EKSKLUZIVE/ “Teuta merr edhe Superkupën”, Arapi kërkon trofeun e parë si drejtor: Rivaliteti me Vllazninë vazhdon…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2021 | 11:36

EKSKLUZIVE/ “Teuta merr edhe Superkupën”, Arapi kërkon trofeun e parë si drejtor: Rivaliteti me Vllazninë vazhdon…

Koha nuk premton, ndaj Teuta është e gjitha e përqendruar te Vllaznia. Durrsakët janë gati për sot, ditë kur do të luhet edhe finalja e Superkupës së Shqipërisë.

RENATO ARAPI

Skuadra e Edi Martinit kërkon që ta nisë me trofe këtë edicion. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 24 orë para kësaj ndeshjeje, ish-kapiteni, dhe aktualisht drejtori teknik i Teutës, Renato Arapi, ka folur mbi rëndësinë që ka kjo finale për Teutën, por edhe për nisjen e sezonit. Arapi shprehet se dëshira për të sjellë kupën në Durrës nuk është vetëm e tij, por e të gjithëve.

Si e shikoni Teutën, pas kaq shumë ndryshimesh?

Besoj që bashkë me afrimet e fundit që kemi bërë, jemi forcuar goxha. Me ardhjen e një lojtari tjetër që po e presim të vijë këto ditë, çdo pozicion është i dubluar.

Përse po bëhet traditë në vendin tonë që ekipi që del kampion ndryshon rrënjësisht, ndryshe nga Skënderbeu i kohëve të arta?

Të gjithë e dimë mirë që ndryshimet e shumta nuk i bëjnë mirë ekipit, por në shumë raste nuk varet vetëm nga njëra palë, në këtë rast e klubit ose lojtarit. Koha e Skënderbeut ishte ndryshe sepse ata lojtarë që kanë qenë baza e ekipit, kanë qenë të gjithë lojtarë liderë dhe kanë pasur njëfarë moshe.

arapi

Dhe kur ke një moshë relativisht të lartë, çdo lojtar nuk dëshiron që të bëjë shumë lëvizje, ndoshta edhe kur i ofron një klub tjetër një kontratë më të mirë. Aq më tepër kur e shikonin që ekipi çdo vit ishte pretendent për të fituar kampionati dhe kishte objektiva madhor në Kupat e Europës. Edhe te Skënderbeu, ka pasur lëvizje, por afrimet kanë qenë të studiuara mirë dhe shumë cilësore. Mos të harrojmë që kishte dhe një buxhet shumë të lartë në qoftë se do të flasim për kampionatin shqiptar.

Kjo Teutë është më e fortë apo më e dobët se sezonin e kaluar?

Personalisht mendoj që edhe afrimi i fundit që presim, arrin të përshtatet shpejt me grupin dhe do të kemi një ekip shumë të fortë dhe rivalizues. Tani në ekip është rritur ndjeshëm konkurrenca dhe kjo gjë i bën shumë mirë grupit. Për sa i përket “më i fortë” apo “më i dobët” se ekipi i vjetshëm kjo mbetet për t’u parë.

Si e parashikoni Superkupën dhe a mundet sërish Teuta të sfidojë Vllazninë?

Janë dy ekipe që kanë bërë goxha lëvizje në këtë merkato. Janë dy ekipe që kanë rivalizuar deri ditën e fundit në luftën për titull, gjë që besoj edhe nesër(sot) do të jetë e njëjta gjë.

Këtë finale e shikoni si zyrtar klubi. A e prisni që të fitoni trofeun e parë edhe si drejtues?

Shpresoj shumë që ta arrijmë këtë gjë, pasi te Teuta ne funksionojmë si një familje e madhe dhe padyshim fitimi i këtij trofeu simbolik do të na gëzonte të gjithëve.

Janë pak ditë që e keni lënë futbollin, por çfarë ka ndryshuar në jetën dhe regjimin tuaj?

Në fakt është shumë e vështirë sepse që në moshën 6-vjeçare kam filluar të merrem me futboll dhe tani vjen dita që del komplet nga ajo rutinë e përditshme dhe akoma jam në fazë ambientimi.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"