EKSKLUZIVE/ Kukësi shpalli “non grata” disa gjyqtarë dhe delegatë, ja ndeshjet nën akuzë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2023 | 8:44

EKSKLUZIVE/ Kukësi shpalli “non grata” disa gjyqtarë dhe delegatë, ja ndeshjet nën akuzë

Jemi mësuar që në futbollin shqiptar të kemi shpesh të shpallur “non grata” gjyqtarë nga ana e klubeve shqiptare. Herë janë marrë parasysh nga federata këto kërkesa të klubeve dhe herë jo.

Penalltia e pretenduar nga Kukësi

Penalltia e pretenduar nga Kukësi

Në të shumtën e rasteve kanë kaluar në heshtje dhe pas disa javësh sërish gjyqtarët e shpallur “non grata” janë rikthyer të arbitrojnë te këto skuadra. I fundit nga klubet që nuk dëshiron një kategori të caktuar arbitrash të gjykojnë për ta është Kukësi, i cili në këtë listë ka përfshirë edhe delegatë. “Panorama Sport” i bën një vëzhgim situatës dhe ndeshjeve të këtij sezoni me tre gjyqtarët e shpallur “non grata”: Andi Koçi, Olsid Ferataj dhe Silvio Dyrmishi, si edhe tre delegatët: Bujar Pregja, Besnik Çela dhe Petrit Brahja.

GJYQTARËT – Ndeshja me Egnatian i vuri “vulën” durimit të Kukësit, duke shpallur të padëshiruar tre gjyqtarët e këtij takimi: Koçin kryesor, Feratajn në VAR dhe Dyrmishin në AVAR. Ata shihen si përgjegjësit për atë penallti të mosakorduar në minutën e 60-të për ndërhyrjen ndaj Atdhe Rashitit.

Andi Koçi i kolegjiumit të Durrësit i ka arbitruar tri herë blutë këtë sezon, dy herë në VAR në Dinamo City– Kukësi dhe Kukësi–Vllaznia, edhe kryesor në Egnatia–Kukësi.

Olsid Ferataj nga kolegjiumi i Patosit i ka arbitruar katër herë, në të gjitha rastet i caktuar në sistemin VAR, respektivisht në takimet: Vllaznia–Kukësi, Kukësi–Tirana, Kukësi–Laçi dhe Egnatia–Kukësi.

Silvio Dyrmishi i kolegjiumit të Elbasanit i ka arbitruar gjithashtu katër herë: një herë si kryesor në Dinamo City–Kukësi, dy herë në AVAR në Teuta– Kukësi, Egnatia–Kukësi dhe një herë si gjyqtar i katërt në Partizani–Kukësi.3

DELEGATËT – Në fakt, duhet të jetë rasti i parë ose ndër të paktat raste kur një klub futbolli shkon te shpallja e padëshiruar edhe të delegatëve në vendin tonë. Te Kukësi kanë shpallur tre përnjëherësh dhe gazeta mundohet të hedhë pak dritë në takimet e tyre.

Bujar Pregja ka qenë tri herë si delegat në përballjet e Kukësit këtë sezon, respektivisht në takimet: Vllaznia–Kukësi, Dinamo City– Kukësi dhe Skënderbeu– Kukësi.

Besnik Çela ka qenë në dy ndeshje: Kukësi–Egnatia dhe Kukësi–Vllaznia.

Ndërsa Petrit Brahja ka qenë delegat në vetëm një takim, pikërisht në përballjen Kukësi–Erzeni, të cilën e fituan blutë në shifrat 2 me 1 me përmbysje.4

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"