EKSKLUZIVE/ “Bardheblutë nuk kanë bomber, të kuqtë ndryshojnë shpesh”, Pinari: Partizani dhe Tirana e kishin mendjen te derbi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2023 | 11:46

EKSKLUZIVE/ “Bardheblutë nuk kanë bomber, të kuqtë ndryshojnë shpesh”, Pinari: Partizani dhe Tirana e kishin mendjen te derbi…

Ndër të paktët që ka luajtur me të tria skuadrat e mëdha të kryeqytetit, Luan Pinari bën një analizë të detajuar për Tiranën, Partizanin dhe Dinamon, të cilat kaluan një javë të errët.

pinari

Ai ndalet më së shumti te “demat”, por nuk anashkalon as dy ekipet e tjera, madje për blutë që militojnë në Kategorinë e Parë thotë se tani situata është vërtetë shqetësuese dhe se duhet kthesa sa më shpejt. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ishkapiteni i Partizanit dhe i Dinamos shpjegon arsyet se përse po vuajnë ekipet më të titulluara në vend.

Pinari, pse ka kaq shumë luhatje Partizani?
Më duket se Partizani dhe Tirana e kishin mendjen te derbi këtë javë… Është e vërtetë që të kuqtë kanë pasur luhatje, por kjo u ka ndodhur edhe të tjerëve. Edhe Tirana ka luhatje të mëdha, ashtu si edhe Vllaznia. Pra, në dukje skuadrat janë të kompletuara me lojtarë, por ende “të papjekura” për t’i vlerësuar të gjitha ndeshjet njësoj.

Ndalemi fillimisht te Partizani, çfarë nuk shkon?
Ndryshimet janë një problem ndoshta. Nuk e kam fjalën vetëm për largimin e Skukës dhe Bitrit, por edhe për manovrat që bën trajneri gjatë një ndeshjeje. E mirëkuptoj Kolelën, ai nuk do që Partizani të ketë një skemë dhe një formacion fiks që të bëhet i lexueshëm. Dakord jam me këtë pjesë, por ama kur gjërat nuk shkojnë, atëherë trajneri mban faturën. Ai u tregua i sinqertë pas ndeshjes me Kukësin dhe tha që ua dhuroi pjesën e parë rivalëve. Megjithatë, unë nuk mendoj se është rasti për të kryqëzuar Kolelën.

Pse jo?
Sepse asnjë kundërshtar i Partizanit nuk po shkëlqen apo po merr arratinë. Shikoni Tiranën dhe Vllanzinë… Në këtë kuptim Partizani dhe Kolela janë matematikisht në rregull deri tani, sepse me një fitore në derbi mund të shkojë prapë i pari.

A mundet që brenda një viti Partizani të inaugurojë shtëpinë e re, të shesë për shuma rekord Skukën dhe Bitrin, por edhe të fitojë titullin?
Shikoni, ky është një kampionat i çuditshëm. Aq i çuditshëm saqë edhe Partizani me gjithë këto luhatje mund ta fitojë titullin. Sepse asnjë skuadër nuk ka stabilitet, prandaj ndodh e gjithë kjo. Varet se si do të përshtaten afrimet që kanë bërë për të zëvendësuar Skukën dhe Bitrin. Sepse ata që kanë ardhur duhet të japin një kontribut të rëndësishëm që të arrihet deri te titulli. Por Partizani më pëlqen, sepse aty edhe nëse nuk fitojnë titullin nuk e bëjnë dramë. Jam i bindur se objektivi primar pasi bënë shtëpinë e re dhe shitën lojtarë me shifra shumë të kënaqshme, është që të shkojnë në Europë. Por nuk do të heqin dorë as nga titulli, nuk diskutohet. Te Partizani ka një gjë të mirë që drejtuesit nuk e fusin skuadrën në stres për titullin.

A ka një këshillë që mund t’ia jepni Partizanit në distancë?
Që të zgjidhë problemin e fushës stërvitore. Nuk të motivon edhe aq shumë që të stërvitesh në një fushë tërë javën dhe më pas ndeshjen e kampionatit ta luash prapë aty. Nuk është ngacmuese dhe motivuese për lojtarët. Natyrisht kompleksi i ri me stadiumin e tyre u japin një dorë të madhe, sepse minimalisht nuk shpenzojnë më në stadiumet e tjera për ndeshjet që i luajnë si pritës, por ama u duhet edhe një fushë stërvitore veçmas.

Po me Tiranën çfarë po ndodh?
Tirana nuk është skuadra e vjetshme që çdo ndeshje e vlerësonte me të njëjtin impenjim. Ndryshimet e mëdha e kanë bërë më të brishtë. Nuk kanë ende një qendërsulmues që të tërheqë skuadrën. Ia kanë ngarkuar mbi shpatulla një djali të ri (Nikqit), i cili i shpëtoi me Kastriotin, por është ende shumë i ri për të vendosur ai gjithnjë. Tirana përdor dy skema zakonisht: 4-3-3 dhe 3-5-2. Me këtë të dytën mua më duket më e balancuar, por duke qenë se kanë krenarinë e tyre dhe filozofinë e një skuadre të madhe, shpeshherë përdoret 4-3-3. Kjo e fundit do pjekurinë e një sezoni më parë, kur Tirana nuk nënvlerësonte askënd…

Çfarë ndodh me Dinamon?
Kjo humbje me Tomorin ishte një kambanë alarmi. Jo vetëm sepse iu bënë dy humbje radhazi, por sepse Skënderbeu po ecën shumë mirë dhe Flamurtari ka shumë cilësi. Mendoj se me këtë humbje u komplikuan shumë gjërat dhe duhet një kthesë e menjëhershme. E di që janë në lojë edhe ndeshjet direkte, por në ato ndeshje Dinamo duhet të shkojë me moralin lart, jo në këtë gjendje që është sot. Me gjithë respektin, por të mos mundësh një ekip në mesin e tabelës si Tomori i këtij sezoni, do të thotë se ca gjëra nuk po shkojnë si duhet. Mendoj se duhet të zgjidhin edhe çështjen e stadiumit, sepse fusha e “Selman Stërmasit” për shkak të gjendjes ku është favorizon më shumë kundërshtarët. Dinamos i duhet një terren i mirë dhe pak kohë më parë hodha idenë që t’i luante ndeshjet në stadiumin e Partizanit, por nuk e di se sa e realizueshme mund të jetë kjo.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"