EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e dhunës në Kamzë, delegati: Na prenë në besë, mjaftonte një fishkëllimë e Qarrit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2019 | 22:55

EKSKLUZIVE/ Prapaskenat e dhunës në Kamzë, delegati: Na prenë në besë, mjaftonte një fishkëllimë e Qarrit…

Millan Baçi ka për jetuar një nga ditët më të vështira në futboll. Ish-futbollisti i Tiranës, dje ishte delegat i FSHFsë në ndeshjen Kamza-Laçi 1- 1. Ai thotë se në një ndeshje pa tension për 95 minuta, papritur iu desh të përjetonte makthe dhe të luftonte edhe fizikisht për t’i shpëtuar jetën arbitrit Eldorian Hamiti.

Dhuna ne kamze eldorjan hamiti qarri

“Ishte edhe një pabesi ajo që ndodhi. Miqtë me në krye presidentin Naim Qarri na morën përsipër se do të kujdeseshin e gjërat do të shkonin mirë, por papritur i pamë të hynin në fushë dhe të dhunonin”, rrëfen Millan Baçi për “Panorama Sport”.

Pse nisi sherri në Kamzë?

Nuk e di saktësisht. Vendësit protestuan për një penallti kundër tyre në fund, por ajo që ndodhi ishte e paimagjinueshme. Nuk mundet të bësh ato gjëra në futbollin profesionist.

Dhuna ne kamze eldorjan hamiti qarri
A pati tension para dhe gjatë ndeshjes?

Asnjë tension. Bëmë mbledhjen e zakonshëm me zyrtarët e klubeve. Përfaqësuesi i Kamzës, Albert Bana, firmosi shkresën se klubi vendës merrte përsipër sigurinë e stadiumit dhe gjithçka nisi normalisht.

A ishin mjaftueshëm stjuartë para se të fillonte kjo ndeshje?

Eh… Nuk kishte shumë njerëz në fakt. Vetëm tribuna qendrore kishte tifozë dhe pjesa tjetër më shumë ishin jashtë rrethimit.

Dakord, por sa stjuartë kishte për këtë ndeshje?

Ishin 16 në mos gaboj.

A garantohet siguria e një ndeshjeje vetëm me 16 stjuartë?

Shikoni, menduam që gjërat do të shkonim mirë. Ju siguroj se edhe më shumë po të ishin, nëse dikush planifikon të hyjë në fushë, kjo ndodh. Fundja, po flasim për stadiumet shqiptare, që janë në atë gjendje që janë…

Po thoni se invadimi i fushës në fund dhe rrahja e arbitrit Hamiti ishte e planifikuar?

Po them që ata njerëzit që hynë në fushë dilnin jashtë vetëm me një fishkëllimë të Naim Qarrit, por presidenti i Kamzës për fat të keq, u bë edhe vetë protagonist për keq. Ishte skandaloze.

Si hynë tifozët në fushë?

Hynë nga dera. Ky është problemi. Stjuartët u hapën derën sepse ata filluan t’i binin me shkelma. Tifozët nuk kapërcyen gardhe. Hynë nga dera… Kjo është pabesi për mua, sepse drejtuesit e klubit vendës na patën garantuar siguri, por në fakt bënë të kundërtën.

gur hamiti dhune ne kamze

 Po polici, a kishte?

Jo, policia ishte jashtë. Ishin disa policë të thjeshtë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Por ishin pak vetë. Tani kjo puna e policisë është një problem më vete, problem shumë i madh mendoj unë. Nuk mund të braktiset kështu futbolli. Nuk ka kuptim që policia të thotë: “ne nuk po hyjmë në stadium, por qëndrojmë jashtë. Po patët ndonjë problem, telefononi te 112-ta…” Pra, ata e shohin që ndodh sherr brenda dhe nuk ndërhyjnë, sepse duhet të telefonosh 112-ën…! Kjo nuk ka kuptim.

Po ju dje, i telefonuat 112- ës?

Po më thoni pak çfarë të bëja më parë? Unë isha duke mbrojtur arbitrin dhe u përpoqa sa munda që të ndaloja agresorët. Si mund të nxirrja telefonin në atë situatë dhe të telefonoja urgjencën e policisë? Këto ndodhin vetëm këtu. Policia e sheh çfarë ndodh dhe duhet të ndërhyjë menjëherë, me gjithë potencialin e saj.

A ndërhyu në kohë policia në Kamzë?

Jo, u vonua. Edhe pastaj, ju i patë vetë veprimet e policëve kur ata hynë. Nuk kanë shumë koment.

A u gjakos Hamiti?

Jo, më së shumti kishte hematoma pas kokës. Fatkeqësi e madhe, sepse rrezikoi shumë. Rrezikoi ai, por të gjithë ne.

Çfarë ju thanë drejtuesit e Kamzës kur u afruan te ju?

I kërkova Qarrit që të përpiqej të frenonte tifozët, me bindjen se atë e dëgjonin. Ai ndërkohë më kërkonte llogari dhe ankohej për penalltinë e dhënë në fund. I thashë se nuk ishte koha dhe vendi për ta bërë atë diskutim, por duhej të frenonim njerëzit që kishin hyrë në fushë dhe mbanin në duar sende nga më të ndryshmet. Madje, në një moment i besova sërish sigurinë e arbitrit, por edhe aty shfaqi pabesi…

Në ç’kuptim?

Qarri u afrua dhe u duk se po përpiqej të mbronte gjyqtarin me trup nga agresorët. Unë kisha kthyer kokën dhe po përpiqesha të reagoja ndaj dhunuesve të tjerë. Por pashë nga pamjet më pas se Qarri bënte sikur e mbronte gjyqtarin, por e kishte goditur edhe vetë. Turp i madh.

Çfarë ndodhi më pas?

U kërkova stjuartëve dhe atyre pak policëve që të krijonin një perimetër rreth arbitrit dhe të mos largoheshin në ndjekje të agresorëve, sepse kështu krijoheshin hapësira. Gjetëm një vend afër portës dhe pritëm sa policia pastroi disi fushën.

A ju ndihmoi dikush nga kampi i Kamzës?

Na ndihmoi trajneri Stojku. U tregua shumë njerëzor. Të tjerët që na ndihmuan ishin Orelesi, Bonani dhe Plaku. Kaq mbaj mend.

Po pastaj?

Pastaj shkuam në dhomat e zhveshjes. Siguruam arbitrat dhe skuadrën e Laçit dhe më pas pritëm që të vinin forcat speciale. Na u desh të prisnim ca, sepse nuk erdhën edhe aq shpejt. U vonuan. Nuk e di pse u vonuan.

Çfarë ndodhte gjatë atyre minutave që ishit te dhomat e zhveshjes?

I vendosëm akull Hamitit pas kokës dhe u përpoqëm që të qetësosheshim edhe vetë, sepse natyrisht u tronditëm.

Po më pas, çfarë ndodhi?

Shkuam në Komisariatin Nr.5 dhe bëmë kallëzim. Kush bëri kallëzim? Gjyqtarët, unë dhe vëzhguesi.

Çfarë prisni në të ardhmen?

Shpresoj shumë që të ketë reflektim nga ana e policisë.

Si e përjetoi familja juaj?

Ankth i madh. Përjetuan edhe ata tmerr. Nëna ime është 90 vjeç dhe shikon pothuajse të gjitha ndeshjet e Superiores ku unë jam delegat. Imagjinoni çfarë ka përjetuar. Më telefononin të afërm të merakosur dhe të shqetësuar. Çfarë t’u thosha?

Çfarë do të bëni nesër (sot)?

Do të flas me sekretarin e përgjithshëm, Ilir Shulkun, dhe do t’i kërkoj atij me këmbëngulje që të ketë hapa konkretë në të ardhmen dhe të rishikohet çështja e policisë nga ana e qeverisë. Ndryshe, nuk do mjaftojë më pasioni për ta bërë këtë punë…

JETMIR HALILAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"