EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e largimit të Resulit nga Flamurtari, zbardhet përplasja me drejtuesit: Nuk vazhdohet më! Do të iki sepse…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2022 | 14:40

EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e largimit të Resulit nga Flamurtari, zbardhet përplasja me drejtuesit: Nuk vazhdohet më! Do të iki sepse…

Luzi bën mrekullinë në Vlorë, teksa thyen Flamurtarin me përmbysje 1-2 dhe shkakton “tërmet” në klubin kuqezi.

DRITAN RESULI

Në ndeshjen debutuese në Kategorinë e Parë, skuadra nga fshati me të njëjtin emër afër qytetit të Kavajës, ka arritur një fitore historike dhe plotësisht të merituar.

Pas ndeshjes është larguar nga drejtimi i vlonjatëve trajneri Dritan Resuli, duke konfirmuar pasojat e kësaj humbjeje.

NDESHJA – Loja nis e vrullshme për vlonjatët, që rrezikojnë me brazilianin Fernando dos Santos, i cili godet traversën.

Luzi përgjigjet me kapitenin Ferraj, që lëshon një predhë nga jashtë zone, por pret Moçka.

Mesfushori Indio Oliveira dhe qendërmbrojtësi Ditmar Bicaj i afrohen golit, ndërsa në minutën e 32-të gjyqtari akordon penallti për Flamurtarin.

Mirëpo, pas konsultimit me anësorin, kryesori Prenga e anulon 11-metërshin, duke e konsideruar ndërhyrjen e portierit Varfi ndaj Oliveirës si të rregullt.

FL (1)

Pjesa e parë mbyllet 0-0 dhe me një rast të pastër të mbrojtësit të majtë, Siliu.

Pas pushimit kuqezinjtë futen të karikuar në fushë dhe është minuta e 49-të, kur braziliani Oliveira fut një top në zonë, ndërsa Metani e ul për sulmuesin Kamarago, që nuk e ka të vështirë të kalojë vlonjatët në avantazh.

Flamurtari çlirohet dhe i afrohet golit të dytë më pas me të sapofuturin Juri dhe Bicajn.

Në momentin më të mirë të vlonjatëve, Luzi godet falë zëvendësimeve të trajnerit Pashja.

Në minutën e 78-të, i sapofuturi Çuçka barazon shifrat pas kombinimit me Spahiun.

Te Flamurtari nuk u besojnë syve, por kanë edhe fatin kundër, pasi Fernando godet shtyllën.

Në minutën e 81-të, Luzi bën përmbysjen e madhe, teksa Dushaj futet bukur në zonë, driblon Shkallën dhe shënon.

Vlonjatët bëjnë përpjekje për të barazuar, por miqtë mbrohen mirë dhe ruajnë rezultatin, duke marrë tri pikë të arta në transfertë.

TRAJNERI – Dritan Resuli nuk e përtypi dot situatën pas humbjes ndaj Luzit dhe menjëherë sapo u fut në dhomat e zhveshjes, takoi lojtarët dhe i përshëndeti për herë të fundit.

“Do të largohem, sepse ka ndërhyrje.

Nuk vazhdohet më kështu, ju e shikoni vetë! Faleminderit për bashkëpunimin”, mësohet të ketë thënë Resuli në dhomat e zhveshjes para ekipit.

Trajneri nuk pranoi të prononcohej për gazetën, por “Panorama Sport” mëson se përplasjet me drejtuesit e kanë zanafillën te merkatoja e bërë.

Lojtarët e afruar në verë duket se nuk e bindin stafin, por kulmi ka qenë edhe gjatë ndeshjes së fundit.

Mësohet se Resuli ka pasur përplasje me drejtorin Alfred Ferko sa u përket lojtarëve që do të luanin si titullarë dhe atyre që u futen në pjesën e dytë.

E gjithë kjo situatë ka detyruar trajnerin të japë dorëheqjen.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Plas te Flamurtari pas humbjes me Luzin, trajneri Resuli merr vendim

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"