Partizani prezanton Vilën: Erdha për t’u shpallur kampion! Do të flas në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2014 | 14:10

Partizani prezanton Vilën: Erdha për t’u shpallur kampion! Do të flas në fushë

[portfolio_slideshow]

Emiljano Vila është zyrtarisht i Partizanit. Gjatë paradites së djeshme ai është prezantuar në ambientet e klubit nga vetë presidenti Gaz Demi. Mesfushori i Kombëtares ka firmosur një kontratë njëvjeçare me opsion rinovimi, 1+1, ndonëse dëshira e tij ishte vetëm për një vit. Gjithsesi, presidenti Demi i premtoi se në asnjë rast ai nuk do të bëhej pengesë pas përfundimit të vitit të parë. Vila në prezantimin e tij pohoi se Partizani ia plotësoi kërkesat, gjë të cilin nuk ia afruan as klubet greke që e dëshironin. Ai deklaron se ka bërë zgjedhjen e duhur dhe në Shqipëri është kthyer për të fituar titullin kampion me fanellën e kuqe. Sipas Vilës, Superiorja është rritur dhe me rikthimin e disa kuqezinjve ky sezon pritet të ketë nivel edhe më të lartë… Përpara Partizanit është folur shumë për një transferim tuajin te Kukësi apo edhe te Flamurtari. Çfarë ndodhi në momentet e fundit? Dua të falënderoj në radhë të parë zotin Demi dhe profesor Sul Starovën dhe Shpëtim Duron. Dua t’i falënderoj dhe të gjitha klubet shqiptare që shfaqën interes ndaj meje, por besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur duke ardhur te Partizani. Do të mbani numrin 88 në fanellë, mund ta dimë pse zgjodhët pikërisht këtë numër? Unë në Kombëtare dhe te Janina kam mbajtur numrin 11. Por kur mora vesh se te Partizani numri 11 i përket Nderim Nexhipit, vendosa të marr një numër tjetër. Kam shumë respekt për Nexhipin, është një djalë shumë i mirë dhe kam fatin që do të luaj me të te Partizani, ndaj zgjodha numrin 88, atë të vitit tim të lindjes. Rikthimi juaj në Kategorinë Superiore është një sukses jo vetëm i Partizanit, por edhe i futbollit shqiptar. Prisni që ky rikthim të shoqërohet me fitimin e titullit? Kur më bëri ofertë presidenti Demi, synimi ishte që afrimi im të shoqërohej me titullin kampion. Por futbolli do edhe pak fat, ndaj besoj se edhe me pak fat ne do t’ia dalim. Këtë sezon janë rikthyer në Superiore disa lojtarë dhe ishlojtarë të ekipit kombëtar. Qenia pjesë e Partizanit, është një sfidë ndaj tyre? Besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Superiorja vjet ishte një kampionat shumë i mirë, gjë e cila do të jetë edhe këtë sezon. Por me ardhjen e 5-6 lojtarëve të ekipit përfaqësues niveli i kampionatit do të rritet edhe më shumë. Ndaj besoj se kampionati do të jetë më i bukur dhe nuk jam aspak pishman se u riktheva. Kisha oferta edhe nga Greqia, por nuk mund të rrija në Greqi vetëm për të luajtur jashtë vendit, përderisa kushtet nuk më plotësoheshin. Partizani m’i plotësoi kërkesat e mia dhe unë do t’ia shpërblej në fushën e lojës. Edhe pse luani si mesfushor i avancuar, keni treguar me Teutën dhe me Dinamon se e njihni mirë rrugën e rrjetës. Partizanit i mungon prej kohësh njeriu-gol. Çfarë mund t’u premtoni të kuqve? Unë di të them këtë: që në ditën e parë që do të vesh fanellën e Partizanit, do të jap maksimumin në fushën e lojës. Me pak fat dhe ndihmën e Zotit besoj se Partizani i këtij sezoni do të ecë shumë lart.

“Partizani ka bërë zgjedhjen e duhur, merkatoja s’ka mbaruar”
Në orën 10:00, në ambientet e klubit të kuqtë e kryeqytetit kanë prezantuar përforcimin më të ri, Emiljano Vilën. Pas fjalës së hapjes së zëdhënësit për shtyp Olsi Ranxhi, presidenti Gaz Demi ka preferuar që ta prezantojë vetë përforcimin e radhës të “demave të kuq”, gjë e cila tregon se Emiljano Vila është zgjedhja e duhur e të kuqve në merkato. Për presidentin prezantimi i Vilës konsiderohet si një ditë e mirë për Partizanin. “Sot (dje) është një ditë e mirë për Partizanin sepse sapo kemi firmosur me lojtarin e Kombëtares së Shqipërisë, Emiljano Vila. Them se së bashku me stafin kemi bërë një zgjedhje shumë cilësorë. I uroj mbarësi Vilës dhe të jetë atje ku ai e mendon. Djali u tregua shumë korrekt dhe shumë fisnik. Uroj që si ai, ashtu edhe ne, të kemi bërë zgjedhjen e duhur”, u shpreh Demi në fillim të prezantimit të lojtarit të Kombëtares. I pyetur për termat financiarë të kontratës së Vilës me Partizanin, Demi u shpreh: “Partizani është një ekip i madh dhe nuk diskutojmë shifra. E rëndësishme është që jemi shumë të kënaqur me lojtarin, edhe ai ndihet gjithashtu i kënaqur dhe do të jetë edhe më i kënaqur në të ardhmen. Ne si staf drejtues kemi treguar se lojtarët nuk lëvizin lehtë nga Partizani, pasi ka korrektësi mes dy palëve”. Përpos Vilës, të kuqtë synojnë edhe të tjerë lojtarë të Kombëtares, ku është përfolur Edgar Çani. Rreth këtij fakti Demi u shpreh: “E dinë drejtuesit nëse presim ndonjë lojtar tjetër kuqezi. Do ta shikojmë me kujdes situatën, sepse ende nuk ka mbaruar merkatoja”.

Të kuqtë këmbëngulin për sulmin, priten kuqezinj
Partizani deri më tani ka afruar në ekip 12 futbollistë, ku Emiljano Vila është më i fundit. Megjithëse numri është i madh, të kuqtë sërish mbeten në merkato dhe për momentin prioritet është përforcimi i sulmit. Nga burime të ndryshme mësohet se drejtuesit kërkojnë të afrojnë lojtarë me peshë në këtë repart, pse jo edhe pjesëtarë të ekipit kombëtar. Shtatlarti i kuqezinjve, Edgar Çani, është më i përfoluri për momentin, madje thuhet se klubi i ka nisur bisedimet me sulmuesin. Gjasat janë që Emiljano Vila nuk do të mbetet i fundit nga kuqezinjtë në radhët e Partizanit, kështu që nuk përjashtohet mundësia që në ditët në vijim të ketë surpriza të tjera nga merkatoja e “demave”. Përpos Edgar Çanit, flitet se kryeqytetasit janë në kontakte edhe me një sulmues të huaj, emri i të cilit nuk bëhet me dije. Rreth këtij sulmuesi thuhet vetëm se është një futbollist me një CV të pasur, por nuk japin detaje të tjera. Lëvizjet e fundit të drejtuesve të Partizanit në merkato i kanë bërë optimist tifozët, të cilët tani ndihen më të sigurt në rrugën e suksesit në sezonin e ri. Partizani gjatë kësaj periudhe është munduar që të mos i zbulojë para kohe emrat e futbollistëve që dëshiron. Zakonisht, ata janë bërë publikë vetëm kur është arritur akordi mes palëve dhe në këtë rrugë po punohet edhe aktualisht, ndonëse në disa raste nuk kanë arritur që t’i ruajnë të gjitha sekretet. Presidenti Demi edhe dje u tregua i rezervuar rreth emrave që përfliten, siç është ai i Edgar Çanit, por pohoi se merkatoja është e hapur dhe me atë po merren drejtuesit e klubit. “E dinë drejtuesit nëse presim ndonjë lojtar tjetër kuqezi. Do ta shikojmë me kujdes situatën, sepse ende nuk ka mbaruar merkatoja”, kështu është shprehur dje njëshi i të kuqve rreth asaj që pritet në ditët e mbetura të merkatos verore.

Vila, Batha dhe Rrahmani i bashkohen ekipit në Bullgari
Emiljano Vila, pas prezantimit të djeshëm, menjëherë ka marrë rrugën drejt Bullgarisë për t’iu bashkuar ekipit që prej disa ditësh përgatitet në Bansko. Së bashku me durrsakun kanë udhëtuar edhe mesfushori Idriz Batha dhe mbrojtësi Amir Rrahmani, të cilët për disa ditë kanë mbetur larg ekipit, pasi ishin peng i pasaportave që i kishte grumbulluar ekipi kombëtar U-21 për miqësoren me Katarin. Duke ditur se Ambasada Britanike nuk i pajisi me viza kuqezinjtë e trajnerit Skënder Gega, gjë e cila solli edhe dështimin e miqësores, dje Batha dhe Rrahmani u janë bashkuar Vilës për të udhëtuar drejt Bullgarisë. Grumbullimi i pasaportave nga FSHF për miqësoren e Shpresës me Katarin, që ishte planifikuar të luhej në Skoci, bëri që Batha dhe Rrahmani për një javë të vijonin përgatitjet në kryeqytet duke mbetur larg ekipit. Kështu që nga sot, trajneri Shpëtim Duro do ta ketë të plotë grupin e lojtarëve në Bansko, pasi i shtohet edhe treshja Vila-Batha-Rrahmani. Partizani ka planifikuar që të përgatitet në Bullgari deri më 13 gusht, kështu që në javën e dytë trajneri Duro e ka të plotë grupin.

Vatnikaj, golashënuesi më i mirë i të kuqve në miqësore
Jurgen Vatnikaj mund të konsiderohet si njeriu-gol i Partizanit gjatë kësaj faze përgatitore. Sulmuesi, që më 8 gusht mbush 19 vjeç, po kalon një moment të mirë dhe pritet të jetë surpriza e sezonit, jo vetëm te të kuqtë, por edhe në Superiore. Në dy miqësoret e fundit që skuadra ka zhvilluar në Bullgari dhe të fituara nga Partizani, sulmuesi ka shënuar 3 gola. Vatnikaj shënoi golin e dytë në fitoren 2-0 të Partizanit ndaj grekëve të Panserraikos, ndërsa dje, ndonëse luajti sërish si zëvendësues, arriti të tregojë vlerat me dy gola. Trajneri Duro gjithnjë është shprehur me superlativa për sulmuesin e ri dhe e konsideron si një alternativë të rëndësishme për Partizanin e sezonit të ri. Nga burime të ndryshme mësohet se trajneri Duro, po të ishte për të zgjedhur, do të seleksiononte Vatnikajn para brazilianit Magalhaes. Jo vetëm trajneri, por edhe shokët e skuadrës thonë fjalë të mira për sulmuesin e ri dhe ata kanë bindjen se Jurgeni do të jetë një armë më shumë për suksesin e Partizanit në edicionin e ri.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"