Dita: Kisha disa oferta, ja pse zgjodha Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2014 | 9:29

Dita: Kisha disa oferta, ja pse zgjodha Teutën

DitaBruno Dita është përforcimi i gjashtë i Teutës deri më tani. Ish-mesfushori i Dinamos dhe Besës në dy sezonet e fundit la kavajasit për të qenë pjesë e durrsakëve në dy vitet e ardhshme. “Pas një dileme disaditore, tani e kam bërë zgjidhjen time dhe besoj se është e duhura. Falënderoj drejtuesit e Teutës për korrektësinë dhe besimin e treguar ndaj meje. Jam i bindur që falë projektit të klubit do të zhvillojmë një sezon shumë pozitiv. Kam fatin që njihem prej kohësh me pjesën më të madhe të futbollistëve aktualë të Teutës, disa te Besa, si dhe te Shpresat. Gjatë kësaj kohe kam pasur oferta edhe nga klube të tjera, si Tirana apo Elbasani, por jam i lumtur me zgjedhjen që kam bërë. Qëllimi im është që pas disa viteve në kampionatin shqiptar, të mund të nënshkruaj për ndonjë klub të huaj. Më pas duke luajtur në nivele të larta do të më japë mundësinë të jem pjesë e kombëtares. Kam luajtur për kombëtaret e moshave deri tek ekipi Shpresa dhe e di mirë sa e rëndësishme është për çdo lojtar ajo fanellë. Këto janë edhe objektivat më të mëdha që unë kam dhe shpresoj t’i realizoj. Mirëpo, kjo kërkon shumë punë dhe përkushtim, ndaj fillimisht dua të bëj më të mirën për Teutën”, – tha Dita.
Roland Gjini

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"