Duel “ferri” me kampionët, Teuta luan për pikën e kthesës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2023 | 17:08

Duel “ferri” me kampionët, Teuta luan për pikën e kthesës

Teuta është drejt mbylljes së përgatitjeve për ndeshjen e nesërme ndaj Partizanit në “Niko Dovana” në orën 17:00, e vlefshme për javën e parë të Kategorisë Superiore.

teuta

Dueli i fundit mes tyre është zhvilluar rreth 1 muaj më parë, ku Partizani arriti të fitojë 1-0 në minutat e fundit me një gol të Albers Kekos, i cili u shfaq në derbi dhe arriti të tregohet sërish i rëndësishëm. Kjo ndeshje ndaj Partizanit për Teutën ka një vlerë të madhe, pasi ndodhet në pozita shumë të vështira në klasifikim dhe kërkohet menjëherë reagimi.

Nëse nuk vjen, kriza do të ishte akoma më e thellë, pavarësisht se luajnë me ekipin kampion. Në ndeshjen e luajtur në “Arenën e Demave” Teuta dha sinjale se mund ta vërë në vështirësi Partizanin dhe të prodhojë një paraqitje produktive ndaj të kuqve. Në atë kohë kampionët në fuqi vinin pas një ecurie të frikshme, teksa tani vijnë pas tre barazimesh radhazi dhe besimi nuk është si 5 javë më parë.

KALENDARI – Dy ndeshjet e radhës për Teutën janë beteja “zjarri”. Nëse nesër blutë ndeshen me Partizanin, të hënën do të kenë përballë Egnatian, një tjetër ekip pretendent dhe kryesues i renditjes. Kjo e bën shumë të vështirë misionin për të dalë nga situata e vështirë. Nga ana tjetër mund të jetë edhe një pikë e madhe kthese, pasi nëse ndal këto dy ekipe, fiton pikë të rëndësishme dhe moral të madh.

PËRGATITJET – Përgatitjet e ekipit nën drejtimin e trajnerit Edi Martini vijojnë në mënyrë intensive. Skuadra ka punuar më së shumti në lojë, teksa Martini e ka ndarë grupin në dy pjesë. Ra si zakonisht në sy loja e fortë e skuadrës, ku të gjithë futbollistët prej kohësh po kërkojnë një vend titullari në skuadër dhe po mundohen t’ia mbushin mendjen trajnerit Martini që ata janë të duhurit për 11-shen e parë. Trajneri dje ka zgjedhur edhe një herë të punojë taktikisht me ekipin duke e vendosur në fushë në kushte loje, por duke i ushtruar më shumë rëndësi qarkullimit të topit në distanca të ngushta dhe situatave të kundërsulmit qoftë aktiv edhe pasiv. Sa i përket formacionit, trajneri pritet të bëjë ndryshime, megjithëse është munduar të fshihet vazhdimisht.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"