Duel vendimtar/ Teuta pret zhbllokimin e sulmuesve kundër Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 23:40

Duel vendimtar/ Teuta pret zhbllokimin e sulmuesve kundër Vllaznisë

Për të dalë nga zona e ftohtë e renditjes Teuta duhet të mundë Vllazninë të shtunën në “Niko Dovana”. Fitorja në Korçë e ka ngrohur atmosferën, por asgjë nuk do të kishte vlerë, nëse durrsakët nuk fitojnë ndeshjet e tjera në vazhdim, duke nisur nga kjo me shkodranët. Situata mbetet e komplikuar në renditje dhe asgjë nuk mund t’i lihet rastësisë.

teuta

Objektivi i vetëm i Teutës është fitorja, me shpresën për të përfituar nga çdo hap i gabuar i rivalëve për t’iu larguar “play-out”- it. Kundërshtari vjen nga një ecuri negative dhe në Durrës do të kërkojë kthesën, por për skuadrën e trajnerit Edi Martini vlen vetëm trepikëshi. Është e qartë se do të jetë e vështirë, por jo e pamundur.

Te Teuta presin golat e sulmuesve, të cilët janë bllokuar prej disa javësh. Fitoren e fundit në Korçë kësaj skuadre ia dha një gol i mbrojtësit Gjini, kurse kundër Laçit dhe Dinamos nuk ia arriti ta gjente rrugën e rrjetës. Ndoshta ka ardhur momenti që reparti i avancuar të shënojë gola të rëndësishëm për objektivin në një ndeshje të vështirë si kjo me Vllazninë.

GJENDJA – Sulmuesi Realdo Fili, i cili ka munguar në tri ndeshjet e fundit për shkak dëmtimi, është gati për trajnerin Edi Martini. Po ashtu, edhe Muço Boçi e ka kaluar gjendjen gripale dhe prej disa ditësh është bashkuar me ekipin në stërvitje. Mungesa e vetme për sfidën e së shtunës është ajo e mbrojtësit David Gjinollari, i pezulluar për shkak kartonësh.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"