EKSKLUZIVE/ Egnatia në sulm, pranë akordit me dy ish-lojtarët e Shkëndijës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2021 | 13:57

EKSKLUZIVE/ Egnatia në sulm, pranë akordit me dy ish-lojtarët e Shkëndijës

Egnatia hidhet në sulm, gati firma me dy lojtarët që u larguan së fundmi nga Shkëndija e Tetovës. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se mesfushori Armend Alimi dhe mbrojtësi Mevlan Murati kanë marrë oferta zyrtare nga klubi rrogozhinas dhe gjasat janë që të firmosin në ditët në vijim.

egnatia

Trajneri aktual i Egnatias, Zekerija Ramadani, duket se ka bindur lojtarët e njohur në Maqedoninë e Veriut për t’i bërë pjesë e rrogozhinasve në vijim. Alimi është një ishkapiten i Shkëndijës, ku për shtatë sezone radhazi ka qenë lider i ekipit.

Mesfushori i qendrës doli i lirë pak ditë më parë, por edhe pse u përfol se do të vijonte karrierën me Shkupin, duket se është tunduar tashmë nga oferta e klubit të Egnatias dhe për më tepër që ky ekip drejtohet nga një shqiptar i Maqedonisë si Ramadani.

ALIMANI

Ndërkohë, e njëjta gjë mund të thuhet për mbrojtësin që bën disa role në prapavijë, qoftë nga krahët apo në qendër, Mevlan Murati. Ky i fundit ka luajtur tetë vite më parë edhe me Partizanin, ndërsa në pesë sezonet e fundit ka veshur fanellën e Shkëndijës. Ashtu si Alimi, edhe Murati ka dalë lojtar i lirë nga tetovarët ditët e fundit.

MURATI

ÇYRBJA
Pas konfirmimit të katër largimeve nga Egnatia, pikërisht Uros Djuriç, Arsenio Valport, Kris Gadi dhe Glejdis Ndraxhi, duket se do të vazhdojnë “firot”. Gazeta mëson se edhe mesfushori i krahut, Arbër Çyrbja, pritet të prishë kontratën.

Duket se palët do ta ndërpresin këtu bashkëpunimin pas vetëm 6 muajsh. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me qendërmbrojtësin Mario Teqja, i cili nuk ka luajtur rregullisht këtë sezon.

Në fillim të vitit 2022 do të mësohet më shumë për të gjitha lëvizjet në klubin rrogozhinas, teksa drejtuesit po punojnë për të siguruar sa më parë lojtarët që do trajneri Ramadani.

I.CARA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"