që i jepen, mundohet t’i shfrytëzojë në maksimum.

Keni punuar me të dy presidentët, na tregoni ndonjë veçori për secilin?

Të them të drejtën, të dy presidentet kanë një gjë të përbashkët, që nuk duan të humbasin asnjëherë. Te dy janë karizmatikë. Nga kjo pikë besoj janë njësoj, por ekipi që fiton, do e bëjë edhe presidentin fitues për këtë përgjigje.

Luftën për titull kampion këtë sezon, a e shikoni më të fortë se sezonin e shkuar dhe a ju bën përshtypje udhëheqja momentale e Teutës?

Besoj se ky vit ka nisur më së miri, sepse kemi një kampionat të ngjeshur dhe shumë të luftuar. Personalisht, mendoj se ai që e ka stolin më të fortë, do jetë pretendenti kryesor për titullin. Sa për Teutën, ajo e tregoi që vjet, sepse u rendit në 3 vendet e para dhe sivjet po vazhdon punën e nisur që në sezonin e shkuar.

A mund ta dimë pse u larguat nga Teuta, plus që ka zëra se jeni larguar me qejfmbetje?

Një ditë para se të niseshim për fazën përgatitore që do ta zhvillonim në Korçë, papritur trajneri më komunikoi se nuk isha më pjesë e stafit të tij dhe më falënderoi për korrektësinë që kisha pasur. Njëkohësisht, me tha: “Në vendin tënd do të vijë një trajner tjetër nga Kroacia. E vetmja hatërmbetje nga unë është se në një punë nuk ka largim sot për nesër. Theksoj se deri në ditën që isha pjesë e Teutës, mendoja se isha krahu i djathtë i trajnerit. Atë ditë e kuptova që paskam qenë nga ana e majtë e trajnerit”.

Çfarë planesh ka Vrapi për vazhdimin e karrierës si trajner?

Planet e mia? Aktualisht jam i angazhuar në shkollën e mesme të mjeshtërisë sportive “Loro Boriçi” dhe besoj se në një të ardhme të afërt do të jem pjesë e Superiores, por në rolin e trajnerit këtë herë.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"