EKSKLUZIVE/ Prapaskena me Kalenë, Kukësi i kërkon Flamurtarit 30 mijë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2018 | 21:30

EKSKLUZIVE/ Prapaskena me Kalenë, Kukësi i kërkon Flamurtarit 30 mijë euro

Zhvillime të reja për çështjen e Elton Kalesë. Braziliani që prej katër muajsh pret të mësojë të ardhmen, teksa ende po stërvitet me vlonjatët, duket se më në fund do të buzëqeshë. FSHF nuk i dha një zgjidhje, edhe FIFA po vonon, ndërsa “kërcënimet” e klubit vlonjat për ta çuar çështjen në prokurori duket se kanë mbetur në kuadrin e fjalëve. Gjithsesi, “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se në orët e fundit klubet kanë diskutuar për të gjetur një mënyrë që lojtari të mos qëndrojë në “ajër”. Gazeta mëson se Kukësi është i gatshëm t’i japë lejen e kalimit brazilianit dhe ky i fundit të aktivizohet te Flamurtari nëse klubi vlonjat jep 30 mijë euro.

kale vlore

Negociatat mes palëve janë në një fazë të avancuar dhe pritet që të ketë një marrëveshje. Kukësi ka kërkuar që përveç 30 mijë eurove nga Flamurtari, të marrë edhe një dëmshpërblim nga vetë lojtari që shkon 20 mijë euro. Këtu duket se palët ndahen, por gjithsesi mbetet për t’u parë.

KRITIKAT E DAJËS- Trajneri i Flamurtarit ka mbetur tejet i zh gënjyer nga barazimi me Luftëtarin dhe u ka bërë të qartë lojtarëve se asnjë prej tyre nuk është i paprekshëm. Gjatë analizës së mbajtur pas ndeshjes me gjirokastritët, si dhe përpara ndeshjes me Skënderbeun, trajneri Daja u ka bërë “dush të ftohtë” lojtarëve. “Me Luftëtarin zhvilluam një lojë të dobët. Nuk dilni dot në sulm dhe ky fakt mua më shqetëson.

Nuk po bëni lojën që realisht duhet të jepni në fushë. E shikoj që kemi shumë punë përpara për të bërë. Në pjesën e parë të ndeshjes ishim shumë dobët, ndërsa në pjesën e dytë nuk shkuam dot në sulm. Të gjithë duhet që të marrin përsipër përgjegjësitë që kemi që nga unë i pari. Mua më shqetëson vazhdimësia, çfarë duhet të bëjmë. Na duhet vazhdimësi, pasi duhet të marrim sa më shumë pikë për arritjen e objektivave. Nëse nuk marrim pikë, atëherë nuk kemi gjë në vijë. Ndaj ju them se asnjë prej jush nuk e ka të sigurt vendin në formacion nëse do të vijomë kështu.

kale

Do t’u jap mundësi edhe lojtarëve të tjerë për të treguar veten e tyre, kështu që duhet shumë punë nga të gjithë ju”, u ka thënë fillimisht Daja lojtarëve. Trajneri gjatë analizës ka pasur kritika për të gjitha repartet, por edhe për lojtarë të veçantë. Sipas trajnerit, lojtarët titullarë duhet që të marrin më shumë përgjegjësi.

“Duhet të mbani më shumë përgjegjësi. Lojtarë si Bushiç, Alvesh, Torasa, Musta, Pollozhani e gjithë ju të tjerët duhet të bëni më shumë. Duhet të jeni edhe më agresivë për të penguar pasimet e kundërshtarit. I pakënaqur jam edhe nga mesfusha. Nuk ka freski, nuk e di çfarë keni. Duhet të jepni më shumë që nga porta, mbrojtja, mesfusha dhe sulmi. Duhet të prodhoni lojë dhe gola. Duhet qëndrueshmëri, gjë që ju nuk e keni. Nëse vazhdojmë kështu, s’kemi gjë në vijë për të arritur objektivat”, mësohet se është shprehur Daja.

Flamurtari

SKËNDERBEU-Ilir Daja ka kërkuar kthesën në takimin me Skënderbeun. “Na duhet kthesa me Skënderbeun. I dimë vështirësitë e takimit, e njohim edhe kundërshtarin. Duhet që të jeni të qetë psikologjikisht për të bërë më të mirën në këtë ndeshje dhe të marrim fitoren. Ndaj të hyjmë në fushë me respektin më të madh për veten dhe jo të mbivlerësojmë kundërshtarin. Të gjithë presin kthesën nga ne dhe kjo duhet që të vijë qysh në ndeshjen e radhës”, është shprehur Daja.

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"