EKSKLUZIVE/ “Kemi potencial, por më mirë trajner shqiptar”, Beqaj: Ja pse ngeci së fundmi Kombëtarja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2022 | 22:10

EKSKLUZIVE/ “Kemi potencial, por më mirë trajner shqiptar”, Beqaj: Ja pse ngeci së fundmi Kombëtarja

Në shumë vite ai ka qenë një pikë e rëndësishme e ekipit kombëtar. Kur dëgjojmë për Arjan Beqajn, të gjithë kujtojnë pritjet e tij më të bukura kundër Holandës së Van Persit dhe Robenit apo Portugalisë së Kristiano Ronaldos.

Arjan Beqaj

Me 43 ndeshje të luajtura me Kombëtaren dhe i larguar prej vitesh në Qipro, ku ushtron detyrën e trajnerit të portierëve, Beqaj analizon Kombëtaren shqiptare në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Ish-portieri komenton ecurinë e Shqipërisë nën drejtimin e Rejës, performancën në Ligën e Kombeve por edhe shortin e Europianit.

Beqaj, ju jetoni prej vitesh në Qipro, mund të na tregoni diçka më shumë për jetën tuaj aty, vazhdon të jetë pjesë e saj futbolli?

Që kur erdha si futbollist në vitin 2006, fillimisht kam luajtur me Anorthosin, më pas u bëra trajner i portierëve në këtë skuadër për tri vite. Më pas kam punuar 5 vite në Federatën Qipriote të Futbollit si trajner portierësh dhe dy vitet e fundit edhe në sektorin e edukimit. Momentalisht jam trajner portierësh në një ekip që ndodhet në Kategorinë e Parë këtu.

Ju mungon Shqipëria?

U bë shumë kohë që jam larguar dhe me Shqipërinë nuk kam shumë kontakte për sa i përket futbollit. Por, sigurisht që gjithmonë Shqipëria ka një vend shumë të rëndësishëm në jetën time, aty filloi çdo gjë.

I keni ndjekur ndeshjet e Kombëtares?

Patjetër që po, i ndjek gjithmonë.

Si ju janë dukur, në veçanti ndeshjet e fundit në Ligën e Kombeve?

Duke parë grupin, dhe pas daljes të Rusisë nga gara, pritshmëritë ishin të mëdha. Kjo si duket e vuri ekipin në presion, që për mua ndonjëherë është i panevojshëm. Më mirë është të lihet ekipi në një ambient më të qetë, më jashtë presionit. Fatkeqësisht pritshmëritë dhe rezultatet nuk u përputhën. Por për mendimin tim, pavarësisht se nuk arritën sukses në këtë edicion, Shqipëria ka potencial, ka futbollistë shumë të mirë në ekip dhe e vetmja gjë që duhet të bëjë është të shfrytëzojë potencialin që ka. Nuk e vë në dyshim që ka për të bërë shumë më mirë se në Ligën e Kombeve.

Thuhet se më përpara ekipi kombëtar nuk ka pasur kaq cilësi, por ka pasur grup, ndërsa tani është e kundërta, si e shikoni këtë?

Për këtë unë nuk mund të flas dhe nuk mund ta di, sepse këto i dinë njerëzit që jetojnë afër në ekip. Nuk mund të jap një mendim sepse nuk e di se si janë gjërat nga brenda, dhe nuk dua të gjykoj për diçka që nuk e di. Megjithatë, thonë se suksesi gjithmonë kërkon grupin, grupi dhe klima e mirë janë gjithmonë bashkë me suksesin.

Shortin e Europianit besoj e keni ndjekur…

Po shortin e Europianit e kam ndjekur. Siç e thashë edhe më parë, edhe shorti në Ligën e Kombeve nuk ka qenë i keq dhe këtë e pranojmë të gjithë. Për mua, është një short i mirë, por si është në të vërtetë do ta kuptojmë pas ndeshjeve dhe pas asaj çfarë ekipi jep në fushë.

Por duke parë në letër, nuk kemi ekipe si Franca, Anglia, Gjermania, Italia dhe kjo është diçka pozitive. Pastaj ndeshjet me Poloninë, nëse shohim dhe kualifikimet e kaluara, ekipi edhe në Poloni megjithëse rezultati ishte 4-1, nuk ishte kjo figura e ekipit për një rezultat të tillë, sigurisht nuk paraqet atë që dha ekipi në fushë. Dhe në Shqipëri, ndeshja u vendos nga një episod, nga një gabim që e pagoi ekipi, dhe për mendimin tim nuk merituam të humbnin. Pra kjo na jep shpresë dhe duhet të jemi më optimist.

Pra, mendoni se Shqipëria e ka potencialin për të qenë në Europian?

Sigurisht, pastaj është diçka që e ka bërë njëherë. Është një ekip që ka potencial, me çuna që luajnë në ekipe të mëdha, me rëndësi është që ekipi të jetë i kompletuar, sepse asnjëherë nuk i dihet. Është një moment, mund të ketë dëmtime, mungesa dhe kjo është një gjë që mund të përcaktojë fatin e suksesit.

Në planin tjetër, krahasuar me kohën kur ju luanit në Kombëtare, mund të bëjmë një krahasim?

Unë nuk dua të bëj krahasime, secili ekip ka kohën e vet, dhe në kohën e tyre janë kushte të tjera. Secili është për epokën e tij. Por po e them sërish që ekipi tani ka potencial, ka lojtarë shumë të mirë dhe gjithmonë në futboll ka një risk, suksesi e tregon nëse je apo jo një ekip i mirë.

Si e keni parë Kombëtaren nën drejtimin e trajnerit Edi Reja?

Nuk mund ta gjykoj trajnerin. Njerëzit që janë aty afër sigurisht kanë parë te ai gjëra dhe prandaj i kanë dorëzuar ekipin. Ajo çfarë Shqipëria nuk arriti të gjente ishte vazhdimësia, një vazhdimësi në lojë, vazhdimësi në rezultate dhe kjo është problem për ekipin. Megjithatë, trajneri ka sjellë në ekip shumë lojtarë të rinj sepse nuk është e lehtë të gjesh lojtarë, por pas një farë kohe për mendimin tim duhet përqendrim te një grup lojtarësh, është mirë të kesh një grup për t’u bazuar.

Flitet gjithë kohën për trajner shqiptar, ju çfarë mendimi keni, ka ardhur koha për një trajner shqiptar?

Pse jo, edhe një trajner shqiptar mund të jetë zgjidhje. Ne shohim përballë trajnerë shqiptarë të cilët kanë pasur suksese edhe në Europë. Megjithatë, rëndësi ka në fund të vijë dikush që të shfrytëzojë potencialin e ekipit dhe të vijë suksesi, pak rëndësi ka nëse është shqiptar apo i huaj.

Berisha, Strakosha dhe Kastrati së fundmi, sa i sigurt është katërkëndori kuqezi?

Ne jemi me fat si ekip që kemi disa portierë të një niveli të lartë. Për mendimin tim të tre që përmendët, në momentin që kanë luajtur kanë pasur performancë të mirë, pavarësisht se portierët kanë edhe barrën më të madhe, sepse gabimi i tyre është më i vështirë për t’u rikuperuar, është gol. Por për mendimin tim në pjesën e portës Shqipëria është me fat që ka portierë në këtë cilësi, sepse nuk ka shumë ekipe që kanë portierë të këtij niveli, portierë që luajnë në Seria A dhe Premier Ligë.

Ndikon fakti që dy të parët janë në stol këtë sezon?

Patjetër që ndikon dhe nuk është nisje pozitive, por ka diçka tjetër. Të dy kanë një eksperience shumë të madhe dhe për mendimin tim është më e lehtë ta menaxhojnë këtë, sepse eksperienca luan rol goxha të madh, sidomos në ndeshjet me Kombëtaren.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"