Dy muaj pas dëmtimit, Rrumbullaku optimist: Duhet të ndryshojmë “marsh” për vendin e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2018 | 18:16

Dy muaj pas dëmtimit, Rrumbullaku optimist: Duhet të ndryshojmë “marsh” për vendin e parë

Kukësi rigjen Simon Rrumbullakun. Mbrojtësi i majtë ka hedhur pas krahëve frakturën që pësoi më 28 gusht dhe është gati për ndeshjen me Kastriotin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 27-vjeçari flet për periudhën e kaluar jashtë fushe, por edhe për ekipin. Ai paralajmëron se verilindorët do kthehen më të fortë.

simon rrumbullaku kukesi

Pas dy muajsh jashtë fushe, si ndihet tani Rrumbullaku?

Dëmtimi që pësova u duk i thjeshtë fillimisht, por pas kontrolleve u konstatua se fraktura kërkonte kohe. Tani falë Zotit, mbas kaq kohësh, u mbyll përfundimisht dhe jam futur 100% me grupin, por po kryej dhe stërvitje me program personal, me qëllim që të rifitoj kohën e humbur.

Si e keni parë ekipin nga distanca gjatë kësaj kohe?

Grupi po stërvitet mirë e në nivele të larta, stafi gjithashtu është në gatishmëri të plotë. Shoh që ka grintë dhe mjaft dëshirë për t’u rikthyer te fitoret.

Dy humbje ndaj rivalëve ju kanë “vrarë” psikologjikisht?

Natyrisht që humbjet kundër rivalëve direkt na kanë mërzitur shumë, pasi ekipi ynë është ndërtuar për të fituar e synuar tituj, e objektivi ynë është titulli dhe kupa. Pushimi për shkak të Kombëtares besoj na ka ndihmuar shumë nga ana psikologjike, pasi kemi qëndruar me shumë me njëri-tjetrin, i kemi kuptuar gabimet tona.

Si e shikoni kampionatin tani që jeni në vend të katërt?

Është fillimi, kampionati është shumë i gjatë, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të ecim me këtë “marsh”. Jemi gati për të vijuar rrugën e suksesit. Të gjitha ekipet e tjera do gabojnë, për këtë jam i sigurt, por ne nuk duhet të gabojmë më ose më saktë gabimet tona të jenë minimale. Shumë shpejt do ndryshojmë sërish pozicionet në tabelë.

Cili është rivali më i fortë sipas jush?

Të gjitha ekipet janë rivale të forta, pasi gjithsecili kërkon të bëjë dhe të marrë më të mirën për vete, por unë besoj se katër ekipet e kreut dhe Flamurtari janë paksa më të forta.

Çfarë mangësie shfaqi Kukësi kundër Skënderbeut dhe Partizanit?

Nuk mendoj se kemi pasur mangësi, pasi lojë dhe raste kemi prodhuar pa fund. Fati nuk ka qenë me ne në finalizim. Të krijosh në çdo ndeshje të paktën 4- 5 raste nuk është pak. Por, për fat të keq, nuk kemi arritur të shënojmë, e ky është futbolli. Rëndësi ka të kthehemi sa më shpejt te fitoret.

Ndeshja me Kastriotin është shansi më i mirë për kthesën?

Është ndeshje e rëndësishme, aq sa ndaj Skënderbeut apo ndaj çdo ekipi tjetër. Na duhet të japim maksimumin, pasi ekipet që nuk kanë çfarë humbasin kanë një specifikë të veçantë, luajnë lirshëm dhe pa presion. Prandaj nuk duhet nënvlerësuar kundërshtari.

Jeni i lumtur që tashmë jeni i gatshëm për të luajtur dhe si jeni ndierë këto kohë që nuk mund ta ndihmonit dot ekipin?

Kalova një periudhë të vështirë, për shkak të plagës nuk mund të stërvitesha normalisht e të ndihmoja ekipin. Tashmë mundohem çdo ditë të bëj maksimumin e të jem gati kur trajneri të ma kërkojë. Qëllimi ynë i përbashkët është të rimarrim vendin e parë. Dhe kualiteti nuk na mungon, ndaj duke filluar nga ndeshja e radhës, duhet të mendojmë vetëm për pikët e plota.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"