EKSKLUZIVE/ Thuajse i larguar! Pasues i Podolskit apo shok ekipi me Cikalleshin, ja ofertat për Çinarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2021 | 22:16

EKSKLUZIVE/ Thuajse i larguar! Pasues i Podolskit apo shok ekipi me Cikalleshin, ja ofertat për Çinarin

Eraldo Çinari mund të quhet i larguar nga Partizani në sezonin e ardhshëm. Bomberi shkodran, 24 vjeç, nuk po rinovon me të kuqtë dhe “Panorama Sport” zbulon dy ekipet turke që duan shërbimet e mëngjarashit në verë. Bëhet fjalë për Antaliasporin dhe Koniasporin. Të dyja skuadrat kanë shfaqur interes për sulmuesin dhe kanë bërë ofertat e tyre për Çinarin.

cinari-ndeshja

SKENARËT – Edhe vetë Çinari është pro një kalimi në një kampionat si ai turk dhe në merkaton e verës, pritet të nënshkruajë me një nga dy skuadrat. Në rast se Çinari firmos me Antaliasporin, do të ishte pasuesi i sulmuesit të njohur gjerman, Lukas Podolski. Edhe 35- vjeçarit i skadon kontrata me ekipin turk dhe do të largohet në verë. Gjithashtu, Çinari do të gjente te Antaliaspor një tjetër shqiptar, fantazistin Omar Imeri.

Aktualisht, Antaliaspor renditet në vendin e 12- të në kampionatin turk. Në rast se Çinari firmos për ekipin tjetër që dëshiron shërbimet e tij, Koniaspor, do t’u bashkohej tre shqiptarëve: Bytyqit, Dacit dhe sulmuesit të Kombëtares, Sokol Cikalleshit. Ekipi i Koniasporit renditet në vendin e 11-të në elitën e futbollit turk, një pozitë më lart se Antaliaspori.

HISTORIKU – Çinari ka tentuar dhe para tri vitesh që të transferohet në një kampionat jashtë Shqipërisë. Pasi shkëlqeu te Vllaznia, asokohe 21-vjeç, Çinari nënshkroi me ekipin e Alaveshit në Spanjë, për t’u larguar më pas tek ekipi kroat i Istras. Të gjitha këto lëvizje në verë të 2018-ës ishin të parregullta dhe Vllaznia nuk e lëshoi kartonin e sulmuesit, pasi nuk  kishte marrë paratë.

Si pasojë, Çinari u transferua te Partizani, duke nënshkruar për tri vite. Për këto parregullsi, Çinari u pezullua edhe me 4 muaj mungesë aktiviteti. Por, pas shlyerjes së dënimit, Çinari u rikthye për “demat” pikërisht për derbin më të fundit kundër Tiranës, ku arriti të shënonte golin e vetëm dhe të fitores për të kuqtë, në minutën e 83-të. Përveç Çinarit, dy oferta në tavolinë ka dhe sulmuesi tjetër i Partizanit, Jasir Asani. Me shumë gjasa, të dy këta futbollistë do të largohen sezonin e ardhshëm.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"