“E ndalim Partizanin”, mbrojtësi i Teutës: “Demat” super, por i kemi marrë masat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 7, 2023 | 9:40

“E ndalim Partizanin”, mbrojtësi i Teutës: “Demat” super, por i kemi marrë masat

Teuta nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 ndaj Kukësit dhe kapiteni Blerim Kotobelli, në një prononcim për “Panorama Sport”, shprehet ende mjaft i zhgënjyer për rastet e humbura në atë ndeshje, ku luajtën më shumë se një pjesë me një lojtar më shumë pas daljes me të kuq të Lalës. Kapiteni i bluve theksoi se ajo ndeshje duhej fituar dhe janë 2 pikë të humbura. Megjithatë, ai shikon përpara dhe beson se Teuta i ka mundësitë për të arritur synimet, duke nisur që nga ndeshja e sotme e prapambetur ndaj Partizanit në “Niko Dovana” në orën 17:00.

kotobelli

Blerim, ndaj Kukësit, edhe pse me një lojtar më shumë, në fund nuk morët dot tri pikët. Çfarë nuk shkoi?

Më vjen keq që nuk finalizuam, pasi kishim mundësitë dhe shanset tona. Kur kërkon ta fitosh ndeshjen me patjetër, kundërshtari përfiton nga gabimet tona. Na vjen keq që nuk shënuam, pasi kjo është më e dhimbshme.

Vini pas 6 ndeshjeve pa fitore. Mendoni se ka ardhur momenti të merrni tri pikët, edhe pse përballë është Partizani?

Mendoj që si unë, dhe çunat e tjerë po e shohim me optimizëm këtë duel. Këtë gjë e kemi folur gjatë gjithë kohës. Ne e dimë që kampionati është i gjatë. Në fund të kampionatit do të bëjmë llogaritë. Do t’i marrim ndeshjet një e nga një, siç kemi bërë gjithmonë. Jemi gati për të dhënë 100%.

Keni humbur ndeshjen e fundit ndaj Partizanit në minutën e 95-të. Si mund t’ia dilni ndaj tyre?

Nuk mund ta shpjegoj këtu strategjinë e ekipit për ndeshjen e nesërme (sotme). Ne do të tentojmë me të gjitha mundësitë tona për të marrë maksimumin nga kjo përballje.

Partizani është një nga skuadrat me mbrojtjen të mirë. Mendoni se do ta keni të vështirë ta zhbllokoni sfidën?

Ne e kemi vlerësuar Partizanin. Është një nga ekipet më të forta në kampionat. Gjithë ekipet janë të forta. Me meritë janë në vendin e 2-të të kampionatit. Janë ekipi, që kanë pësuar më pak gola dhe janë gjithmonë të ekuilibruar. Do të tentojmë duke dhënë 100%.

Keni pasur vetëm pak ditë kohë për ta përgatitur këtë takim. Sa ndikon në gjendjen tuaj fizike?

Unë jam i bindur se ekipi e ka forcën, por edhe shpirtin e garës për t’u paraqitur në fushë sa më mirë të jetë e mundur. Ne e dimë që kemi një kundërshtar të fortë si Partizani, por jemi të përgatitur për ta përballuar në mënyrën e duhur. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"