Dosje me prova, Partizani çon në “gjyq” Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2016 | 14:35

Dosje me prova, Partizani çon në “gjyq” Tiranën

Partizani ka mbetur i zhgënjyer nga ven dimet që Komisioni i Disiplinës mori për dhunën që u ushtrua në ambientet e brendshme të stadiumit “Selman Stërmasi”. dervishiSipas të kuqve, drejtësia nuk është vendosur, pasi organizatorët e derbit gabuan dhe kërkojnë që të gjithë shkaktarët të marrin ndëshkimin e duhur. Pakënaqësia e Partizanit për masat e marra nga Disiplina u bë prezent edhe në konferencën për shtyp të kapitenit Alban Hoxha, i cili, në fjalën e tij, kërkoi drejtësi.

Pyetjes që iu bë kapitenit se Disiplina i mori masat, ndaj çfarë kërkoni më shumë, i dha përgjigje zëdhënësi për shtyp i klubit, Olsi Raxhni:

“Nuk i takon Albanit të flasë për këtë çështje, pasi ai është këtu për të folur për ndeshjen me Bylisin. Vendimi i Disiplinës nuk na ka kënaqur. Normalisht që do të vazhdojmë betejën tonë ligjore, pasi klubi organizator besoj se ka gabuar në atë takim”.

Përpos apelimit të vendimeve të fundit, mësohet se Partizani ka nisur edhe përpilimin e një dosjeje me shkeljet e pashqyrtuara nga Disiplina në  mbledhjen e 6 majit. Dosje, të cilën po e përgatisin drejtuesit e ku pritet të jetë e argumentuar me prova, pasi shumë pamje filmike që janë bërë publike në rrjete sociale dhe në portale të ndryshme nuk janë shqyrtuar.

Ankimimi i Partizanit për organizatorët e derbit do të nisë që nga koreografia e bardhebluve që u shpalos në fillim, thirrjet me karakter politik dhe diskriminues, ofendimet që përdorën lojtarët e Tiranës pas ndeshjes karshi rivalëve, si dhe mesazhi skandaloz që jep zv.kapiteni Gent Muça. Në dosje do të përfshihen edhe pamjet audio-vizive ku duket qartë dhuna e pjesëtarëve të ndryshëm të klubit të Tiranës, të cilët nuk u përfshinë në masat ndëshkimore që u morën më 6 maj. Indinjata më e madhe në kampin e kuq ka të bëjë me gjakosjen e drejtorit Dervishi, dhunimi i të cilit u dokumentua me pamje filmike dhe foto, por për ata nuk është marrë parasysh nga Disiplina.

Sipas drejtuesve të Partizanit, nëse Komisioni i Disiplinës do t’i kishte shqyrtuar të gjitha faktet dhe të përdorej standardi i përdoruar në të shkuarën, të kuqtë mund të merrnin edhe fitoren në tavolinë. Gjithsesi, për Partizanin nuk mbetet primar trepikëshi, por dënimi real i shkaktarëve të dhunës.

Përgatiti: ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"