Dinamo s’heq dorë, do Diopin dhe Djarmatin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2012 | 13:41

Dinamo s’heq dorë, do Diopin dhe Djarmatin

Gjatë dy javëve të para, blutë e kryeqytetit të drejtuar nga Eduard Zhupa, kanë bërë seleksionime. Në ekip kanë qëndruar vetëm futbollistët që trajneri i ka vlerësuar si të nevojshëm. Sipas drejtuesve, ekipi është përforcuar, por tashmë duhen futbollistë me peshë, “senatorë” për skuadrën dhe të udhëheqin pjesën tjetër të formacionit në ndeshjet zyrtare. Objektivi i vetëm i Dinamos është të kapë një nga dy vendet e para për t’u ngjitur në Superiore, ndaj investimet po rriten. Në datën 11 gusht, blutë do të nisen për fazë përgatitore drejt Maqedonisë. Ndërsa më 10 gusht do të jenë mbyllur të gjitha kontratat e lojtarëve. Këtë e bëjnë të ditur drejtuesit, të cilët i kanë lënë në dorë teknikut Zhupa përzgjedhjen e lojtarëve. Numri një i pankinës së Dinamos ka edhe pesë ditë kohë për të krijuar skuadrën, e cila pritet të ketë 30 futbollistë të federuar, nga të cilët 20 do të jenë stabël.
Merkato – Nga burime të sigurta mësohet se drejtuesit kanë hyrë në bisedime me futbollistin me origjinë afrikane, Papa Diop dhe me kroatin Matko Djarmati. Ky i fundit pritet që shumë shpejt të rikonfirmohet në radhët e bluve dhe të marrë shiritin e kapitenit. Për sa u përket miqësoreve, ato do të zhvillohen vetëm në Strugë, aty ku do të zhvillohet faza përgatitore. Ekipet që do ketë përballë Dinamo do të jenë me peshë. Nga sa bëhet e ditur, një skuadër është e Ligës së Parë maqedonase dhe një tjetër e një tjetër shteti fqinj. Në këto dy takime, dinamovitët pritet të konfirmojnë dhe formacionin që do të luajë në Kategorinë e Parë. Blutë nuk arritën të mbijetonin në Superiore sezonin e kaluar dhe, në historinë 62-vjeçare si klub, do të provojë për herë të parë në kampionatin e ardhshëm që të luajë në Kategorinë e Parë. Aktualisht, ekipi nuk ka më mbështetjen e dikurshme nga presidenca.
ERJON HAMITAJ

Lista zyrtare e Dinamos deri tani
NË PORTË
Daniel Lamellari
NË MBROJTJE
Arben Likmeta
Erion Kule
Ervin Sulejmani
Lysjen Brojka
Shkumbin Kaliqi
Bazion Traga
Klaudio Rexhepi
NË MESFUSHË
Orges Serjani
Enkelejd Cankja
Emiliano Arapi
Adon Omeraj
Rigels Xhelili
Erxhan Muca
Fabio Killo
Arian Beqiri
NË SULM
Ermal Kenga
Hendrit Ferraj
Romeo Hamzaj
Ergys Rakipi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"