EKSKLUZIVE/ “Tani Dinamo sheh vetëm lart”, Denison: Me atë gol shpëtova ekipin dhe veten nga… gruaja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 4, 2024 | 8:35

EKSKLUZIVE/ “Tani Dinamo sheh vetëm lart”, Denison: Me atë gol shpëtova ekipin dhe veten nga… gruaja

Për të hequr gjithë atë mërzi nga radhët e dinamovitëve për atë ndeshje pa shumë emocione dhe me shumë mundësi me dy pikë të lëna, që në fund të kampionatit mund të kushtonin shumë, mendoi Denison.

Denison

Braziliani i Dinamos “shpiku” goditjen fituese në minutën e 3-të shtesë, duke mos i dhënë asnjë shans portierit kundërshtar për të shmangur golin 3- pikësh. Fitorja u festua si të ishte pas një finaleje në kampin blu, sepse tashmë, me vendin e 4-t në renditje, gjërat bëhen pak të lehta për pjesën finale të sezonit.

DENISON – Pas ndeshjes së djeshme, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, autori i 7 golave për kryeqytetasit në këtë kampionat u shpreh: “Ishte një gol i bukur vërtet, por më shumë ishte i rëndësishëm, sepse na ka dhënë 3 pikët që tashmë na ndryshojnë nivelin tonë. Kemi punuar shumë për këtë gjë. Tani situata ndryshon dhe mendoj se Dinamo mendon për gjëra pak më të mëdha. Ishte vërtet një gol i rëndësishëm dhe një fitore e rëndësishme për ne në një ndeshje të vështirë”.

DEDIKIMI – Më tej Denison tregon dedikimin special për bashkëshorten e tij për atë gol të bukur: “Po, po kam një dedikim special për atë gol. Është për bashkëshorten time. Ajo vjen gjithmonë në stadium dhe sa herë nuk shënoj, në shtëpi më ‘kërkon llogari’ pse nuk shënova. Sot (dje) shënova dhe tani ‘shpëtova’. Jam i qetë”, shprehet braziliani me nota humori.

NDESHJA – Pastaj një mendim për ndeshjen. “Të luash kundër Teutës është gjithmonë e vështirë, sepse ata kanë mbrojtës shumë të fortë. E kemi të vështirë t’i sulmojmë, të gjejmë hapësira, por falë Zotit shënuam në fund dhe morëm këto tri pikë, që na bëjnë të shohim përpara në vazhdim të kampionatit”, shprehet Denison.

VETËM LART – Në fund sulmuesi që luan sezonin e tretë me fanellën e Dinamos, thekson se tashmë skuadra duhet të shohë vetëm lart, pasi me pjesën poshtë të renditjes janë mbyllur llogaritë.

“Kanë mbetur edhe 7 ndeshje nga ky kampionat dhe është koha që të shohim për vendet e para dhe për të bërë gjëra më të mëdha, siç e thashë edhe në fillim. Më parë ne kemi parë për lart në renditje, por në të njëjtën kohë kemi parë edhe poshtë rrezikun. Tani mendoj se është ndryshe, duhet të shikojmë vetëm për të bërë më mirë, për të shkuar më lart”, ka përfunduar futbollisti nga vendi i sambës. Denison dhe Lorran janë dy titullarët brazilianët të Dinamos, lojtarë mjaft të rëndësishëm dhe që mungojnë shumë rrallë. Ata po japin kontributin e tyre për këtë sezon, që do të ishte mjaft i suksesshëm, nëse blutë do të shkonin në “Final 4”.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"