EKSKLUZIVE/ Faruk Sejdini analizon “nëndetësen”: Dinamo kaotike, gris fanellën për të arnuar brekët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2021 | 22:47

EKSKLUZIVE/ Faruk Sejdini analizon “nëndetësen”: Dinamo kaotike, gris fanellën për të arnuar brekët

Nuk mungoi as në Elbasan për të parë Dinamon e tij ndaj Egnatias, bashkë me ish-lojtarë të tjerë të skuadrës blu. Ai barazim e la të pakënaqur, ashtu si të gjithë dinamovitët, që nga drejtuesit e skuadrës, stafin teknik, lojtarët dhe tifozët. Këtë herë, Faruk Sejdini është pak më i drejtpërdrejtë në prononcimin e tij për “Panorama Sport”.

sejdini ne stadium

Nëse në deklarata të mëparshme për rikthimin e bluve ai ishte shprehur me optimizëm për një skuadër kompetitive, por që kërkon kohën e vet, këtë radhë “xhaxhi”, siç e njohin të gjithë ish-lojtarin dhe ish-trajnerin e Dinamos, e ka vënë “gishtin në plagë”.

LOJË KAOTIKE – Sejdini thotë së pari se skuadra luan me hope dhe nuk po krijon një stereotip loje të sajin: “Isha në Elbasan dhe e pashë ndeshjen me Egnatian. Dinamo luan me hope, ka shumë luhatje. Ka momente që e merr kontrollin e lojës në dorë, pastaj në momente të tjera humbet. Nuk e di, më duket shpesh skuadër kaotike, nuk po arrin të krijojë një stereotip loje të sajin. Nuk po e njohim këtë Dinamo. Dua të them që kur e shikon në stadium dhe nuk ia njeh fanellën, nuk e kupton që është Dinamo nga loja që zhvillon. Dinamo duhet të evidentohet me mënyrën e saj të lojës”.

PA STRATEGJI – Ish-trajneri pohon më tej se Dinamos shpesh i mungon edhe një lloj strategjie për mënyrën si do ta përballojë ekipin kundërshtar. “Kuptohet që taktikën e përcakton trajneri, duke u bazuar në grupin e lojtarëve që ka në dispozicion, por, sipas gjykimit tim, shpesh më duket sikur Dinamo nuk ka një strategji se si do të mposhtë kundërshtarin. Po flas për strategji loje, jo për anën taktike. Do të luash me sulme graduale, do të luash me kundërsulm apo do të bësh presing lart? Duhet një strategji e qartë”, vijon më tej “xhaxhi”.

ARNIMI – Nuk do të mungonin edhe batutat e profesor Farukut: “Ka pasur lëvizje dhe spostime lojtarësh në pozicione të tjera në ndeshjet e fazës së parë. Ka pasur arnime. Dinamo ka grisur fanellën për të arnuar brekët… Kështu,përsëri i grisur mbetesh. Duhet ta pranojmë se skuadra ka nevojë për 2-3 rregullime në merkaton e janarit, sepse ka boshllëqe, por halli është se në janar nuk t’i lë njeri lojtarët e mirë”.

MESFUSHA DHE MIHANA – Sejdini ka theksuar se Dinamo duhet të rregullojë patjetër mesfushën: “Kur flas për rregullime, mendoj se Dinamo duhet të sistemojë repartin e mesfushës, ku ka probleme. Nuk mund ta bëjë Ibraimi sa në sulm dhe sa në mesfushë, edhe për vetë natyrën e lojtarit që është. Duhet një lojtar që t’i japë shpejtësi skuadrës. Edhe Mihana ka luajtur ndonjëherë në mesfushë, duke qenë me kurriz nga porta kundërshtare. Në fakt, ai është një lojtar që duhet të jetë me fytyrë nga porta, që kërkon hapësirë për të sulmuar”, shprehet më tej ish-trajneri kampion me Dinamon .

NGËRÇI NË SULM – Edhe diçka për sulmin: “Kuptohet që ka edhe një ngërç me sulmin, ekipi shënon pak dhe me pak lojtarë. Ndoshta këta lojtarët e rinj nuk e përballojnë dot presionin që u krijua, pasi u tha se Dinamo është për titull kampion. Janë një sërë faktorësh që kanë sjellë në këtë gjendje, një skuadër me hope dhe ende pa identitetin e saj”.

PAK BESIM – Në fund “xhaxhi” ka thënë se situata mund të ndryshojë në vazhdim. “Ka përfunduar vetëm faza e parë, çereku i kampionatit dhe ka kohë për të korrigjuar. Dinamo mund të përmirësohet, por siç e thashë, duhet të sistemojë disa gjëra, të forcohet dhe të krijojë stereotipin e saj të lojës, që njerëzit ta dallojnë se kjo është Dinamo”.

FAJTON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"