EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi kroat analizon ecurinë e Skënderbeut: Takaj goditi me Ivanin, kampionati më i çuditshmi që kam parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2023 | 9:53

EKSKLUZIVE/ Ish-mbrojtësi kroat analizon ecurinë e Skënderbeut: Takaj goditi me Ivanin, kampionati më i çuditshmi që kam parë

Skënderbeu i mbylli në vendin e pestë me 22 pikë të grumbulluara dy fazat e para të kampionatit, por kjo duket se nuk është pritshmëria maksimale që korçarët kanë pasur.

radas

Sigurisht që dy humbjet radhazi dhe për më tepër disfata 5-0 në Shkodër, e ka kthyer gjithë optimizmin në mërzitje. Por gjithsesi, aventura e Skënderbeut me në kryetrajneri Ivan Gvozdenoviç mbetet e suksesshme dhe vlerësohet maksimalisht edhe nga ish-bashkëlojtarë të tij në kohën kur ishte pjesë e Skënderbeut si mbrojtës i majtë ose qendërmbrojtës. I tillë është rasti i Marko Radasit, kroatit që fitoi gjithçka me bardhekuqtë.

Edhe pse i angazhuar në Kroaci me trajning, nuk e ka lënë pas dashurinë e tij të vjetër, Skënderbeun. Kroati vijon punën si trajner në akademinë e Dinamos së Zagrebit, ku është i angazhuar prej disa vitesh, por sigurisht që kur bëhet fjalë për Korçën dhe Skënderbeun, emocionet për të janë të mëdha. I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, Radas ka komentuar situatën tek Skënderbeu. Sipas ish-mbrojtësit, humbja 5- 0 në Shkodër ishte e rëndë dhe duhet punë për të harruar atë goditje. Ai e ka quajtur kampionatin e këtij sezoni më të paparashikueshmin e viteve të fundit.

“Skënderbeun e ndjek dhe informohem shpesh në lidhje me ecurinë e ekipit, për më tepër tani që në stol është miku im, Gvozdenoviç. Më ka ardhur shumë keq për humbjet e fundit, veçanërisht për atë ndaj Vllaznisë, pasi një rezultat të tillë nuk e kisha parë te korçarët më herët. Është një humbje që shkakton ngarkesë psikologjike dhe besoj se duhet punë që të harrohet. Gjithsesi, unë jam i bindur se mund dhe duhet ta kalojnë këtë situatë sa më shpejt. Janë në vendin e pestë, por kampionati këtë sezon është i frikshëm. Një fitore të çon në katër vendet e para, ndërsa një humbje të zbret nga kategoria. Është kampionati më i paparashikueshëm dhe më i çuditshëm që kam parë ndonjëherë. Duhet që ekipi të bëjë kujdes në çdo takim dhe të mos hedh dëm ndeshje që mund të fitohen, siç ishin rastet e dy takimeve me Kukësin”, ka thënë fillimisht ish-mbrojtësi Radas për gazetën.

PËR IVAN GVOZDENOVIÇ I ndalur më pas tek puna që është duke bërë trajneri serb, Ivan Gvozdenoviç, në krye të stolit bardhekuq, Radas nuk kurseu elozhet për mikun e tij. Ai e quajti Gvozdenoviçin njeriun e duhur për të nxjerrë Skënderbeun sërish në krye.

“Ivani është personi i duhur për Skënderbeun dhe Takaj ka qëlluar sërish në shenjë, duke i besuar atij. Është një profesionist i vërtetë që e njeh futbollin dhe mbi të gjitha e pëlqen lojën e bukur dhe kërkon të jetë gjithmonë fitues. Është i ftohtë në analizën e lojës dhe studimin e ndeshjes. Ivani nuk përfshihet nga emocionet. Këto janë pikat e forta të karakterit të tij që i vijnë shumë në ndihmë. Nga ana tjetër, ai njeh kampionatin shqiptar dhe di se si të motivojë të rinjtë. Besoj se ka shumë rrugë përpara nën drejtimin e korçarëve. Prandaj dua t’i uroj më të mirat në karrierën e tij si trajner”, përfundoi Radas, i cili në periudhën 8-vjeçare si pjesë e Skënderbeut, fitoi gjashtë herë titullin kampion.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"