Dueli përballë Skënderbeut, Kotobelli karikon ekipin: Ne dimë si të ringrihemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2023 | 12:00

Dueli përballë Skënderbeut, Kotobelli karikon ekipin: Ne dimë si të ringrihemi

Blerim Kotobelli beson te suksesi ndaj Skënderbeut, në ndeshjen që do të zhvillohet sot në orën 17:00 në stadiumin e Korçës. Kapiteni i Teutës, në një intervistë për “Panorama Sport”, deklaroi se skuadra është gati për trepikëshin. Pavarësisht rëndësisë që ka ky takim, mbrojtësi i majtë e sheh të gjatë rrugën deri në fund të kampionatit. Sipas Kotobellit, korçarët kanë një skuadër simpatike dhe sot pret një ndeshje shumë të luftuar, ku Teuta do të kërkojë fitoren.

kotobelli

 

Blerim, vini nga një ndeshje me Laçin, ku latë dy pikë në momentet e fundit. Çfarë nuk shkon që skuadra ka kaq luhatje?

Sigurisht që lënia e pikëve në fund ka efektin e vet, por unë mendoj se e gjithë skuadra është munduar të jetë agresive dhe të sulmojë për të fituar ndeshjen. Në momente të caktuara humbet përqendrimi, por kam besimin se shumë shpejt do të rikthehemi te fitorja. Dimë si të kalojmë këto momente të vështira dhe unë jam optimist.

Prisni tri pikë nga ndeshja me Skënderbeun?

Skënderbeu është një skuadër simpatike, që ka elementë të rinj dhe eksperiencë brenda. Janë një skuadër pragmatiste dhe duhet të kemi shumë kujdes. Të shkojmë në këtë përballje me objektivin e qartë për të marrë maksimumin. Për këtë po stërvitemi, që të marrim më të mirën në Korçë. Ne duhet të bëjmë lojën tonë dhe pastaj, se çfarë rezervon fati, të shohim në fushë.

Një pikë me korçarët në transfertë do të ishte OK për Teutën?

Kjo do të shikohet në varësi të ndeshjes dhe ajo që japim në fushë, sepse mund të luash shumë mirë, por nuk merr atë që kërkon. Rëndësi për ne ka që të marrim pikët maksimale, nuk mund të them tani që do të na kënaqte një barazim.

Teuta dhe Skënderbeu janë skuadrat që shënojnë më pak. Pse vuani kaq shumë për golin?

I tillë është futbolli. Jemi munduar të bëjmë mirë, kemi sulmuar shumë dhe kemi krijuar raste për shënim në çdo ndeshje. Në sfidën e fundit ndaj Laçit nuk arritëm të “vrisnim” ndeshjen. Megjithatë, duke vazhduar në këtë mënyrë loje, besoj se do të shënojmë më shumë në vijim.

Nga ana tjetër, skuadra gjithashtu pëson shumë gola. Çfarë duhet të ndryshojë në mënyrën se si mbroheni?

Mendoj se kjo është diçka që do të rregullohet gjatë rrugës. Deri më tani kemi treguar se dimë të reagojmë.

Z. QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"