EKSKLUZIVE/ Goli i anuluar në Uembli, Demollari: Kallaku merr hak për mua (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2020 | 23:52

EKSKLUZIVE/ Goli i anuluar në Uembli, Demollari: Kallaku merr hak për mua (VIDEO)

Sulejman Demollari është një nga më të mëdhenjtë e futbollit shqiptar, por mes shumë golave që ka shënuar, i kujtojnë kryeveprën që realizoi kundër Anglisë më 24 prill të vitit 1989, gol që padrejtësisht ia anuluan. Ndeshja përfundoi 5-0 për britanikët, por ishkapiteni dhe ish-trajneri i Kombëtares e kujton edhe sot atë episod.

demollari (1)

 

Tani që Shqipëria u shortua sërish me anglezët në eliminatoret e Botërorit 2022, legjenda e futbollit shqiptar thotë se kuqezinjtë mund të bëjnë gjëra të mira, por grupi është realisht shumë i vështirë. Në një intervistë për “Panorama Sport” Demollari thotë se do ta donte një gol nga Kallaku për “hakmarrje”…

Si ju duket grupi i Shqipërisë?

Shumë i fortë. Realisht do të jetë e vështirë për ne, por Shqipëria ka potencial që të luajë mirë dhe të jetë dinjitoze me cilindo kundërshtar.

Cili mund të jetë objektivi real në këtë grup?

Ne flasim në teori tani, sepse nuk e dimë se si do të shkojnë gjërat. Duke parë emrat e skuadrave mendoj se Shqipëria lufton për vendin e tretë. Nëse del ndonjë gjë më shumë pastaj, do të ishte akoma më mirë.

Demollari, çfarë mbani mend nga ndeshja me Anglinë?

Kam shumë kujtime nga ajo ndeshje, por unë e di që ju do më ngacmoni për golin e anuluar… (qesh).


Po, pikërisht…

Eh, as sot nuk e di pse ma anuluan atë gol. Ndoshta nuk mund të ndryshonte asgjë në rrjedhën e ndeshjes, por për mua, për skuadrën tonë dhe për Shqipërinë do të ishte speciale.

Shqipëria sot duket një ekip më i organizuar se atëherë, po cilësisht a është më mirë? A ka më shumë talent?

Shqipëria ka një grup të mirë lojtarësh dhe për më tepër një pjesë janë të formuar jashtë. Natyrisht, për mua e rëndësishme është që të ketë një bosht të fortë dhe deri tani duket në rrugën e duhur. Kemi lojtarë që luajnë në Serinë A, apo në kampionate të tjera prestigjioze dhe kjo na bën mirë. Megjithatë, duhet që në futboll të punosh shumë dhe të sakrifikosh që të mund të arrish rezultate.

Nëse do të kishit mundësi t’ia kërkonit një lojtari sot që t’i shënonte Anglisë dhe të “hakmerrej” për golin që të anuluan, kujt do t’ia bënit këtë kërkesë?

Oh, sa shumë fantazi… Dakord, mua më pëlqejnë lojtarët e rinj dhe duke qenë se Kallakun e njoh që të vogël, por edhe për faktin se ai luan në rolin e organizatorit, ashtu si unë dikur, do të kisha dëshirë ta shënonte ai. Por ndoshta edhe ndonjë i ri tjetër, Broja, Bare, apo Çekiçi. Megjithatë, do të isha i lumtur për cilindo që të shënonte, mjafton që ne të bëjmë ndonjë surprizë me Anglinë dhe të arrijmë objektivat që kemi si skuadër.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"