EKSKLUZIVE/ “Lista do ketë surpriza, SIlvinjo ka 15 lojtarë në mendje”, parashikimi i ish-kapitenit Lala: Nuk do shkojmë në Europian si Skënderbeu me shpatë në dorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2024 | 19:42

EKSKLUZIVE/ “Lista do ketë surpriza, SIlvinjo ka 15 lojtarë në mendje”, parashikimi i ish-kapitenit Lala: Nuk do shkojmë në Europian si Skënderbeu me shpatë në dorë

Shqipëria luan sot për herë të parë në histori një miqësore kundër Kilit. Dilemat për listën, provat para Europianit, por jo vetëm, kanë shtuar edhe më shumë kuriozitetin rreth ambientit kuqezi.

lala

Ish-kapiteni i Kombëtares, Altin Lala, jep opinionet e tij për grumbullimin e radhës, lojtarët që u lanë jashtë, kush rrezikon Europianin dhe se ku do t’i ketë më shumë “sikletet” Silvinjo. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Lala ndër të tjera shprehet se nëse do të ishte në dorën e tij, listën do ta miratonte me 25 ose 26 lojtarë.

Altin, si ju është dukur lista?
Lista ishte pak a shumë surprizë në sensin e lojtarëve si Gjasula, Muja dhe Daku, që janë lënë jashtë për të parë të tjerë. Normalisht edhe trajneri është i kufizuar në marrjen e lojtarëve dhe kështu që deri sa të fillojë Europiani, do të mundohet të shikojë sa më shumë. Pastaj do të vijë momenti që do të vendosë, sepse 23 mund të marrë.

Sa rrezikojnë Gjasula, Muja dhe Daku për të mos qenë në Europian?
Mund të ketë ende surpriza, sepse ka edhe 2-3 muaj deri sa të mbërrijmë aty. Pastaj varet forma, paraqitjet me klubet e tyre, sepse është diçka shumë e rëndësishme për të gjithë lojtarët. Po të marrim rastin e Manajt, u rikthye pasi po kalon formë shumë të mirë. Ka shënuar 15 gola në Turqi dhe ky është një tregues që pas performancës së mirë, mund të kthehesh sërish në ekip. Kombëtarja kjo është, seleksionim. Pavarësisht se dikush ka meritat e tij deri tani, sërish është ende e hapur. Mendoj se 13-14 lojtarë mund ta kenë vendin e sigurtë për në Europian.

Ju mendoni se do të ketë ndryshime të rëndësishme deri në qershor?
Besoj se po. Ndoshta do të vijë dikush dhe do të dalë dikush.

Ju keni qenë vetë mesfushor. Këtë herë Silvinjo grumbulloi vetëm 5 mesfushorë të mirëfilltë, si e shihni këtë repart?
Nuk besoj se do të jetë problematike kjo pjesë, sepse 3 dhe maksimumi 4 mund të jenë brenda një loje. Vetëm nëse ka dëmtime në 2 prej tyre, mund të bëhet problem, por uroj që të mos ketë asnjë lëndim. Edhe unë vetë që nuk jam trajner, më kap sikleti, sepse është disi e vështirë. Ai trajneri i Serbisë kishte një ide me 25 ose 26 lojtarë. Nëse do ta kisha unë në dorë, do ta vendosja diçka të tillë dhe sërish do të mbeteshin jashtë 2-3 lojtarë. Do të ketë gjithmonë hatërmbetje.

Në cilin repart do të ketë më shumë siklet trajneri për listën finale?
Mendoj se sulmi është problematik. Kemi Brojën, Manajn dhe Cikalleshin. Kemi edhe Dakun që ka shënuar me Kombëtaren. Këtu do të jetë problemi pak më i madh. Nga ana tjetër, është diçka pozitive, sepse Silvinjo ka shumë alternativa zgjedhjeje.

Sot luajmë me Kilin dhe pas tri ditësh me Suedinë. Janë këto ndeshje për të shuar disa dilema në kokën e Silvinjos?
Është qasje. Për mendimin tim ana mentale është shumë e rëndësishme për futbollistët. Presioni dhe të japësh rendiment. Tani që marrim pjesë për herë të dytë në Europian, duam apo nuk duam, është presion për të gjithë lojtarët. Një sportist i mirë duhet të qëndrojë i fokusuar edhe në miqësore. Trajneri është shumë detajist dhe do të shikojë sjelljen e lojtarëve. Është në gatishmërinë e të gjithëve, pavarësisht se janë 15 lojtarë që Silvinjo i ka në mendjen e tij.

Për cilët do të vlejnë më shumë këto miqësore?
Për lojtarët e rinj që kanë ardhur dhe për ata që kanë qenë një hap mbrapa dhe nuk kanë luajtur shumë ndeshje. Arbër Hoxha e ka për herë të parë. Edhe për ata që kanë luajtur shumë ndeshje nuk është se do të flenë gjumë. Secili do të japë diçka, nuk mund të mendojë asnjëri që e kanë vendin e sigurtë dhe do të bëjnë pushim. Ky është një problem mentaliteti, sepse të gjithë në Ballkan e kemi në përgjithësi dhe na ka penalizuar shpesh here kjo pjesë.

Të pëlqen moduli që luan Silvinjo, besoni se kështu do të vazhdojë edhe në Europian?
Them se ka bërë shumë mirë. Lojtarët i janë përshtatur këtij moduli. Ka funksionuar shumë mirë dhe në fund të ditës në futboll fillimisht është rezultati, pastaj vjen normalisht edhe loja. Ne me ato mundësitë që kemi pasur, i kemi marrë maksimumin dhe mendoj se pak a shumë kështu do të shkojë. Është një trajner i disiplinuar dhe këtë gjë ua kërkon edhe lojtarëve. Nuk besoj se do të ndryshojë gjë, pavarësisht se kundërshtarët në Europian janë të fortë. Në bazë të asaj edhe si shkon loja do të shihet, sepse ne nuk do të shkojmë aty me shpatë në dorë si Skënderbeu. Do të jemi më të kujdesshëm, të jemi agresivë dhe të shfrytëzojmë kundërsulmin. Këtë gjë ekipi e ka bërë shumë mirë. Skuadra ka qenë shumë kompakte dhe kjo është diçka pozitive.

Ish-sulmuesi i kohës suaj, Edmond Kapllani, u shpreh në “Panorama Sport”, se në Europian do të jenë tre sulmues qendrorë: Broja, Manaj dhe Cikalleshi. Keni një koment?
Kapllani ka qenë sulmues dhe i do të tre (qesh). Megjithatë, mendoj se të tre e meritojnë të jenë.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"