“E treta, e vërteta”, rasti unikal i portierit të ri të Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2019 | 13:42

“E treta, e vërteta”, rasti unikal i portierit të ri të Kastriotit

Te Kastrioti kanë punuar intensivisht ditët e fundit për kompletimin e skuadrës nga porta e deri në sulm. Pak ditë më parë, krutanët tentuan të rikthenin Amarildo Çekrezin në portë, por ishin disa pika që nuk i bindën palët për të nënshkruar kontratën e re dhe në këtë mënyrë Kastrioti mbeti vetëm me portierin Bruno Puja.

kastrioti

Së fundmi, “Panorama Sport” ka mësuar në mënyrë ekskluzive edhe se cili është portieri që do t’u bashkohet krutanëve në ditët në vijim. Bëhet fjalë për “gardianin” Elidon Selaci, i cili pak ditë më parë firmosi në Superiore me Flamurtarin, por tashmë ka arritur të shkëputet me mirëkuptim nga klubi vlonjat për t’iu bashkuar Kastriotit në Kategorinë e Parë. Mund të cilësohet gjithçka e mbyllur, ndonëse dokumentacioni ende nuk është “vulosur” përfundimisht.

Selaci

Është një rast unikal, në fakt, pasi portieri Selaci, para se të shkonte te Flamurtari, ishte prezantuar tek Liria e Prizrenit në Kosovë, edhe pse nuk kishte firmosur. Mund të jetë i vetmi futbollist në botë që ndërron tri skuadra para se të nisë gara zyrtare. Kastrioti duket se do të jetë “e treta, e vërteta” për portierin në fjalë. Me këtë afrim, porta e Kastriotit “blindohet” dhe krutanët kanë më tepër siguri, duke qenë se Selaci ka goxha eksperiencë. Sezonin e shkuar ishte pjesë e Kamzës.

BOJOM – Një tjetër lajm i rëndësishëm për Kastriotin është rikthimi i qendërmbrojtësit Edi Bojom. Ka shumë mundësi që ai të ribashkohet me Kastriotin, pasi lajmi konfirmohet edhe nga drejtuesit e klubit krutan.

bojom

Për “Panorama Sport” ata kanë sqaruar se Bojom nuk mund të luajë në asnjë skuadër tjetër deri në janar dhe po negocion me krutanët për një rikthim të mundshëm te Kastrioti. Bojom është një lojtar cilësor dhe me eksperiencë, i cili do t’i jepte garanci prapavijës së ekipit që drejtohet nga trajneri Ndreu. Në këtë repart bëjnë pjesë lojtarë si Husein, Çela dhe Sefgjini.

Bujar Balliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"