Duka: Ndaj Spanjës e Italisë duhen 30 lojtarë, nuk jemi ekip që të pranojmë humbjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2017 | 15:36

Duka: Ndaj Spanjës e Italisë duhen 30 lojtarë, nuk jemi ekip që të pranojmë humbjen

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mendon se kombëtarja kuqezi e ka arritur objektivin e saj në këto kualifikuese, por ndaj Spanjës dhe Italisë duhet të jepet maksimumi për të promovuar vlerat e futbollit tonë. Në një intervistë të dhënë për “Supersport”, ai tha se humbja me Izraelin “djeg” akoma.

duka kombetarja u-19

Ndeshjet ndaj Spanjës dhe Italisë

“Me Spanjën dhe Italinë? Janë dy ekipe shumë të forta, dy kampionë bote. Por, ne nuk jemi ekip për të pranuar humbjet kundër tyre. Ne do të bëjmë maksimumin. Duhet të bëjmë gjithçka mirë edhe pse fatkeqësisht kemi shumë mungesa. Ndaj kundërshtarëve të tillë kampionë bote duhet të kesh 30 lojtarë. Megjithatë, besoj se ata që do të luajnë do të bëjnë më të mirën dhe mund të arrijmë diçka.”

Lojtarët nën presion?

“Në grup është thuajse gjithçka e vendosur dhe lojtarët nuk kanë përse të kenë presion. Janë ndeshje që do të tërheqin vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe duhet të promovojmë futbollin shqiptar.”

Mesazhi i De Biazit

“De Biazi më ka dërguar mesazh ku më tha shpresoj të fitoni me Spanjën dhe të bëheni heronj të Italisë. Ndërsa unë i thashë që fitojmë me Spanjën dhe me Italinë. Spanja është një nga skuadrat më të mira në botë që ka kualitet pavarësisht problemeve të brendshme. Megjithatë le t’i shfrytëzojmë konfliktet e tyre të brendshme në këto momente, ndërsa më tej pastaj ata mund t’i zgjidhin këto çështje pas ndeshjes tonë.”

Objektivi dhe humbja me Izraelin

“Vendi i tretë? Mund të themi se nga ky kompeticion kemi marrë atë që të paktën e kishim llogaritur në fillim. Pishman është vetëm humbja me Izraelin në shtëpi. Objektivi mund të konsiderohet i arritur. Por kemi edhe dy ndeshje, mund të kërkojmë edhe më tepër dhe nuk mund të dorëzohemi ende pa u mbyllur aktiviteti.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"