“Dua kombëtaren dhe një kampionat më të fortë”, Hadroj: Shpresoj t’i dalë fjala Shehit, ja kush janë katër skuadrat për “Final 4”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2024 | 18:00

“Dua kombëtaren dhe një kampionat më të fortë”, Hadroj: Shpresoj t’i dalë fjala Shehit, ja kush janë katër skuadrat për “Final 4”

Andi Hadroj shpreson që së shpejti të shohë veten në një kampionat me të fortë e pse jo, edhe me fanellën e Kombëtares. Mbrojtësi i Partizanit, në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, ka treguar se vazhdon të jetë pjesë e të kuqve, ndonëse për të interesimi nga klube të tjera nuk ka munguar.

hadroj

Andi, jemi në periudhë merkatoje dhe pyetja që të gjithë tifozët e kuq bëjnë: do vijosh të jesh pjesë e Partizanit?
Besoj se po. Deri tani nuk ka asgjë konkrete, deri tani jam pjesë e Partizanit. Të ardhmes nuk i dihet.

Ke pasur oferta konkrete këtë periudhë? Ka Hadroj një objektiv, ku e sheh të ardhmen?
Si çdo lojtar, ëndrra e parë është Kombëtarja. Pastaj një kampionat më të fortë për të parë veten. Dua të shikoj me qetësi këtë pjesë sepse u bënë disa vite që dua të lëviz, por ta shohim.

Ju e keni provuar shijen e Kombëtares, por ndoshta për të qenë pjesë e saj përsëri duhet të jesh pjesë e një kampionati më të fortë. A është kjo një arsye e fortë për t’u larguar nga kampionati ynë?
Emocionet me kombëtaren janë të një tjetër niveli në krahasim me kampionatin. Normale që të jep motiv më shumë për të luajtur diku jashtë dhe të ndjesh emocionet e Kombëtares. Edhe kampionatet më të forta ta japin këtë lloj emocioni.

Edhe Shehi u shpreh që shumë shpejt mund ta shohim jashtë Shqipërisë, foli me fjalë të mëdha…
Faleminderit shumë profesorit, na ka sjellë frymë të re.. Inshallah i del fjala.

Të pëlqen roli i ri në fushë? Sepse tani të shohim më pranë portës kundërshtare…
Roli im është që jam një mbrojtës që kam dëshirë të sulmoj shumë. Edhe mbrapa nuk është se jam keq, por profesori e ka kuptuar që jam mirë në këtë pjesë dhe e ka shfrytëzuar. Shpresojmë të na ecë.

Si të duket Partizani i këtij sezoni, sa shanse i jep në garën për titull?
Çdo vit futemi me synim titullin dhe në grupet e Europës duhet të jemi të padiskutueshëm.

Një vit më parë duelet me Tiranën zgjatën deri në sekondat e fundit, si e sheh këtë vit rivalitetin?
Përsëri dhe këtë vit, Tirana është ekip i fortë, edhe pse ka patur momente ku ndoshta nuk ka qenë me. Egnatia është ekip shumë, shumë i mirë. Bashkë me Vllazninë besoj se ne të katërt do të jemi për play-off.

Në këtë fundjavë luani me Laçin, që ka pasur luhatje këtë sezon, por që ka treguar se mund t’u prishë punë çdo skuadre…
Në këtë kampionat nuk kemi parë skuadra që kanë bërë namin apo kanë mbajtur 5-6 ndeshje pa humbje. Edhe Laçi është ekip me çuna të rinj, që luajnë mirë si brenda, ashtu edhe jashtë, duhet t’i marrim seriozisht.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"