EKSKLUZIVE/ I shënoi me “Panenka” Moldavisë, Bellai: S’do ta harroj gjithë jetën, kualifikohemi aty (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2023 | 21:02

EKSKLUZIVE/ I shënoi me “Panenka” Moldavisë, Bellai: S’do ta harroj gjithë jetën, kualifikohemi aty (E PLOTË)

Shqipëria do të luajë takimin e parafundit në këtë fushatë kualifikuese, ku nëpërmjet ndeshjes me moldavët, do të kërkojë të marrë një pikë minimumi, që do t’i mjaftonte për të prerë një biletë drejt Europianit 2024. Por, le të kthehemi shumë vite mbrapa, pasi transferta moldave ka edhe një rekord tjetër për ekipin kombëtar. Njëzet e tetë vite më parë, Kombëtarja shqiptare do të arrinte fitoren e parë jashtë fushe, me një përmbysje 3-2 në Kishinau ndaj Moldavisë që në fushë shënonte me trajnerin aktual Kleshenko.

arian bellaii

Golat e Kushtës, Bellait dhe Vatës sollën këtë sukses historik që pritej prej vitesh në atë kohë. Një nga autorët e golave, gjirokastriti Arian Bellai, tregon për “Panorama Sport”, kujtimet e asaj ndeshjeje. “Më pasoi Kushta dhe shënova te 5-metërshi me një ‘panenka’ të bukur”, shprehet ai. Ish-futbollisti i përfaqësueses flet edhe për ndeshjen e nesërme, ku sipas tij kualifikimi do të mbyllet që në Moldavi.

28 vite më parë në Moldavi, Shqipëria ka marrë fitoren e parë në transfertë, si e kujtoni atë ndeshje?

Më ke kthyer shumë pas në kohë, pasi prezenca me ekipin kombëtar është nderi më i madh për një futbollist, për shkak se është një privilegj i jashtëzakonshëm të luash për fanellën e Kombëtares. Sigurisht për mua ishte një ndeshje që kam për ta mbajtur mend gjithë jetën, pasi shënova golin e parë më të rëndësishëm në karrierën time me Kombëtaren, kishte një eufori të madhe, festë në dhomat e ndërrimit për shkak se arritëm fitoren e parë në transfertë në historinë e Kombëtares.

Keni realizuar golin e barazimit, me aq sa mbani mend, si e shënuat, me cilën këmbë apo me kokë, kush ju asistoi?

Për të mos gabuar, me sa më kujtohet më ka asistuar Kushta dhe unë shënova golin me këmbën e majtë brenda 5- metërshit me një “Panenka”.

Pas golit të Kushtës, Moldavia shënoi 2 herë, por arritët sërish ta përmbysnit rezultatin, si ishte ajo Kombëtare e asaj ndeshjeje?

Po, arritëm të përmbysnim rezultatin nga 2-1 në 3-2 për ne. Në ekipin tonë kishte shumë elementë cilësorë. Në atë ndeshje janë aktivizuar emra të mëdhenj të futbollit shqiptar siç janë, Strakosha, Shulku, Vata, Demollari, Kola, Raklli etj, pa harruar ndonjë emër. Në atë fitore, mesa kujtoj kemi shënuar: Unë, Sokol Kushta dhe Rudi Vata, me trajner Neptun Bajkon.

Duke qenë se ishte fitorja e parë jashtë fushe, si u prit ekipi kombëtar kur u kthye në vend?

Sigurisht kur ekipi përfaqësueses arrin që të fitojë në transfertë është një arritje e madhe dhe një nder për të gjithë tifozët, të cilët festonin në Shqipëri.

45465

Kalojmë te ndeshja e nesërme, a mendoni se Shqipëria do ta vendosë kualifikimin që me Moldavinë?

Unë mendoj që kjo Kombëtare ka për t’u mbajtur mend gjatë në futbollin shqiptar, por edhe atë europian pasi statistikat e tregojnë këtë gjë. Nuk flasim vetëm ne, por flet e gjithë Europa për këtë Kombëtare. Besoj se me entuziazmin dhe me klimën e mirë që ka ekipi, do ta arrijnë që në ndeshjen me Moldavinë, matematikisht edhe kualifikimin për në Europianin e Gjermanisë.

Trajneri dhe lojtarët janë shprehur se nuk bëjnë llogari dhe do të shkojnë aty për fitore, mos ndoshta duhet të tregohemi disi pragmatistë për të arritur atë që duam?

Sigurisht kjo është një ndeshje futbolli, si trajneri dhe futbollistët i dinë vështirësitë që do të hasin në Moldavi, por me dëshirë dhe përqendrim, e cila nuk u ka munguar deri tani, them se do të arrijnë të marrin maksimumin për këtë ndeshje.

A i ka mundësitë kjo Kombëtare për të marrë dy fitore në këto ndeshje, të thyejë rekordin e pikëve dhe të renditet e para në grup?

… Po ju kujtoj se Moldavia nuk ka asnjë humbje në shtëpi deri tani. Sigurisht Moldavia nuk ka ende një humbje në shtëpi, por futbolli ka treguar që këto tradita edhe thyen. E them këtë pasi ishte trajneri Silvinjo në momentin dhe kohën e duhur duke zgjedhur ata futbollistë që kanë karakteristikat e lojës që ai do, si shpirtin po ashtu dhe anën tekniko-taktike që ai kërkon.

Ai e ka treguar dhe ndeshjet e kaluara që sado kemi marrë rezultate të mira, si me Poloninë dhe Çekinë, kanë qenë gjithmonë me këmbë në tokë si trajneri dhe futbollistët dhe besoj se kjo Kombëtare do të arrijë të thyejë rekordet dhe ne e duam këtë gjë, të arrijmë maksimumin e pikëve dhe duke dalë të parët në grup.

A duhet të ishte në listë edhe Armando Broja?

Sigurisht që Broja është një nga futbollistët që bën pjesë në Kombëtaren shqiptare, por trajneri dhe stafi teknik vendosin për çdo ndeshje karakteristikat e çdo futbollisti që u nevojitet.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"