EKSKLUZIVE/ “Peng që nuk fituam në Elbasan, por do ta bëjmë sot”, Duro: Ja pse besoj te kualifikimi i Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2022 | 12:24

EKSKLUZIVE/ “Peng që nuk fituam në Elbasan, por do ta bëjmë sot”, Duro: Ja pse besoj te kualifikimi i Laçit

Laçi do të kërkojë fitoren në ndeshjen e kthimit ndaj malazezëve të Iskra Danilovgrad, sot në orën 21:00, në stadiumin “DG Arena” të Podgoricës. Pas stërvitjes së fundit në tokën malazeze, trajneri Shpëtim Duro foli me optimizëm për “Panorama Sport” rreth asaj që e pret skuadrën e tij në këtë transfertë vendimtare për të kaluar turin e parë në Ligën e Konferencës. Barazimi 0-0 në ndeshjen e parë në “Elbasan Arena” e mërziti jo pak Duron, por ai beson se me grupin e lojtarëve që ka në dispozicion, do ta kalojnë turin e parë. Trajneri është i kënaqur për faktin se do të ketë të gjithë grupin në dispozicion, në një kohë që nuk pritet të bëjë asnjë ndryshim sa i përket formacionit. 62-vjeçari mendon se është momenti që lojtarë me tipare ofensive, si: Mentor Mazrekaj, Dejan Zarubica, Adeleke Akiniemi dhe sulmuesi kryesor, Saliu Guindo, të bëjnë diferencën ndaj Iskrës.

SHPETIM DURO

Profesor, tani që e njihni më mirë Iskrën, ka diçka që ju ka mbetur peng nga ndeshja e parë?

Patjetër që e njohim shumë mirë kundërshtarin, paçka se ndeshja e parë nuk shkoi ashtu siç e kishim parashikuar ne. Sigurisht, jemi një moment që edhe Iskra e njeh Laçin më mirë si skuadër. Peng më ka mbetur që nuk e fituam dot ndeshjen e parë, pasi do të ishte shumë pozitive për të shkuar në Mal të Zi më të qetë.

Guxuat duke luajtur me katër lojtarë ofensivë në ndeshjen e parë, por goli mungoi. A mund të jetë ky takim i kthimit më i lehtë për Mazrekajn, Zarubicën, Adeleken dhe Guindon?

E vërteta është që kemi luajtur me katër sulmues ndaj Iskrës. Natyrisht Guindo është sulmues i parë, por që luan edhe si sulmues i dytë. Nuk arritëm të shënonim, pavarësisht rasteve që krijuam. Megjithatë, nuk është e thënë se ke futur shumë sulmues në fushë dhe medoemos do të shënosh. E rëndësishme është rendimenti dhe se si alternohen këta lojtarë në fushë për të dalë përpara portës.

Fakti që në letër është një kundërshtar i kalueshëm, mos ndoshta vetë lojtarët e Laçit morën pak lehtë Iskrën që në sfidën e parë?

Çdo ndeshje ka karakteristika e veta. Tashmë ky takim i kthimit do të ketë një tjetër interpretim, pasi luajmë në transfertë. Në letër jemi ne favoritë, por në futboll duhet të vlerësosh çdo kundërshtar. Të gjithë dinë të luajnë mirë futboll në kohën e sotme. Cilësitë që kemi si ekip duhet t’i shprehim në fushë për të kaluar këtë tur. Nuk mendoj aspak se lojtarët dhe ne si staf e kemi marrë të lehtë ndaj Iskrës. Ai takim na u bë i vështirë për mënyrën se si luante ekipi malazez. Sigurisht, rastet për shënim i patëm, por nuk ditëm t’i konkretizonim.

Ka diçka që ju shqetëson në prag të kësaj ndeshjeje?

Jo, skuadra është e plotë ashtu si në takimin e parë në Elbasan.

Si do ta zgjidhni çështjen e mesfushës, prisni ndonjë lojtar apo është e vështirë edhe për klubin të gjejë elementë cilësorë në këtë moment?

Në këtë moment nuk mendojmë fare për ndonjë afrim, pasi fokusi është 100% te ndeshja e kthimit me Iskrën. Është e rëndësishme shumë që të kualifikohemi. Duhet të jemi të përqendruar maksimalisht në fushë.

Sa besim keni te kalimi i turit dhe përsëritja e suksesit të edicionit të kaluar?

Patjetër që kemi besim. Megjithatë, siç e theksova edhe më lart, këtë besim dhe cilësi që kemi në skuadër, duhet ta shprehim në fushën e lojës. Lojtarët duhet të interpretojnë sa më mirë atë që u kam kërkuar dhe, mbi të gjitha, të kenë një përkushtim më të madh se në ndeshjen e parë.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"