Ish-kapiteni Sakaj: E kam peng titullin e viti 2011, Flamurtari s’do t’i kenë kurrë arbitrat me vete

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2018 | 14:52

Ish-kapiteni Sakaj: E kam peng titullin e viti 2011, Flamurtari s’do t’i kenë kurrë arbitrat me vete

Artan Sakaj, kapiteni i Flamurtarit në sezonin 2010-2011, thotë se e ka peng atë titull. Ish-mbrojtësi vlonjat e pohon pas 7 vitesh se atë vit Flamurtari e humbi titullin edhe për fajet e tij.

Kur i thua se Soza e ka pranuar se e ka vjedhur penalltinë që solli më pas edhe përmbysjen e madhe, Sakaj e merr me humor: “Ka bërë detyrën. Sozën e pata edhe shok skuadre më vonë te Flamurtari, por unë mendoj se ishte gabimi i gjyqtarit Jemini, më shumë se sa meritë e Sozës”.

sakaj

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Sakaj vlerëson maksimalisht Flamurtarin e këtij sezoni për disiplinën taktike, por mbi të gjitha vlerëson cinizmin dhe racionalitetin që ka ekipi. Sakaj i thur elozhe edhe Skënderbeut dhe pohon pa droje se i pëlqen shumë skuadra korçare.

Artan, a ka ndonjë gjë të përbashkët ky Flamurtar me atë të 7 viteve më parë kur luftonit për titull?

Natyrisht, Flamurtari ka gjithnjë një të përbashkët: ka fanellën e rëndë dhe presionin e madh të një qyteti si Vlora që kërkon gjithnjë maksimumin. Sot kjo skuadër ka shpirtin kërkues, që e kishim edhe ne.

Po tjetër çfarë ka që mund ta bëjë pretendente për titull?

Është një grup i fortë dhe me cilësi të mira, por mbi të gjitha vlerësoj disiplinën taktike. Janë shumë strikt. Për këtë meritë ka skuadra, por pa dyshim edhe stafi.

Pse mendoni se ky Flamurtar mund ta rivalizojë Skënderbeun deri në fund?

Sepse ka më shumë uri ndoshta se korçarët. Por mbi të gjitha, sepse nuk ka asgjë për të humbur.

Çfarë prisni nesër (sot)?

Do të jetë një ndeshje që do të kënaqë publikun. Në këto dy ekipe luan ajka e kampionatit shqiptar dhe do të doja që tifozët t’i ndjekin dhe të kënaqen. Shpresoj shumë që arbitrat të mos bëhen protagonistë për keq.

Shpëtim Duro para 7 vitesh ju ka marrë titullin, ndërsa sot drejton vlonjatët. Ai thotë vazhdimisht se nuk e fitoi Skënderbeu titullin atë vit, por e humbi Flamurtari… A bini dakord me këtë?

Për fat të keq mund të them se titullin e humbëm ne atë vit. Natyrisht, pati shumë faktorë kundër dhe pati edhe elementë të tjerë që nuk kishin të bënin me futbollin, por edhe ne kishim përgjegjësi për atë që ndodhi. Pati aleanca kundër nesh, gjykime tendencioze, por ama edhe ne patëm një distancë të konsiderueshme dhe nuk arritëm që ta shfrytëzonim. Ndoshta duhej të ishim treguar më të fortë dhe më të qëndrueshëm përballë disa pengesave, provokimeve, apo edhe disa forcave të jashtme. E kam peng atë titull.

Rafael Soza ka pohuar dje për gazetën se penalltinë në ndeshjen ku nisi përmbysja e madhe e vodhi ndaj ju vlonjatëve. A keni një mesazh për të?

Nuk mund t’i them asgjë. Ishte një lojtar i zoti dhe mendoj se brenda normave sportive veproi. Gjeti rastin dhe simuloi, por ky nuk është mëkat i tiji. Gabimi ishte i arbitrit, Jeminit…

A patët ndonjë debat me Jeminin në atë ndeshje?

Po, kam pasur një bisedë të shkurtër. I thashë vetëm se kishte vepruar gabim dhe do ta kuptonte gabimin vetëm pasi ta kishte parë rastin në TV. Koha më dha të drejtë. Sozën e kam pasur më vonë shok skuadre te Flamurtari dhe ishte lojtar i mirë, por nuk mund të fajësojmë vetëm atë se nuk morëm titullin. Ne gabuam dhe duhet ta pranojmë.

Sa shanse ka Flamurtari sot në Korçë?

Ka shumë. Flamurtari vjen pas dy fitoreve me Partizanin dhe një barazimi në Kukës, ku në fakt meritonte fitoren. Skënderbeut besoj se ende i rëndon humbja me Luftëtarin.

Çfarë ka ky Flamurtar më shumë se Skënderbeu për të shpresuar?

Ka lojtarë të mirë dhe një grup harmonik. Por, mbi të gjitha, ka bërë përforcime serioze në sulm me lojtarët që ka marrë nga Karabaku dhe nga Lacio. Kjo ndeshje është fiks në favor të Flamurtarit.

Pse?

Sepse presioni është mbi Skënderbeun. Nëse Flamurtari fiton sot, Skënderbeu do të futet në një trysni psikologjike për të ardhmen dhe ata e dinë këtë.

A keni një këshillë për futbollistët e Flamurtarit para kësaj ndeshjeje?

Duhet të luftojnë në fushë të qetë dhe të vendosur. Duhet ta dinë se Flamurtari kurrë nuk i ka pasur arbitrat me vete dhe as nuk do t’i ketë ndonjëherë, ndaj duhet ta llogarisin gjithnjë veten pa aleatë. Do të kenë edhe ndonjë provokim gjatë udhëtimit të tyre, por nuk duhet të bien pre. Vetëm kështu do të mund të mbeten të përqendruar të fusha e lojës.

Ç’mendim keni për Skënderbeun?

Më pëlqen shumë, nuk kam pse ta fsheh. Janë një skuadër serioze, me lojtarë cilësorë dhe punojnë shumë. Më pëlqen se si luajnë dhe se çfarë kanë bërë këtë sezon, jo vetëm në kampionat, por edhe në Europë. I respektoj shumë për këtë dhe mendoj se janë vërtet një skuadër shumë e mirë.

 

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"