“Dua shpirt gare nga Vllaznia”, Osmani: Me Partizanin të rikthejmë qetësinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2024 | 15:51

“Dua shpirt gare nga Vllaznia”, Osmani: Me Partizanin të rikthejmë qetësinë

Vllaznia nuk ka shumë kohë për “të qarë” humbjen ndaj Egnatias në Kupën e Shqipërisë, pasi pak ditë më pas do të jetë mysafire në Tiranë për t’u ndeshur me Partizanin në kampionat. Një përballje, ku luhet vendi i dytë në tabelën e klasifikimit dhe nga shkodranët pritet reagim.

OSMANI

U bënë tri ndeshje që tashmë kuqeblutë kanë çeduar në lojë dhe në rezultate. Ajo humbje në Kukës u duk aksidentale, por në fakt nuk ishte kështu, sepse Vllaznia më pas gaboi në “Loro Boriçi” kundër Erzenit, duke mos shkuar më shumë se barazimi 1-1, madje edhe mund ta kishte pësuar me rastet që patën shijakasit. Dhe tani humbja e dytë në tri ndeshje. Disfata në Rrogozhinë mund të justifikohet me kartonët e kuq të Stojanovviç dhe Hakajt, ndërkohë që kualifikimi mbetet i hapur për sfidën e kthimit në Shkodër, por humbja mbetet humbje dhe ndikon në aspektin psikologjik të skuadrës.

OSMANI – Për trajnerin e Vllaznisë, Qatip Osmani, sfida e radhës me Partizanin është e një dimensioni tjetër nga ajo me Egnatian në Kupë. Sipas trajnerit të shkodranëve, rrugëtimi është i gjatë dhe përballja ndaj Partizanit duhet konsideruar thjesht si takimi i radhës. “Jam i kënaqur me atë që kanë dhënë lojtarët tanë në fushë edhe kur ishim me 10 vetë, edhe kur ishim me 9 vetë në Rrogozhinë. Shpresoj që me atë shpirt të luajmë edhe në takimin me Partizanin. Rivaliteti në kampionat nuk është vetëm me Egnatian e vendit të dytë. Nuk është si në Kupë dhe ne do të bëjmë më mirën për të siguruar “Final 4”. Kjo është në radhë të parë. Na duhet të kthejmë qetësinë që patëm para këtyre tre takimeve të fundit, duke përfshirë këtu edhe Kupën. Ne i kemi aspiratat tona, si në kampionat, edhe në Kupë”, ka pohuar trajneri Osmani.

GJENDJA – Te Vllaznia është ndjerë dukshëm mungesa e mbrojtësit të djathtë, Geralb Smajli. Pavarësisht se paraqitja e Salës ka qenë e kënaqshme në dy përballjet kundër Erzenit dhe Egnatias, sërish me Smajlin skuadra është ndryshe, sidomos sa i takon manovrës sulmuese të saj. Smajli nga e djathta dhe Hakaj nga e majta janë dy lojtarë shumë aktiv, që e ndihmojnë Vllazninë të krijojë situata rreziku në zonën kundërshtare gjatë ndeshjeve.

Stafi mjekësor dhe vetë lojtari po bëjnë maksimumin që të dielën ndaj Partizanit tekniku Qatip Osmani ta ketë në fushë mbrojtësin 21-vjeçar. Ai në fakt duket se është drejt rikuperimit, pasi po bën vrapime dhe po bashkohet gradualisht me grupin, përveç punës që kryen në sallën e forcës. Me rikthimin e Smajlit skuadra kuqeblu do të ishte e plotë kundër Partizanit, duke shtuar shanset për një rezultat pozitiv në kryeqytet. Megjithatë, akoma nuk mund të merret e sigurt prania e mbrojtësit të djathtë.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"