EKSKLUZIVE/ Stoli i Flamurtarit, zbardhen kandidatët. Ja porosia e Sinan Idrizit për drejtuesit e klubit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 1, 2024 | 10:22

EKSKLUZIVE/ Stoli i Flamurtarit, zbardhen kandidatët. Ja porosia e Sinan Idrizit për drejtuesit e klubit

Flamurtari është në kërkim të një trajneri. Pas shkarkimit të Dritan Resulit dhe stafit teknik, në Vlorë nuk duan që të nxitohen për një trajner të ri. Për arsye pune, Sinan Idrizit iu desh që vendimin e largimit të Resulit ta merrte në Turqi ku gjendet për arsye pune. Por po nga larg, kreu i klubit po mban kontakte me drejtuesit e klubit për gjetjen e trajnerit të ri.

Flamurtari

“Panorama Sport”, ka zbuluar se Idrizi ua ka lënë në dorë drejtuesve të klubit ta zgjedhin teknikun e ri brenda familjes. “Zgjidheni nga akademia trajnerin e ri. Gjeni një person që të jetë brenda familjes dhe të marrë përgjegjësi”. Kjo është çfarë ka kërkuar Idrizi në kontakt të ngushtë me drejtorin Alfred Ferko, sekretarin e klubit, Andi Ribaj si dhe anëtarë të bordit. Deri më tani nuk ka pasur një përfundim konkret, ndërsa me shumë gjasa mund të pritet edhe kthimi nga Turqia i Sinan Idrizit.

Megjithatë, ekziston edhe një plan B që Flamurtari të drejtohet për pjesën e mbetur të sezonit nga stafi aktual, çka do të thotë skuadra të drejtohet në mënyrë kolegjiale nga Alfred Ferko, Andi Ribaj dhe Luan Birçe. Treshja është duke stërvitur skuadrën këto dy ditë. Por stafit pritet që t’i bashkohet edhe Lejdi Liçaj. Gazeta mëson se Idrizi ka bërë prapakthehu nga vendimi për Liçajn, që me shumë gjasa i bashkohet sot përsëri skuadrës si zëvendës/ trajner. Ndërkaq qëndron në fuqi vendimi për zëvendës/ trajnerin Ditmar Bicaj.

KANDIDATËT Por pavarësisht se opsioni i parë i Sinan Idrizit mbetet një trajner brenda familjes ka edhe emra që po përfliten për të marrë drejtimin e Flamurtarit. “Panorama Sport”, zbulon disa nga kandidatët e mundshëm.

Një prej tyre është Eqerem Memushi. 58- vjeçari e ka drejtuar skuadrën si trajner në vitet 2006, 2007, 2008 dhe 2009. Ai e njeh mjaft mirë ambientin në Vlorë dhe së fundi është parë shpeshherë edhe në stadium. Ka eksperiencë të konsiderueshme si trajner pasi më parë ka drejtuar shumë skuadra si: Bylis, Tomorri, Apolonia, Naftëtari, Vora dhe Orikumi.

Edmond Liçaj, është një tjetër kandidat për stolin vlonjat. Ka qenë trajner i Flamurtarit në kohën kur klubi drejtohej nga Shpëtim Gjika. Por ka bashkëpunuar edhe me Sinan Idrizin teksa disa vite më parë kishte rolin e drejtorit në klub. Janë edhe kandidatë të tjerë në lojë.

Në klub po qarkullon edhe emri i ish-trajnerit të Apolonisë Veljko Dovedan. Serbi 69- vjeçar vjen më së shumti si i vetëofruar.

Jo vetëm kaq, por në Vlorë po qarkullojnë edhe emra të tjerë si ai i Bledar Devollit, Stavri Nicës i sapo larguar nga Kukësi, apo edhe i Migen Memellit dhe Ernest Gjokës.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"