EKSKLUZIVE/ “Na kishte marrë malli për stërvitje në bar natyral”, Mema tregon përgatitjet te Kastrioti: Nuk do bëjmë aventura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2023 | 22:46

EKSKLUZIVE/ “Na kishte marrë malli për stërvitje në bar natyral”, Mema tregon përgatitjet te Kastrioti: Nuk do bëjmë aventura

Kastrioti ka zbritur në fushë që prej 2 janarit dhe përgatitjet po i kryen në fushën me bar natyral të stadiumit “Redi Maloku” në Fushë-Krujë. Gjithçka është në kuadër të ndeshjes së javës së 16-të, që Kastrioti do ta zhvillojë me Teutën në transfertë më 14 janar. Por si po shkojnë përgatitjet dhe sa i është përgjigjur skuadra trajnerit Ardian Mema?

mema

Ky i fundit ka folur dje për “Panorama Sport”, ndërsa e ka nisur bisedën me një batutë për fushën, duke qenë se më tepër ekipi i ka kryer seancat në Kamzë. “Na kishte marrë malli për të bërë stërvitje në bar natyral”, thotë duke qeshur Mema, ndërsa më pas futet direkt në temë pasi ngacmohet për merkaton e janarit.

“Kemi një ide për merkaton, edhe pse tani është periudhë e vakët. Na duhen futbollistë më të mirë se çfarë mund të kemi në rolin ku ne po kërkojmë. Unë besoj shumë se edhe me këtë kontingjent lojtarësh që kemi, e realizojmë synimin që i kemi vënë vetes. Vetëm në rast se na del një mundësi e mirë me ndonjë që bën diferencën, atëherë do të jemi të kënaqur. Më duhen lojtarë që kanë gjendje optimale dhe që mund të na ndihmojnë direkt, në të kundërt nuk mund të bëjmë aventura”.

SITUATA – Mema është shumë i kënaqur me atë që ka gjetur te Kastrioti. “Është një ambient i përsosur dhe jam ndier shumë mirë. Më duket vetja sikur kam vite në drejtimin e Kastriotit. I falënderoj drejtuesit dhe skuadrën. Deri më tani jam shumë i kënaqur, pasi përveç stafit të mirë që kam gjetur, kam në dispozicion edhe lojtarë shumë të përkushtuar. Pjesa më e rëndësishme tashmë janë rezultatet dhe ne po punojmë fort për t’i pasur. Objektiv është mbijetesa, por do t’i shikojmë gjërat rrugës. Për mua si trajner është shumë e rëndësishme që t’i bëjmë hyzmetin çdo ndeshjeje. Pra, të bëjmë një performancë të mirë dhe të arrijmë ato rezultate që klubi dhe unë si trajner i kemi vendosur objektiv vetes”, deklaroi për gazetën trajneri i krutanëve.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"