Egbo njeriu i çudirave, ja pse Tirana funksionon

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 28, 2020 | 23:03

FB Kategoria Superiore Të fundit Tirana

Egbo njeriu i çudirave, ja pse Tirana funksionon

Emanuel Egbo është njeriu i çudirave, njeriu i artë i bardhebluve dhe njeri i fitoreve. Në pesë ndeshjet e tij në krye të skuadrës në Kategorinë Superiore, njeh 15 pikë të plota. Ecuria me luhatje e viteve të fundit e bardhebluve, kërkon gati pesë vite kthim pas në kohë (22 mars 2015-26 prill 2015) kur 24 herë kampionët kanë siguruar kaq triumfe radhazi, asokohe me Gugash Maganin në krye. 

Festa e Egbo ne derbi

Nigerianoshqiptari, në ditët e sotme ka ditur të qetësojë çdo situatë të mundshme që solli edhe largimin e dy trajnerëve, Ardian Mema dhe Julian Ahmataj, si dhe mbi të gjitha ta rikthejë këtë ekip në garën për titull, kur shumëkush nisi ta mendojë pretendente për mbijetesë, pas aq shumë problemesh. Po cili është sekreti? Çfarë ka bërë Egbo që bardheblutë kanë tashmë shkëlqimin e 24 herë kampionëve?

SUKSESI EGBO

Katapultimi i Egbosë në krye të ekipit është suksesi kryesor i Tiranës. Ecuria e deritanishme, mund të jetë pak për të parashikuar fundin e kampionatit, por ndryshimi drastik i kursit të bardhebluve para dhe pas vendosjes së tij nën komandë, është ajo që u duhet kryeqytetasve për të kremtuar me titull 100-vjetorin e themelimit. Ndaj Luftëtarit, ishte e pesta fitore radhazi e Egbosë në krye dhe Tirana nuk shënonte pesë gola në kampionat prej më se tetë vitesh.

egbo

13 gola të shënuar dhe vetëm katër të pësuar është treguesi i qartë i ekuilibrave të gjetur nga nigeriano-shqiptari në krye të Tiranës. Në gjashtë sezonet e fundit në Superiore, më mirë sesa kjo Tiranë në javën e parë të fazës së tretë (34 pikë, 10 fitore, katër barazime, pesë humbje dhe golavarazh 34/21), në raport pikësh është vetëm ekipi i drejtuar nga Gugash Magani me 36 të tilla, por në atë sezon 2014- 2015, bardheblutë ishin në vend të katërt (36 pikë, 10 fitore, 6 barazime, 3 humbje dhe golavarazh 25/12).

Egbo

EGBO DHE TIRANA

Emanuel Egbo ka mbërritur në Shqipëri në korrik të vitit 2001 dhe deri në vitin 2004, ai numëron 157 ndeshje në portën e skuadrës kryeqytetase. Periudhë në të cilën ish-portieri fitoi me bardheblutë Kupën e Shqipërisë në sezonin 2001-’02, Superkupën në vitin 2002 dhe Kategorinë Superiore në sezonin 2002- ’03.

Pas qëndrimit te Bylis për katër vite, si trajner portierësh për 3 vite dhe një sezon në krye të ekipit, nigeriano-shqiptari rikthehet te bardheblutë për të mos u larguar më. Që nga viti 2014, Egbo është në stafin kryeqytetas në rolin e trajnerit dhe përgatitësit të portierëve e nga fundi i vitit 2019, u gradua si trajneri i parë i 24 herë kampionëve, në edicionin që kulmon me 100-vjetorin e themelimit të klubit më të titulluar.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com