EKSKLUZIVE/ “Bazeli i madh, kemi parë përmbysje edhe më të çmendura”, Trashi: Mision jo i pamundur, do doja të isha… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2021 | 15:50

EKSKLUZIVE/ “Bazeli i madh, kemi parë përmbysje edhe më të çmendura”, Trashi: Mision jo i pamundur, do doja të isha… (E PLOTË)

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të futbollit dhe një ishi i Partizanit, Lorenc Trashi, ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” në vigjilje të ndeshjes së kthimit mes të kuqve dhe Bazelit që do të luhet nesër në Elbasan. Trashi theksoi se ish-ekipin e tij e pret një sfidë e luftuar dhe se kualifikimi është i vështirë, por jo i pamundur, pasi futbolli ka treguar përmbysje edhe më të mëdha. Sa u takon individëve që i kanë pëlqyer më shumë deri më tani, Trashi veçon Stenio Zhuniorin, duke e quajtur një futbollist të jashtëzakonshëm, por kishte komplimente dhe për Tedi Carën që është rritur shumë së fundmi.

Trashi

Lorenc, Partizani luan sfidën e dytë kundër Bazelit, por pas rezultatit të parë, duket sikur fatet e kualifikimit janë vendosur…

Është një rezultat shumë i vështirë dhe një kundërshtar që është thuajse e pamundur që t’i kthesh rezultatin. Por, futbolli ka treguar të kundërtën, që edhe mundesh të bësh përmbysje të mëdha.

Do të dëshironit dhe ju që të ishit në fushë kundër Bazelit?

Po, patjetër që do të dëshiroja të isha në fushë, por jo vetëm kundër Bazelit. Kur bëhet fjalë për Partizanin, në çdo moment do të dëshiroja të luaja

A mund të konsiderohet një paraqitje pozitive ajo në Bazel, pasi Partizani krijoi raste?

Partizani e filloi shumë mirë lojën, madje po luante shumë mirë edhe në zotërimin e topit që e kishte më shumë se kundërshtari. Por, mendoj që nuk e menaxhoi shumë mirë deri në fund, pavarësisht se Bazeli është një ekip i madh.

Nëse rrugëtimi i Partizanit në Europë mbyllet pas sfidës me Bazelin, si do ta përshkruanit ecurinë?

E përgjithshmja është se Partizani ka bërë paraqitje të mira dhe lojëra te mira, si dhe ka disa lojtarë që e kanë rritur shumë nivelin e lojës. Dhe kjo është diçka e mirë, jo vetëm për ecurinë deri më tani, por dhe për të ardhmen.

Zhunior, Cara apo ndonjë tjetër, cili ju ka impresionuar më shumë në ndeshjet e Europës?

Të them të drejtën, Zhunior është një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme. Më pëlqen shumë dhe mendoj që do ta ndihmojë shumë Partizanin. Shpresoj të qëndrojë te Partizani, sepse mund të ketë ndonjë ofertë dhe mund të largohet. Gjithashtu, dua të veçoj edhe Carën i cili e ka rritur shumë nivelin. Më bëhet qejfi për të, por duhet të ulë kokën dhe të punojë edhe më shumë

Me grupin që ka, por dhe me ndonjë afrim, deri ku mund të arrijë Partizani gjatë sezonit të ri?

Këtë nuk e di ta them, sepse akoma nuk kam parë dhe ekipet e tjera çfarë merkatoje kanë bërë. Por, mendoj që Partizani edhe me 2-3 afrime cilësore, mund të arrijë objektivat e vet.

Si e shihni sezonin e ri në Superiore, me Dinamon dhe Egnatian që i janë bashkuar elitës, si dhe me sistemin VAR?

Një vlerë e madhe i është shtuar Superiores me rikthimin e Dinamos, që do ta bëjë akoma edhe më të bukur kampionatin. Edhe Egnatia që ka një trajner shumë të mirë dhe që punon shumë mirë si profesor Gashi (Gugash Magani). Sistemi VAR do të rregullojë shumë gjëra dhe do qartësojë shumë episode. Është e domosdoshme që dhe ekipet mos të krijojnë më dyshime.

Cilin lojtar e shihni si më të rëndësishmin për trajnerin Daja dhe që mund të udhëheqë skuadrën?

Unë shoh grupin më të rëndësishëm, sepse vetëm nëse je grup, mund t’ia dalësh. Nuk mundet një lojtar i vetëm të marrë ekipin për dore. Stafi, bashkë me presidentin, kanë bërë një punë shumë të mirë që kanë krijuar një frymë shumë pozitive në ekip dhe kjo është arma e fortë që Partizani ka.

VERONIK ISTREFAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"