Ekskluzive/ Basha: Kam bërë vetëm një gabim në jetë, trashanik!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2016 | 12:43

Ekskluzive/ Basha: Kam bërë vetëm një gabim në jetë, trashanik!

Shqipëria e De Biazit nuk ka pasur vend për shumë “mjeshtër” të topit, mirëpo një i tillë ka arritur që të jetë pjesë e formacionit.

Untitled-4Migjen Basha është një prej të paktëve lojtarë teknikë që dinë ta “përkëdhelin” sferën në fushë dhe të dirigjojnë me mjeshtëri lojën e Shqipërisë.

Mesfushori la në verë Serinë A dhe u transferua te Luzerna në Zvicër, mirëpo në pak muaj u kthye sërish në Itali. Edhe pse tashmë është pjesë e Serisë B, futbollisti i Kombëtares tregon për “Panorama Sport” se mbi të gjitha… ndihet i lumtur.

“Duke vlerësuar atë që më shërben më shumë, mendova që të rikthehem në Itali, edhe pse është një ekip që lufton për mbijetesë.

Nuk më intereson aspak kjo gjë, pasi më duhet vetëm të kem minutazhin e duhur për të qenë në formë për në Francë”, shprehet ndër të tjera Basha, i cili deklaron se miqësorja me Austrinë është testi ideal për të parë gjendjen reale të Shqipërisë.

Kënaqësia e lojtarëve pas kualifikimit mendoni se është shqetësuese për pjesëmarrjen në Europian?

Kemi bërë një gjë shumë të madhe me atë që arritëm, si për Kombëtaren, edhe për të gjithë kombin. Kënaqësia është maksimale dhe, mbi të gjitha, vetëbesimi na është shtuar ndjeshëm.

Kjo, sepse duke arritur atë që bëmë ne, edhe vetë lojtarëve u shërben pozitivisht për të ardhmen. Është entuziazëm, i cili duhet ruajtur deri në Europian, mirëpo shumë e rëndësishme është që të mos e keqpërdorim. Ndryshe mund të na bëjë të gabojmë rëndë.

Mungesa e eksperiencës, apo entuziazmi i tepruar. Kush është më e rrezikshme për Shqipërinë?

Së pari, e përsëris që entuziazmi dhe vetëbesimi na duhet që t’i ruajmë, sepse na shërbejnë. Unë kam vite në Kombëtare dhe gjatë kësaj rruge është e vërtetë që kemi pasur edhe gabime që ndoshta nuk duhet të kishin ndodhur, por besoj se deri në këtë pikë ku jemi, kemi fituar shumë eksperiencë. Secili lojtar e di që do të jemi përkrah skuadrave më të mëdha europiane dhe na mbetet veçse të shohim se si do të na shkojnë gjërat edhe në Francë.

I druheni faktit që jemi debutues?

Uroj që të mos kemi arsye për ta bërë diçka të tillë. Mirëpo, duke qenë hera e parë që jemi në një nivel të tillë, normalisht që ekzistojnë mundësitë për të bërë edhe gabime, të cilat unë uroj dhe shpresoj të jenë sa më minimale e, pse jo, të mos ekzistojnë fare.

Përballë kemi dy ndeshje, një me një skuadër si Austria që renditet e dhjeta në FIFA dhe një tjetër me Luksemburgun…

Nuk janë gjë tjetër veçse dy ndeshje në të cilat ne duhet të vazhdojmë punën që kemi bërë. Ne nuk kemi bërë shpesh miqësore me ekipe të mëdha, mirëpo secilën prej tyre duhet ta shfrytëzojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

E dimë që Austria është një superekip dhe kjo do të na bëjë që të kuptojmë se sa gati jemi për në Francë. Luksemburgu nuk është e të njëjtit nivel, por nuk duhet të harrojmë asnjëherë se futbolli ka ndryshuar shumë, shumë dhe se nuk ka më asnjë ekip të lehtë. Mendoj që të dyja janë shumë të rëndësishme për Europianin.

Nga Seria A, disa muaj në Zvicër dhe tashmë në Serinë B duke luftuar për mbijetesë…

Të jem i sinqertë, unë kam bërë vetëm një gabim në jetë, ama e gjykoj që ka qenë trashanik: fakti që u riktheva në Zvicër. Kjo, sepse unë isha prej shumë vitesh në Itali, e më së shumti edhe në Serinë A dhe u riktheva në Zvicër. Krejtësisht gabim nga ana ime!

Pse e thoni këtë?

Nuk ishte një kampionat për mua. Këtë gjë e kuptova shumë shpejt dhe, pas dy javësh, kishim grumbullimin e parë dhe ia kam thënë edhe De Biazit.

Duke vlerësuar atë që më shërben më shumë, mendova që të rikthehem në Itali, edhe pse është një ekip që lufton për mbijetesë. Nuk më intereson aspak kjo gjë, pasi më duhet vetëm të kem minutazhin e duhur për të qenë në formë për në Francë.

Jo vetëm kaq, por në Zvicër nuk isha as i lumtur personalisht. Për një lojtar, pikë së pari duhet të jetë i lumtur dhe pastaj aspekti i objektivave personalë dhe sportivë.

Sa ju shërben transferimi te Komo, duke qenë se luftoni për mbijetesë në Serinë B?

Personalisht ndihem shumë mirë. Edhe pse nuk kemi pozitat e duhura në tabelë, por unë personalisht kam rigjetur ritmin e duhur dhe dua ta ndihmoj skuadrën me sa kam mundësi në çdo ndeshje.

Në këtë mënyrë, do arrij të përgatitem si duhet dhe të jem në dispozicion të Kombëtares në Europian.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"