EKSKLUZIVE/ “Nuk u acarova vetëm unë ndaj Dinamos”, Memushi analizon Flamurtarin: Longo ekspert, por është zgjedhje e vonuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 29, 2023 | 15:49

EKSKLUZIVE/ “Nuk u acarova vetëm unë ndaj Dinamos”, Memushi analizon Flamurtarin: Longo ekspert, por është zgjedhje e vonuar

Eqerem Memushi mendon se Diego Longo ishte zgjedhja e duhur për Flamurtarin, ndonëse e quan të vonuar. Nuk është se ka kritika për Marcelo Troisin, por evidenton se prej javësh ekipi nuk po i përgjigjej me lojë e rezultate.

eqerem memushi

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri thotë se skuadra ka lënë pikë të rëndësishme rrugës. I acaruar vazhdon të jetë me gjykimin në ndeshjen ndaj Dinamos, ndërsa hapur e thotë që ngjitja nuk do të diskutohet. Nuk kishte si të mos fliste edhe për derbin e së dielës me Orikun, që e sheh të fituar nga kuqezinjtë.

Flamurtari me trajner të ri. Si e shikon Memushi këtë zgjedhje?
Nga rezultatet dhe nga mënyra se si po ecte skuadra, nuk mund të themi se Troisi bëri një punë të keqe. Por kemi lënë disa pikë të domosdoshme rrugës për ecurinë e skuadrës. Mendoj që këtë ndryshim duhet ta kishin bërë pak më parë, para ndeshjes me Dinamon. Një ndërrim duhej, sepse edhe skuadra nuk po përgjigjej si me rezultatin ashtu edhe me lojën. Nuk kemi bërë ato lojërat e mëparshme. Kemi parë edhe ndeshje të bukura. Pas pushimit nga ndërprerja e kampionatit, skuadra po më dukej jo shumë e karikuar dhe jo shumë entuziaste.

Keni një vlerësim për trajnerin e ri, Diego Longo?
E kam ndjekur. Longo është një zgjedhje e mirë. I uroj suksese dhe të na çojë në Superiore. Vjet kur ka drejtuar Kukësin, ai ekip mua më ka lënë përshtypje për mënyrën e të luajturit. Është një trajner ekspert dhe ka qenë edhe ndihmës i Luçeskut me Shahktarin dhe ka fituar eksperiencë. Në futbollin shqiptar bëri një sezon të mirë, e njeh mirë dhe tani është me këmbë në tokë.

Pas ndeshjes me Dinamon edhe ju u shfaqet i acaruar. Çfarë nuk shkoi?
Nuk u acarova vetëm unë. Aty u acarua gjithë ai publik, që me zor arritëm ta mblidhnim. Ishin 6 mijë tifozë, një shifër që e kanë skuadrat në Superiore dhe jo Kategoria e Parë. Gjykimi ishte skandaloz.

Ndihmoi në rezultat?
Ndikoi direkt në rezultat. Flamurtari nuk ishte në lartësinë e duhur, por në fund fare gjyqtari u bë faktor dhe ndikoi direkt. Më parë ne kishim dy penallti për skuadrën tonë, një që ishte flagrante, prekja me dorë në pjesën e parë. Kudo në çdo vend të Europës dhe Botës do të ndëshkohej me 11-metërsh. Edhe në pjesën e dytë ishte faull brenda zonës nga krahu i majtë. Mendoj se gjyqtari ishte faktor. Nuk mund të sjellësh gjyqtarë si ai në një ndeshje elite, si Flamurtari dhe Dinamo. Këta kanë sjellë gjyqtarë të mirë në Kategorinë e Dytë, si Labëria-Butrinti, ku ishte Xhaja, jo në një takim si Flamurtari-Dinamo, më i rëndësishmi i sezonit.

Këtë javë kemi derbi, Flamurtari luan me Orikun. Si e shikoni?
Janë dy skuadrat që kërkojnë tri pikët. Orikasit kërkojnë mbijetesën, Flamurtari elitën. Nëse ne fitojmë tri pikët në Orikum, jemi 100% në Superiore, e garantuar kjo. Por nuk duhet të bëjmë gabimin që bëmë me Dinamon në fushën tonë. Skuadra u përgatit, por ndryshimi i trajnerit… janë shumë faktorë pse duhet ta fitojmë.

Për cilën skuadër bëni tifo në atë ndeshje?
Unë tifo bëj për Flamurtarin dhe asnjë skuadër tjetër. Kudo që të jem dhe kudo që të shkoj. Shpirti dhe zemra ime është kuqezi.

Flamurtari mbushi 100 vjeç…
E festuam edhe 100-vjetorin. Ishte një pjesëmarrje e mirë. I falënderoj edhe organizatorët. Mundësia ishte që të bëhej edhe më bukur. Duhet të kishte pak më shumë publicitet nga të gjithë dhe pjesëmarrje më të madhe.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"