EKSKLUZIVE/ Nuk shihet titullar, mbrojtësi braktis fazën përgatitore dhe mediton largimin nga Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2023 | 14:38

EKSKLUZIVE/ Nuk shihet titullar, mbrojtësi braktis fazën përgatitore dhe mediton largimin nga Flamurtari

Pas Andri Stafës, një tjetër largim në hori zont te Flamurtari. Ermal Vitija ka lënë Korçën orët e fundit. Kosovari ka ikur papritur nga faza përgatitore duke ngjallur dyshime për një “divorc” të tij me kuqezinjtë. “Panorama Sport” zbulon se gjasat janë që ky largim të ketë ardhur për shkak të mundësive të pakta që ka për Vitijën në formacion.

ermal vitija

Duke qenë se skuadra tashmë është rikonfiguruar dhe gjatë ndeshjeve miqësore nuk ka pasur hapësirat e nevojshme, kosovari duket se ka menduar që të largohet pa filluar kampionati dhe sa nuk është vonë ndoshta për të parë një tjetër mundësi.

Largimi i prishtinasit nga vendgrumbullimi ka qenë i qetë dhe pa polemika apo debate. Ermal Vitija ikën dy ditë përpara se të mbyllet faza përgatitore në Korçë, e cila merr fund sot. Ky udhëtim dhe i vetëm drejt Vlorës e jo me skuadrën, ka ngjallur dyshime se mbrojtësi i majtë po mediton largimin. 22-vjeçari u bë pjesë e Flamurtarit në janarin e këtij viti.

Ai erdhi si huazim nga Prishtina, ndërsa ka luajtur edhe për Dukagjinin. Vitija iu bashkua Flamurtarit bashkë me bashkëpatriotin e tij, Bardh Bylykbashi, por klubi me këtë të fundit i ndau rrugët sapo u mbyll sezoni.

REAGIMI – Për të qenë korrektë dhe transparentë, “Panorama Sport” kontaktoi Ermal Vitijën. Por kosovari “driblon” në përgjigje, teksa shprehet: “Nuk kam ikur. Kam pasur një dëmtim dhe kam shkuar të bëj një rezonancë”.

Por gazeta u interesua pranë skuadrës nëse kosovari ka pësuar ndonjë dëmtim. Në fakt, asnjë nuk e konfirmon, çka do të thotë se Ermal Vitija nuk ka pasur ndonjë traumë. E vetmja gjë që mbetet është pakënaqësia për mungesën e hapësirës në skuadër.

PRAPASKENA – Burime jozyrtare pranë Flamurtarit, thonë për gazetën se Ermal Vitija ka udhëtuar drejt Vlorës. Gjasat janë për një takim me drejtuesit e klubit përpara së të marrë vendimin përfundimtar të largimit.

Ekziston mundësia që Vitijës t’i kthehet mendja nga Sinan Idrizi, pasi ishte vetë kreu i klubit që shprehu pëlqimin për rikthimin e kosovarit dhe përfshirjen e tij në projektin e këtij sezoni që pritet të nisë. Por se çfarë do të ndodhë konkretisht me Vitijën, mbetet për t’u parë në orët në vijim.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"