EKSKLUZIVE/ “Shehi u prish punë, Tirana nuk po luan si ekip”, Toli: Triumfojnë bardheblutë, çmenduri të fitosh titullin në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 20:33

EKSKLUZIVE/ “Shehi u prish punë, Tirana nuk po luan si ekip”, Toli: Triumfojnë bardheblutë, çmenduri të fitosh titullin në derbi

Tirana dhe Ardit Toli, një binom, i cili nuk harrohet lehtë nga tifozët bardheblu. Lojtari i Shpresave që erdhi pas pandemisë, te bardheblutë, gjatë dy viteve që qëndroi ishte nga më të mirët në fushën e lojës. “Diga” e mesfushës, por edhe polivalenti, Arditi pa fjalë, ishte titullar në skuadrën e Shehit, e cila doli kampione me dhjetë pikë më shumë se e dyta, në sezonin 2021-2022.

ardit toli

Pas atij kampionati, Toli u transferua në Ukrainë dhe firmosi për Vorsklën, së bashku me Taulant Seferin dhe Enur Totren. Pas dy viteve “legjionar”, mesfushori kthehet të flasë ekskluzivisht për “Panorama Sport” lidhur me derbin dhe Tiranën. Toli thekson se fituesja e të premtes do të jetë Tirana, sepse ka më shumë cilësi sesa të kuqtë, por nga ana tjetër paralajmëroi Ahmatajn, se Shehi e njeh mirë ish-skuadrën e tij dhe ky do të jetë problemi kryesor i 26 herë kampionëve të Shqipërisë.

Ardit, pas dy viteve larg Tiranës, si po ju shkon aventura jashtë Shqipërisë?
Aventura që nisa dy vite më parë nuk është se më ka shkuar mirë. Kalona një dëmtim të rëndë. Këputa ligamentin që më la shumë kohë jashtë. Tani jam rikuperuar plotësisht dhe jam duke u stërvitur me ekipin. Falë Zotit, pas traumës gjërat po shkojnë mirë.

Gjatë kësaj kohe larg Shqipërisë, a e keni ndjekur Tiranën dhe çfarë mendimi keni për skuadrën bardheblu?
Normalisht, kur kam mundësi e ndjek kampionatin shqiptar. Në veçanti ekipin e Tiranës. Skuadrën bardheblu e shoh mirë. Shoh te Tirana një grup me shumë kualitet, por nuk e shoh të punojnë si ekip. Këtu e kanë problemin. Cilësinë e ka të lartë, dhe kjo duket fakti që kanë marrë shumë pikë në minutat e fundit. Janë skuadër me ego, pasi kanë marrë 15 pikë në minutat e fundit.

Ju e keni luajtur derbin si bardheblu, por si e parashikon këtë ndeshje?
Unë mendoj se do të jetë ndeshje derbi shumë e fortë. Në këtë moment që flasim, të dyja ekipet nuk vinë në gjendjen më të mirë të mundshme. Gjithsesi, një derbi i fituar mund të ndryshojë gjithë situatën në skuadër dhe sigurisht, rrjedhën e kampionatit. Të dyja skuadrat i shoh që do të hyjnë në fushë veçse për fitore. Do të shohim një ndeshje shumë të fortë.

Tirana do të ketë përballë Orges Shehin, trajner i Partizanit. Është avantazh apo disavantazh për bardheblutë?
Do të jetë avantazh për trajnerin Orges Shehi. Për Tiranën do të jetë disavantazh, sepse trajneri i njeh lojtarët. Trajneri Shehi i njeh avantazhet dhe disavantazhet e skuadrës dhe grupit që do të ketë përballë. Besoj se e di se ku mund të godasë dhe ku mund të ruhet. Nga ana tjetër, një derbi vendoset më shumë nga dëshira dhe uria që kanë lojtarët për ta fituar takimin.

Ju keni qenë kampion me Tiranën, keni luajtur dhe fituar derbin. Ai që e ka provuar thotë që është diçka e veçantë, apo jo?
E veçantë është që ta luash, e veçantë është që ta fitosh, e veçantë është të shënosh gol. Sidomos për tifozët. Ajo kënaqësi, ajo gjendje shpirtërore që merr skuadra të jep një marsh më shumë. Nuk ka futbollist shqiptar që nuk do ta luajë derbin e kryeqytetit.

Çfarë duhet të bëjë Tirana që ta fitojë derbin?
Tirana në këtë sfidë duhet të tregojë më shumë dëshirë. Kualitetin e ka në ekip. Ka futbollistë që e kanë qetësinë para portës. Jam i bindur që Tirana e mund Partizanin në derbi.

Cilat janë kujtimet më të bukura me Tiranën?
Momente të bukura te Tirana ka pasur sa të duash. Më i veçanti është kur fituam derbin me Partizanin dhe dolëm matematikisht kampionë të Shqipërisë. Një çmenduri më vete. Një kujtim që do ta mbaj gjithmonë me vete. Ndoshta momenti më pikant në karrierën futbollistike.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"