EKSKLUZIVE/ Po shkëlqejnë këtë sezon, Skënderbeu i blen përfundimisht dy lojtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2024 | 21:41

EKSKLUZIVE/ Po shkëlqejnë këtë sezon, Skënderbeu i blen përfundimisht dy lojtarët

Presidenti Ardjan Takaj vijon të surprizojë sa i takon menaxhimit të lojtarëve dhe administrimit të klubit.

skenderbeu

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se bardhekuqtë kanë arritur të marrin zyrtarisht kartonin e plotë të dy futbollistëve që po shkëlqejnë këtë sezon. Bëhet fjalë për Ermir Rashicën dhe Mario Rabiun. Të dy lojtarët fillimisht kanë mbërritur si të huazuar te Skënderbeu nga Trepça ‘89 në Kosovë dhe Viterbese në Itali, por më pas korçarët kanë bërë të pamundurën për të siguruar kartonin e plotë. Dhe tashmë ia kanë arritur qëllimit, duke siguruar plotësisht shërbimin e sulmuesit kosovar dhe mesfushorit afrikan. Një lëvizje e zgjuar kjo e klubit bardhekuq, që vijon të befasojë këtë sezon, pas dështimeve të shumta që ka pasur në merkato prej disa vitesh.

TRANSFERIMET – Pas largimit të Frenklin duket se në Korçë janë bërë gati për të tjera tratativa për të forcuar financat në klub. Burime të sigurta bëjnë me dije për “Panorama Sport” se pas ganezit janë edhe 4 lojtarë të tjerë, për të cilat ka bisedime të hapura për një shitje të mundshme. Korçarët janë në bisedime të avancuara për transferimin në klube të huaja të Mario Rabiut, Dean Liços, Ermir Rashicës dhe Ardit Nikajt. Të katër këta lojtarë janë në ‘lupën’ e klubeve të tjera europiane dhe nuk do të ishte çudi që dy prej tyre të transferohen në sesionin e ardhshëm të merkatos. Kjo do të sillte jo vetëm financa të sigurta në kampin korçar, por edhe mundësi për të ndërtuar një ekip më të fortë dhe me lojtare me më shumë eksperiencë për sezonin e ardhshëm.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"