Përzgjedh trajnerin, Mehmeti te Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2013 | 12:10

Përzgjedh trajnerin, Mehmeti te Dinamo

Mehmeti dhe Mergjyshi ne stolin e Dinamos ne BurrelJanë lakuar disa emra që do të marrin në dorë drejtimin e skuadrës sezonin e ri, por ai tashmë është vendosur. Administratori i Dinamos, Ismet Saliaj, ka përjashtuar nga lista çdo trajner tjetër duke theksuar se Dritan Mehmeti do të jetë kreu i ri i pankinës dhe do të nisë punën me blutë në ditët në vijim. Tekniku e ka drejtuar Dinamon për 8 javë në fazën e parë gjatë kampionatit të kaluar dhe ka grumbulluar 12 pikë. Saliaj për rikthimin në pankinë të teknikut shprehet: “E kam biseduar me trajnerin Dritan Mehmeti që të marrë në dorë ekipin. Për vetë faktin që Mehmeti e njeh mirë ambientin dinamovit, ai ishte më i përshtatshmi për ne, ndaj i besojmë plotësisht. Ai më është përgjigjur pozitivisht, ndërsa puna do të nisë në dy javët e para të korrikut, pasi tekniku mund të largohet disa ditë me pushime. Për sa i përket ndërtimit të ekipit ai ka në dorë merkaton dhe do të caktojë edhe stafin me të cilin do të bashkëpunojë. Për sa u përket lojtarëve që do të rinovojnë, ata tashmë janë bërë të ditur nga klubi. Pjesa tjetër do të jetë merkato cilësore me futbollistë të Superiores, për të cilët do të vendosë së pari trajneri”.
Objektivat Dinamo një vit më parë nisi punën me përkushtim për t’u rikthyer në Superiore sa më shpejt. Saliaj kërkon që këtë vit të mos përsëritet situata e sezonit të kaluar, ndërsa thotë që Dinamo do të synojë vetëm Superioren këtë vit. “Nga biseda që kam pasur me kryesinë e Dinamos, kam marrë besimin dhe detyrën që ekipi të rikthehet këtë sezon në Superiore. Këtë çështje nuk do ta diskutojmë në asnjë moment të punës sonë. Do të ketë investim në këtë skuadër, ndaj kjo do të finalizohet me kthimin tonë në elitë, pasi Dinamos nuk i shkon kjo kategori”, – shprehet ai.
Dalipi Administratori i bluve nuk ka harruar të përmendë edhe ish-trajnerin Edmond Dalipi. “Ai, me dëshirën dhe pasionin për të dalë sa më mirë me këtë skuadër, dha kontributin e tij maksimal, gjë që ndikoi drejtpërsëdrejti në qëndrimin e Dinamos në këtë kategori. Kontrata e tij e nënshkruar për periudhën janar-qershor përfundoi, kështu që nuk do të jetë trajner i ekipit të parë, por pjesë e Dinamos do të jetë patjetër. Shpreh konsideratat e mija më të mira për teknikun, i cili në të ardhmen do të marrë në drejtim një nga strukturat e akademisë”, – përfundon Saliaj.

Ja si do të ndryshojë akademia
Pritet një rikthim i Dinamos në ditët e ardhshme në ambientet e saj pas rreth dy vitesh. Këtë e ka pohuar administratori Ismet Saliaj. “Së pari do të kërkoj nga drejtoresha që në këto ditë të para të nisjes së punës së Dinamos ne të kemi hapësira kohore më të mëdha dhe më të përshtatshme për të përgatitur ekipin. Shoh që ambientet janë pothuajse të rrënuara, por kjo gjë do të marrë zgjidhje së shpejti, pasi ne presim ndryshimet e së ardhmes. Do të bëhet një formatim i të gjithë akademisë ‘Dinamo’. Prindërit do të paguajnë shuma simbolike në klub për edukimin e fëmijëve të tyre dhe nuk do të paguajnë më drejtpërdrejt trajnerët me shuma që shkojnë deri në 5 mijë lekë të rinj në muaj”.
ERJON HAMITAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"