EKSKLUZIVE/ Theu rekord me debutimin në Serinë A, rrëfehet talenti shqiptar: Po të më matje tensionin në atë moment…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2019 | 20:44

EKSKLUZIVE/ Theu rekord me debutimin në Serinë A, rrëfehet talenti shqiptar: Po të më matje tensionin në atë moment…

Pas Igli Tares, Erjon Bogdanit, Lorik Canës, Tomas Strakosësh, Elseid Hysajt, Ledian Memushajt, Berat Gjimshitit e Përparim Hetemajt, një tjetër futbollist shqiptar ka prekur ëndrrën për të luajtur në Serinë A.

Ndrecka

Bëhet fjalë për Anxhelo Ndreckën, që pak ditë më parë debutoi si titullar në formacionin e ekipit të Kievos. 17- vjeçari ka thyer edhe një rekord, pasi bëhet futbollisti më i ri që luan në kampionatin italian për sezonin 2018-2019.

Talenti nga Kavaja është grumbulluar edhe nga Kombëtarja U-19 e Erion Bogdanit, duke u aktivizuar në dy sfidat kundër Rumaninë. Po cila është rruga që e çoi atë deri në majë? Çfarë emocionesh përjetoi Ndreçka, kujt ia dedikon këtë arritje dhe kush janë idhujt e tij? Të gjitha këto përgjigje na i jep vetë ai në intervistën ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”.

Cila është rruga që ka ndjekur Anxhelo Ndrecka për të shkuar deri te debutimi me Kievon?

Që në moshën 6-vjeçare, prindërit më çuan në ekipin e qytetit ku jetoja, Calcinato. Fillova të stërvitem me intensitet e më pas kalova te Bresha. Iu nënshtrova një testimi aty dhe nuk ishin pak, por tre vjet. Nga aty kalova në ekipin Dezencano, ku qëndrova deri në moshën 14-vjeçare. Me trajnerin Alberto Pasini mësova shumë.

Një ditë mora vesh se më kishin ndjekur vëzhguesit e Kievos dhe pas një testi 3-ditor u bëra pjesë e U-17 të ekipit veronez. Ishte emocion i madh për mua. Në fillim pata shumë vështirësi. Luajta vetëm 3 ndeshje në 8 përballjet e para. Roli ku luaja ishte mesfushor i avancuar, trekuartist. Mbrojtës i majtë luajta për herë të parë kundër Bergamos U-17, pasi u dëmtua një shok. Trajneri Davide Mandeli më tha: “Dil në nxehmje se do hysh në fushë”. Këtu nisi realisht karriera ime.

ndrecka67-97cf7ba52696d2769e755dba11603e42ebfaddfb18fe

Çfarë ndodhi më pas…?

Nga ai takim luajta gjithmonë titullar. Pas një turneu në Krema, ku merrnin pjesë Maribor, Atalanta, Flamengo, Kremoneze e të tjera ekipe. Dhe aty Kievo U-17 zuri vendin e 4-t. Më pas erdhi seleksionimi te Kievo U-19, ku pata fatin të isha pjesë e ekipit. Një ëndërr për mua, që u bë realitet e më gëzoi pa masë. Kujtimi më i bukur mbetet fitorja me Milanin U-19, ku unë u shpalla në 11- shen e Italisë për U-19.

Po kalimi tek ekipi i parë kur erdhi?

Gëzimin e parë e shijova kur në prag të takimit me Bolonjën më njoftuan se do udhëtoja me ekipin A. Nuk mund ta besoja. Trajneri Di Karlo më ka ndihmuar, mbështetur e mësuar shumë. Mora fanellën me numër “43”, pa e ditur se ai kishte qenë numri i Poloskit, një sulmues i shkëlqyer i Kievos. Pastaj erdhën takime të tjera në stol. Ai ndaj Napolit më ka entuziazmuar shumë, teksa shihja Hysajn të luante. E dini tashmë që më dhuroi fanellën e tij. “Forca Shqipe e suksese”, më tha. Fjalë që më ngritën zëmrën peshë. Kam 20 ditë që stërvitem me ekipin e parë, ku flasim çdo ditë shqip me Hetemajn, ndajmë emocionet e stërvitjes, ndeshjeve e shakatë.

Ndrecka2

Si e përjetuat debutimin në Kievo-Spal?

Pasi kisha provuar të jem në stol për disa takime, ëndrra u bë realitet. Në orën 16:15 të 4 majit, moment që nuk do ta harroj kurrë, më njoftuan se do luaja titullar ndaj Spalit. Të më matje tensionin në atë moment, besoj do se thyhej çdo aparat. Zemra po më dilte vendit. “O Zot të falënderoj”, ishte ajo çfarë belbëzoja në ato moment. Luajta 90 minuta të ëndrrës sime të plotësuar. Përtej humbjes, pas ndeshjes komplimentet që mora më bënë me krahë.

Po eksperienca në Kombëtaren U-19 si ishte?

Për çdo futbollist, të veshësh fanellën kuqezi është njësoj sikur të mbash veshur flamurin. Ishte një tjetër ëndërr e plotësuar. Luajta zëvendësues në ndeshjen e parë me Rumaninë, e titullar në të dytën. Në ato 7 ditë që isha i grumbulluar, çmoj jashtë mase stërvitjen e Bogdanit, kulturën e komunikimit të tij dhe harmoninë e motivimin e grupit. Me sa di, Kombëtarja U-19 është mbledhur dhe 2 herë të tjera tashmë me trajnerin Dede. Kam ndjekur deklaratat e tij se ka shumë lojtarë. Mua nuk më vjen keq që nuk jam thirrur përsëri. Secili trajner bën zgjedhjet e tij, që normalisht duhen respektuar. Unë do vijoj të punoj këtu te Kievo, duke besuar se do të vijë dhe dita ime.

Ka idhuj Anxhelo Ndrecka në Shqipëri apo Itali?

Nga futbollistët shqiptarë adhuroj Elseid Hysajn, për shpirtin, teknikën dhe vlerat që ka. Te Kievo admiroj De Paoli, që ka ardhur nga ekipet zinxhir të Kievos deri tek U-21 e Italisë. Më pëlqen shumë Kanselo i Juventusit, që luan në rolin tim.

Së fundi, a ke një dedikim?

Së pari, për babanë tim Bujarin dhe nënën time që prej 11 vitesh më kanë ndjekur, kujdesur e mbështesin kudo e në çdo gjë. Nuk mund të harroj të gjithë trajnerët që punuan e nuk u lodhën me mua, që nga mosha 6-vjeçare e deri tek i fundit, Di Karlo, pa i përmendur të gjithë me emra. Tani më mbetet mua “topi”, që me punë e djersë të justifikoj besimin, mbështetjen që të gjithë ma kanë dhënë pa kursim, prindërit, miqtë, trajnerët dhe shokët e ekipit.

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"